E Drejta dhe shoqëria

Postuar në 22 Qershor, 2016 21:59
Suela Thanasi

Të paktën prej viteve '80, e drejta dhe shoqëria përbëjnë një temë e cila nuk përmendet shumë në Perëndim. Por duket se në Shqipëri kemi nevojë ta trajtojmë këtë çështje gjerësisht, sidomos në kuadrin e zhvillimeve më të fundit. Ndryshe nga ajo që ndodh rëndom në shumë vende perëndimore, në Shqipëri, socialja dhe ligjorja duket të kenë pak, ose aspak lidhje me njëra-tjetrën. Në vija të përgjithshme, ndoshta është kjo arsyeja që shpjegon problemin kryesor në Shqipëri, zbatimin e ligjit.

Ligji dhe shoqëria tradicionalisht kanë qenë të pandarë nga njëri-tjetri. Nevoja për ligjin ka lindur për të rregulluar marrëdhëniet të cilat shoqëria nuk mund t'i ndërtojë vetiu, pra ligji mund të quhet edhe rregullatori kryesor i jetës sonë të përbashkët. Por a ekziston vërtet një shkëputje e këtyre të dyave në Shqipëri? Kur dhe si ka lindur kjo?

Ligji si fenomen social është përmendur për herë të parë në Greqinë e lashtë, kur nuk kishte ende një ndarje mes filozofisë, moralit, politikës. Filozofët e lashtë kërkonin një sistem ideal ligjesh, me kriter kryesor dallimin e qartë të ligjit të drejtë nga ai i padrejtë. Teoria që thoshte se ligji është përgjegjës ndaj nevojave të kohës dhe duhet përshtatur sipas ndryshimit të kërkesave të shoqërisë, lind me kohën e Aristotelit.

Megjithatë kjo teori u rimor sërish në konsideratë vetëm në shekullin e nëntëmbëdhjetë, bashkë me lindjen e jurisprudencës si shkencë më vete. Fridrih Karl fon Savinji, ndër autorët më të përmendur të kësaj periudhe për studimin e çështjeve juridike, mendonte se ligji është institucion i shoqërisë, i cili funksionon më mirë kur e lejojmë të zhvillohet natyrshëm, sesa kur i imponohet shoqërisë sipas një plani legjislativ. “Ligji”, thotë Savinji, “është instrumenti i shoqërisë për realizimin e qëllimeve të saj sociale. Ekziston për të plotësuar sa më mirë interesat e ndryshme të njerëzimit, dhe jep zgjidhjen e duhur për një problem ligjor ku ka konflikt interesash”[1].

Marrëdhënia ndërmjet ligjit dhe shoqërisë është përshkruar edhe nga dy autorë të tjerë të njohur: Maks Veber dhe Emil Durkheim. Për Maks Veberin, e ashtuquajtura "Formë ligjore racionale" si një lloj dominimi në shoqëri, nuk është rezultat i marrëdhënieve njerëzore por i normave abstrakte. Veberi e studion ligjin duke patur parasysh karakteristikat empirike të tij, dhe jo perspektivën e brendshme, e cila është tipike për shkencat ligjore[2].

Ndërsa për Durkheim, ligji është tregues i mënyrës sesi integrohet shoqëria, dhe kjo mund të jetë mekanike, mes pjesëve identike, apo organike mes pjesëve të ndryshme, siç ndodh për shembull në shoqëritë e industrializuara. Durkheim, gjithashtu, thotë se “sociologjia e ligjit duhet të zhvillohet paralelisht dhe në lidhje të ngushtë me sociologjinë e moraleve, duke studiuar zhvillimin e sistemit të vlerave, të reflektuar në ligj”[3].

Nëse kthehemi në traditën shqiptare lidhur me çështjet e së drejtës dhe shoqërisë, sigurisht na vjen ndërmend Kanuni. Sistemi rregullator, i pashkruar, por i trashëguar gojarisht ndër shekuj, zbatohej rigorozisht nga e gjithë shoqëria, pavarësisht se shumë nga rregullat dhe sanksionet e rrepta ishin të imponuara dhe jo të ardhura si kërkesa të natyrshme të kohës.

Këto rregulla vazhduan të mbeten të njëjta ndër shekuj, duke mos marrë parasysh zhvillimet e shoqërisë, dhe rezultati ishte një shoqëri e ndrydhur dhe e stresuar, më shumë sesa një shoqëri e cila të bashkëjetonte në mënyrë harmonike.

