Reforma zgjedhore apo reforma në drejtësi?
PD-ja e ka vendosur reformën zgjedhore pothuaj si një kusht të panegociushëm për të dhënë konsensus për reformën në drejtësi. Pavarsisht argumentave që ajo jep, duket se kjo është një taktikë për të shtyrë miratimin e reformës në drejtësi, me synimin që zbatimi i saj të fillojë pas zgjedhjeve të vitit tjetër. Por sidoqoftë pyetja “zgjedhje të lira e të ndershme apo një drejtësi që jep drejtësi?” është një pyetje që ka shqetësuar shumë mendimtarë botërorë, pas dështimeve të disa përpjekjeve demokratizuese në një sërë vende të botës.
Francis Fukuyama ka shkruajtur dy vëllime nga 500 faqe rreth kësaj teme (seria Rendi Politik). Përfundimi kryesor në të cilin arrin Fukuyama, pasi analizon shtetet e ndryshme në 3000 vjetët e fundit, është se demokracia mund të lulëzojë vetëm në vende ku sundon ligji (por nuk sundohet përmes ligjeve) dhe ku administrata shtetërore është e ndërtuar në bazë të meritokracisë. Përndryshe, shkruan ai, demokracia s’është veçse një ndeshje mes partish, të cilat synojnë të vijnë në pushtet përmes zgjedhjesh, për të shfrytëzuar vendin në favor të drejtuesve dhe të militantëve që i mbështesin ata.
Edhe Fareed Zakaria ka shkruar dy libra rreth kësaj teme (Bota post-amerikane dhe E ardhmja e lirisë). Ai arrin në përfundimin se mund të flitet për demokraci liberale vetëm kur sistemi i drejtësisë funksionon i pavarur nga pushteti politik dhe kur ai shërben si një kontrollues dhe balancues i ekseseve të ndryshme të politikës dhe të shoqërië. Përndryshe, shkruan ai, kemi të bëjmë me një demokraci iliberale.
Paddy Ashdown, ish-guvernatori de fakto i Bosnjës, duke reflektuar mbi përvojat e Perëndimit atje pas Marrveshjes së Dejtonit, ka shkruar se Perëndimi shpenzoi shumë para për të zhvilluar partitë shoqërinë civile dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në Bosnjë. Dhe pati sukses në këtë drejtim. Partitë e OJQ-të u fuqizuan, dhe zgjedhje të lira e të ndershme u zhvilluan disa, duke prodhuar rrotacione pushteti, si në nivel qendror edhe lokal. Por korrupsioni dhe krimi i organizuar rritej nga viti në vit, me fuqizimin e partive dhe të OJQ-ve, si dhe me ndërrimet e pushtetit. Do të kishte qenë më mirë, shkruan Ashdown, që të kishim shpenzuar një fraksion të parave që shpenzuam, për të përgatitur 10 prokurorë e 10 gjykatës të aftë e të ndershëm, që të luftonin korrupsionin dhe krimin e organizuar. Në këtë mënyrë do të kishim hedhur themelet për ngritjen e një demokracie liberale.
Rreth kësaj teme jo vetëm është shkruar, por edhe është vepruar. Në shtete si Rumania, Kroacia, Bullgaria, Guatemala e Hondurasi, ku BE dhe/ose SHBA kanë interesa jetike për të ndërtuar demokraci liberale, Perëndimi ka ndihmuar fuqimisht për ngritjen e njësive speciale të hetimit dhe të akuzës, për të vënë pas hekurave figura shumë të larta politike, të korruptuara ose të lidhura me krimin e organizuar. Bazuar në këtë përvojë, SHBA dhe BE po ngulmojnë fort që e njëjta gjë të ndodhë edhe në Shqipëri.
Në kushtet aktuale, ngulmimi i PD-së për reformën zgjedhore, edhe në qoftë se nuk do të ishte një lëvizje taktike, do të ishte i kotë nga pikpamja e interesit të saj imediat. Kjo sepse në kohën më të mirë të vet pas 1997-ës (më 2009, kur Berisha ishte kryeministër i gjithëfuqishëm), koalicioni i saj mori vetëm 700 mijë vota. Sado të lira e të ndershme, sado elektronike e biometrike të bëhen zgjedhjet vitin që vjen, PD-ja nuk vjen dot në pushtet, nëse LSI-ja nuk ndahet nga PS-ja. Ndërsa nëse LSI-ja ndahet nga PS-ja, PD-ja mund të vijë në pushtet me ndihmën e LSI-së dhe pa ndihmën e reformës zgjedhore.
Duke patur parasysh ekuacionin e mësipërm elektoral, edhe vendi nuk do të ketë ndonjë përfitim imediat nga reforma zgjedhore. Nëse koalicioni PS-LSI nuk prishet, do të mbesë në pushtet, pavarsisht se sa të lira e të ndershme bëhen zgjedhjet. Ndërsa nëse LSI-ja rikthehet te koalicioni PD-LSI, ne do të rishohim një qeveri të ngjashme me atë të para tre vjetëve.
Siç ka thënë Fukuyama, në një vend ku nuk sundon ligji, demokracia s’është veçse një ndeshje mes partish, të cilat synojnë të vijnë në pushtet përmes zgjedhjesh, për të shfrytëzuar vendin në favor të drejtuesve dhe të militantëve që i mbështesin ata…
Add new comment