Lajme, grimca lajmesh, grimca pafundësisht të vogla lajmesh!
Mënyra më e mirë për të kuptuar peshën e papërballueshme të lajmeve është të bësh një lloj diete mediatike. Të mbyllësh Facebook-un, të mos blesh gazetë dhe të mos hapësh televizorin. Muaji gusht është perfekt për këtë agjërim.
Por pastaj rikthehesh. Dhe ndjen forcën shpuese të qindra lajmeve që të përplasen në fytyrë sa hap televizorin. Lajme që thjesht të godasin, pa të ngjallur interes. Rubrika “politikë” të pickon me qindra detaje personale politikanësh që s’kanë lidhje me politikën. “Ekonomia” të derdh mbi kokë një kovë një dallgë shifrash të shkëputura nga çdo pikë reference. Kronika e zezë t’i err sytë. E megjithatë mbetesh totalisht indiferent përballë kësaj batice lajmesh.
Ke ndjesinë se lajmet dhe ne jemi shumë pranë me njëri-tjetrin. Është pak a shumë si të jesh para një portreti, por kaq pranë tij, saqë arrin të shohësh një pjesë të vogël të faqes. Vështirë ta kuptosh se ajo çfarë po shikon është pjesë e një fytyre njerëzore. Ndaj grimcave të tilla jemi të ekspozuar gjithë ditën. Grimca të cilat nuk arrijnë të zgjojnë kureshtjen, sepse fytyra e vërtetë dhe e plotë mbetet e pakapshme. Jemi tmerrësisht pranë!
Ditë pas dite, orë pas ore, minutë pas minute, gazetarët na ofrojnë grimca lajmesh e historish, përmasat e vërteta të të cilave arrijmë t’i rrokim ndoshta pas disa muajsh apo ndoshta pas disa vitesh. Imagjinoni sikur një shkrimtar të na e prezantonte tregimin e tij me nga një apo dy fjali në ditë dhe të pretendonte prej lexuesit ta krijonte vetë idenë e së tërës.
Na duhen lajmet. Por na duhen lajme që na zgjojnë interes e kureshtje dhe që sqarojnë se si përputhen historitë që tregojnë me temat e mëdha, për të cilat ka interes të madh. Gazetarët duhet ta imagjinojnë trurin njerëzor si një bibliotekë, në të cilën informacioni organizohet sipas fushave të caktuara. Mirëpo sa më të shkurtra historitë sa më në grimca kthehen lajmet, aq më e vështirë bëhet renditja e tyre. Prandaj mërzitemi dhe na hapet goja para grimcave të vockla të lajmeve. Sepse mërzia s’është gjë tjetër veçse refleksi vetëruajtës i trurit, i cili refuzon të pranojë informacione që nuk arrin t’i rendisë. Çfarë duhet të bëjë truri im me informacion se presidenti i vendit priti në një takim anëtarët e një partie politike me qendër në Shkup, apo me lajmin se në Peru dy trena u përplasën me njëri-tjetrin?
Gazetari duhet të jetë si bibliotekar. Ai duhet të na tregojë se si lajme të vogla i përshtaten një tematike të madhe. Një raportim në lidhje me një vandalizëm të parëndësishëm diku në një lagje të qytetit X (“vidhen kapakët e pusetave në rrugën Filan Fisteku”) mund të bëhej më i gjallë e tërheqës nëse do tregohej si episod i një drame të gjatë me titullin “Sjellja morale vështirë të diktohet në një shoqëri me shtresa që jetojnë në varfëri ekstreme”. Po ashtu edhe një raportim banal i një rasti korruptiv në një drejtori në qytetin Y me titullin:“Akuza për mitmarrje drejtorit të konvikteve” mund të ishte më e përtypshme, nëse do lidhej me tematikën e madhe: “Kontradikta midis konceptit perëndimor të shtetit dhe mentalitetit shqiptar të fisit”.
Mund të mendosh se armiku kryesor i demokracisë është censura e lajmit dhe se, anasjelltas, parakushti i saj është liria e shtypit. Megjithatë batica përmbytëse e grimcave të lajmeve të përditshme që na e shpërlajnë trurin çdo sekond, na tregon se kjo formë lirie shtypi është në fakt një metodë cinike për t’ia hequr njeriut thelbin e tij politik. Duke ia paraqitur problemet e mëdha të parenditura, të fragmentarizuara, me boshllëqe, duke ia humbur fillin pra, publiku pështjellohet, mërzitet, zverdhet dhe më në fund largohet nga pjesëmarrja aktive politike. Një diktator modern pra, nuk ka përse të ushtrojë censurë lajmesh. Mjafton të kujdeset që batica e grimcave të lajmeve të godasë pa pushim çdo cep të hapësirës publike.
"Mapo"
Add new comment