Në fakt, katër shtyllat kryesore të përmendura në Kanun: nderi, mikpritja, sjellja dhe fisi ishin, pa dyshim, të rëndësishme për mbarëvajtjen e shoqërisë. Brenda këtyre shtyllave, kishte edhe shumë sektorë e nën-sektorë të tjerë të lidhur me fusha të ndryshme të jetës së përbashkët, por edhe të asaj private si kisha, familja, martesa, puna, prona, besa etj.. Pjesa më kontradiktore e Kanunit ishte gjakmarrja, e cila sipas rregullave, zgjaste derisa të gjithë burrat e familjeve të përfshira të ishin vrarë. Çështja e gjakmarrjes, pavarësisht se pranohej si një rregull i imponuar, nuk mund të sillte paqe dhe jetesë të shëndetshme në shoqërinë shqiptare, përkundrazi, kjo shkaktonte urrejtje të vazhdueshme mes anëtarëve të shoqërisë, duke e bërë kështu jetën e përbashkët thuajse të pamundur. Kanuni është ndoshta prova më e mirë që tregon pasojat e legjislacionit, kur ky nuk ndërtohet apo zhvillohet në përputhje me atë çka është e mirë për shoqërinë, jo vetëm përkohësisht, por sidomos në një periudhë afat-gjatë.

 

***

Me krijimin e shtetit Shqiptar në 1912, ndjenjat nacionaliste morën një hov të madh. E drejta kanunore vazhdonte të mbizotëronte, por krahas saj, çdo gjë që ishte shqiptare, qoftë edhe e keqe, përkrahej. Natyrisht kjo vinte dhe si pasojë e mungesës së një sistemi legjislativ shtetëror dhe strukturave inekzistente për të kontrolluar zbatimin e ligjit.

Kështu, vrasja e Gjeneralit hollandez Tomson, nga disa grupe nacionalistësh shqiptarë thuajse u përkrah nga shoqëria e asaj kohe. Ismail Kadare e përshkruan si më poshtë këtë moment: "Nacionalistët primitivë shqiptarë heshtën për vrasjen, sepse, sipas mendjes së tyre të mykur, vrasësit nuk mund të dënoheshin, ngaqë i përkisnin kombësisë shqiptare. Paçka se ata ishin llumi i zi i këtij vendi."[4]

Gjatë regjimit relativisht të shkurtër të Mbretit Zog, pati një përpjekje për hartimin e një legjislacioni të ngjashëm me atë të vendeve perëndimore. Zogu prezantoi një legjislacion të ri bazuar në atë zvicerian, urdhëroi heqjen e ferexheve, ndërtoi xhandarmarinë, vendosi një sistem të detyrueshëm arsimi dhe përforcoi sistemin monetar duke përdorur pasurinë e tij private. Autori Tajar Zavalani, në librin e tij "Historia e Shqipnisë" botuar në vitin 1954, shkruan: "Projektligjet e pregatituna nga Këshilli e Shtetit i parashtroheshin parlamentit për aprovim. Ky nuk ishte nji formalitet i zbrazët, mbasi projektligjet studjoheshin me kujdes në Komisionet e posaçme, të përbamë nga deputetë të specializuem. Ata banin shum ndryshime për të përmirësue ligjet në aspektin e tyne teknik. Ligjet e votuem nga parlamenti dekretoheshin nga Mbreti dhe firmoheshin nga ministri i ngarkuem me zbatimin e tyne."

Pra, me regjimin e Mbretit Zog duket se ka një fillim të mbarë përsa i përket legjislacionit. Megjithatë, për shkak të strukturave ende të brishta dhe të pamjaftueshme të shtetit shqiptar, zbatimi i tij nuk bëhej njësoj në të gjithë vendin. Vështirësia tjetër qëndronte dhe në periudhën e pamjaftueshme për të parë rezultatet e zbatimit të këtij legjislacioni. Mbreti Zog aspironte të krijonte në Shqipëri, brenda pak viteve, të njëjtën cilësi jetese që ekzistonte në vendet perëndimore. Por kushtet historike të Shqipërisë, si dhe armiqësitë e vetë Mbretit Zog me grupe të ndryshme shqiptarësh, për shkak të kompleksitetit të veprimeve të tij, e bënë të pamundur ekzistencën e drejtësisë shtetërore si fenomen standard për rregullimin e marrëdhënieve në shoqëri.

Sistemi komunist solli një plan legjislativ të ndërtuar sipas ideologjisë komuniste, i cili sërish iu imponua shoqërisë pa dëshirën e saj. Natyrisht kjo pati rezultat pozitiv si fillim, për vendosjen e rregullit aq të nevojshëm për një vend të sapodalë nga lufta. Por shpejt do të vihej re se ky plan legjislativ nuk përcillte realisht kërkesat e shoqërisë. Reforma agrare e vitit 1946 ishte ndër çështjet e para më kontradiktore, e cila binte ndesh me të drejtat e individit dhe shoqërisë.

