Audioregjistrimi i Gjirokastrës, ministri i Brendshëm ka fjalë të mira për median. Ende asnjë sqarim për përgjimin e tij në zyrë

Postuar në 27 Tetor, 2016 22:24

Kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës u regjistrua teksa kërkonte favore seksuale në këmbim të ndikimit të vet. Rasti është publikuar nga emisioni “Stop” në Tv Klan dhe sikurse pritej prodhoi reagimet e zakonshme në kësi rastesh: ministri i Drejtësisë në lidhje telefonike deklaroi se Këshilli i Lartë i Drejtësisë duhet ta shkarkojë gjyqtarin. Unioni i Gjyqtarëve lëshoi një deklaratë përmes së cilës “u distancua nga akte të tilla”, për të pritur ditën e nesërme ku me siguri ky akt i kapur në flagrancë do të shërbejë për të riaktivizuar propagandën e një “reforme radikale në drejtësi”. Atipik në këtë mes është qëndrimi i përcjellë nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, i cili përmes një statusi  në Facebook, ka guxuar – emri i gjyqtarit është Guximtar – të bëjë edhe moralin e fabulës:

Dite te zeza per drejtesine, nder shume te tilla, vetem kete jave. Njeri ne Diber, tjetri ne Fier, i fundit ne Gjirokaster.  Dite per te kuptuar perse nuk e duan vettingun, as Korporata e Gjyqtareve, as KLD, as SHQUP-i. E jo vetem keta! Faleminderit medias! Po ben punen qe duhet te benin institucionet, per fat te keq, por kjo ka edhe me shume vlere. Ka ende shprese! Reforma ne Drejtesi do na cliroje nga te gjithe palacot ne sistemin e drejtesise, qe sot vene ende gjoba ne xhepin dhe mishin e qytetareve. Vetem reforma ne drejtesi!” shkruan Tahiri.

Kumbon me të gjithë forcën hipokrizia dhe pafytyrësia. E para njëherë, është e çuditshme sesi një përfaqësues i qeverisë mburr median për rolin e vet, kur shefi i tij e të tjerët e quajnë kazan. Për më tepër që transmetuesi i videos është Tv Klan, apo ai televizon që deri më dje urrehej me direktivë nga socialistët.  Nuk përjashtohet që ministri i Brendshëm të ketë axhenda të vetat, ndaj edhe shkel syrin mediave, por nuk përjashtohet edhe që ky afrim të jetë “strukturor”, pasi po afrojnë zgjedhjet.

Së dyti, ministri vetëm pak muaj më parë u përfol se ishte përgjuar vetë në zyrë e madje se pajisja përgjuese ishte gjetur ne zyrën e tij(http://www.balkanweb.com/gazetashqiptare/saimir-tahiri-zbulon-pergjues-n...). U përfol edhe largimi i zv.ministrit të Brendshëm si autor i përgjimit, ndërkohë që mediat që transmetonin “shpifjet e Saliut” që përhapi këtë informacion, u sulmuan. Meqë  jemi këtu: ministri mundet të sqarojë edhe sot si qëndron ajo puna e përgjimit të tij, që është një temë që siç thuhet e ka vënë ministrin në përplasje me kryeministrin, por edhe me Ilir Metën. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.