Kaos në kampin e emigrantëve në Lesvos, 3 të lënduar nga zjarri
Një qendër e izolimit të refugjatëve në ishullin grek Lesvos është përshirë në flakë gjatë natës, si pasojë e përleshjeve midis refugjatëve afganë dhe pakistanezë. Mediat raportojnë se ka patur dhjetra të lënduar, tre prej të cilëve janë dërguar në spital.
Sekuenca nga zjarri janë projektuar në rrjetin social Twitter, nga i dërguari i gazetës britanike, The Independent, në ishull.
Zjarri ka shkatërruar një pjesë të konsiderueshme të infrastrukturës së komisariatit të lartë të OKB-së për regujatët (UNHCR), përfshirë depo me veshmbathje dhe ushqime.
Përleshjet filluan pak para mesnatës së të mërkurës dhe të dy palët përdorën leva hekuri dhe thika.
Sipas agjencisë zyrtare të lajmeve, ANAi, qindra refugjatë janë larguar nga qendra e izolimit, ndërsa më herët qendrën e kishin braktisur forcat e pakta të policisë, por edhe aktivistët e organizatave joqeveritare.
Agjencia shton se deri në orët e para të mëngjesit të sotëm, qendra e izolimit ishte e hapur për cilindo që donte të hynte apo të dilte, ndërsa bënte përshtypje se në vendngjarje nuk u paraqit asnjë prej drejtuesve të policisë apo autoriteteve vendore.
Në qendrën e izolimit në Moria, ku u shënuan trazirat, mbaheshin më shuimë se 2.000 refugjatë, të cilët kanë hyrë në territorin grek pas 20 marsit, kur u arrit marrëveshje BE - Turqi.
Add new comment