Prof. Dok. Teodor Kareco shprehet mbi këtë etapë historike si vijon: "Së pari, reforma agrare u konceptua që në kohën e luftës civile si element i rëndësishëm për të bërë me vehte fshatarët e varfër dhe me pak tokë, kundër atyre që quheshin cifligarë apo fshatarë të pasur në luftën e përgjakeshme vëllavrasese. Me parullën “tokën atij që e punon” u nxitën instiktet e luftës klasore. Nuk mjaftoi kjo. Që në kohën e luftës civile u hodh parulla reaksionare për bujqit “mos njihni pronarët”, “mos paguani qeratë e tokës” e të tjera."[5]

Pra e drejta e pronës, si një nga të drejtat dhe liritë bazë të individit, nuk reflektohej në legjislacion, pasi kjo binte ndesh me ideologjinë e partisë Komuniste në pushtet. Në këtë periudhë kemi shembullin tipik të zhvillimit të legjislacionit sipas kërkesave ideologjike, dhe jo atyre sociale.

Dhe siç mund të pritej, në momentin që kjo ideologji nuk ishte më, bashkë me të pushoi së ekzistuari edhe legjislacioni, dhe si rezultat shoqëria shkoi në gjendjen e saj natyrore anarkike. Në këto kushte, tradita e vjetër kanunore mori sërish jetë, si nevojë e shoqërisë për vendosjen e rendit dhe drejtësisë.

 

***

Njëzet e pesë vitet e fundit të tranzicionit u shoqëruan me përpjekje për vendosjen e një sistemi ligjesh, të cilat të mundësonin rivendosjen e rregullit në shoqëri. Ligjet e hartuara, herë sipas shembujve perëndimorë dhe herë të tjera sipas nevojave urgjente të kohës, kanë gjetur pak ose aspak zbatim.

Ish-Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Vladimir Kristo, në një intervistë të muajit Shkurt të vitit 2009 shprehet: "...ka një kontradiktë realisht midis nivelit jashtëzakonisht të mirë të hartimit të legjislacionit shqiptar, të përqasjes së këtij legjislacioni me legjislacionin e komunitetit evropian, por problemi kryesor mbetet në zbatimin e këtij ligji e të gjithë këtij kuadri ligjor. Për mendimin tim, kjo lidhet jo vetëm me cilësinë e hartimit të legjislacionit, i cili lë për të dëshëruar, por lidhet edhe me kulturën ende të ulët demokratike në qëndrimin që kanë institucionet përgjegjëse dhe qytetarët ndaj ligjit"[6].

Pra krahas mungesës së një tradite ligjore efektive, të bazuar në kërkesat e shoqërisë, duket se ekziston edhe problemi i hartimit të ligjeve të pamundura për t'u zbatuar. Kështu, e drejta dhe shoqëria duken gjithnjë e më të distancuara nga njëra-tjetra: shoqëria nuk e gjen veten tek e drejta, dhe nga ana tjetër, e drejta nuk lind gjithnjë si nevojë e kërkesave të shoqërisë.

Një nga fenomenet e përhapura është kopjimi i legjislacionit perëndimor pa marrë në konsideratë kulturën vendase. Aspiratat për integrim evropian kanë bërë që, herë pas here, autoritetet vendase të nxitojnë për të aprovuar çdo ligj të huaj, pavarësisht nëse ky është apo jo në përputhje me kushtet sociale dhe kulturore në vend. Dhe siç ndodh në të shumtën e rasteve, këto ligje rezultojnë të pazbatueshme.

Shumëkush mund të mendojë se ky është një proces i gjatë dhe një vend si Shqipëria që aspiron të integrohet sa më shpejt në familjen evropiane, nuk ka më kohë për të humbur. Por është pikërisht kjo mendësi që e mban vendin ende larg strukturave evropiane, të cilat kanë ligjin si element kryesor të ekzistencës dhe funksionimit të tyre ndër vite.

 

[1] http://www.britannica.com/EBchecked/topic/525746/Friedrich-Karl-von-Savigny

[2] http://www.britannica.com/EBchecked/topic/638565/Max-Weber

[3] http://www.britannica.com/EBchecked/topic/174299/Emile-Durkheim

[4] "Shqiptarët në Ballkan", botim i Institutit Shqiptar për Studime Ndërkombëtare, Tiranë 2001

[5] Prof. Dok. Teodor Kareco, "Reforma Agrare Demokratike nga nje Monark" http://www.lajmishqip.com/?p=6617

[6] http://lajme.shqiperia.com/lajme/artikull/iden/192420/titulli/Kristo-Mos...

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.