Një ngjarje e rrallë evolucioniste detektohet në laborator. Kuptohet një rol i ri për intronet
Kërkues të universitetit Austin në Teksas të ShBA, kanë zbuluar dhe ndoshta kanë zgjidhur një nga pikëpyetjet më të mëdha të evolucionit që lidhet me intronet. Këto të fundit janë sekuenca të pakodueshme të ADN-së të ndodhura brenda geneve, që shumohen në një genom. Rezultati i jep përgjigje pyetjeve themelore për evolucionin e specieve të reja dhe sipas autorëve ai mund të zgjerojë kuptimin që kemimpër shkaqet e sëmundjeve të tilla si kanceri. “Deri më tani, e vetmja mënyrë sesi kërkuesit gjurmonin evolucionin e introneve ishte përmes analizës filogenetike e cila konsiston në egzaminimin e marrëdhënieve evolucioniste mes bashkësive organizmash të ndërlidhur. Puna jonë është verifikimi i parë eksperimental që tregon sesi intronet mund të zhvendosen në një organizëm”, sqaron Scott Stevens, profesor i Bioshkencës Molekulare.
Prej kohës shkencëtarët kanë qenë të mendimit se një pjesë e madhe e ADN-së në një organizëm nuk kodohet për të dhënë molekula apo protenia funksionale. Kjo quhet ADN-ja e pavlefshme, e padobishme. Por ky studim hedh dritë në faktin se këto sekuenca genetike shpesh kanë funksione të rëndësishme. Përfshirë intronet. Ata kanë një rol në manifestimin e geneve, si një pjesë e sekuencave të geneve që zhvendosen nga ARN-ja, përpara sesa këto gene të konvertohen në proteina.
Kur eukariotet – organizma një apo shumëqelizorë, materiali genetik i të cilave konsiston në ADN-në në formën e kromozomeve brenda një bërthame – u diferencuan nga bakteriet, pati një inavzion të madh të introneve në genom. Të gjitha eukariotet e sotme e trashëgojnë këtë paraardhës të përbashkët dhe te gjitarët depozita e introneve është zgjeruar. Njerëzit p.sh kanë mbi 200 mijë introne që arrin diku te 40% e genomit. Ekipi studioi pikërisht këtë humbje apo shtim intronesh duke testuar 500 miliardë qeliza majaje në të cilat u konstatua se vetëm në dy raste u realizua shtimi i introneve në një gen të ri. Ky mekanizëm është e kundërta e reaksionit të bashkimit.
Për krijimin e proteinave, ARN(acidi ribonukleik) lexon udhëzimet e ADN-së duke anashkaluar kodin që përmbajnë intronet. Por në këto dy shembuj, qeliza e lexon anasjelltas ADN-në dhe u lejon introneve ta përcjellin drejt ARN-së, duke krijuar një ndryshim të përhershëm genetik. Këto quhen përftime të introneve dhe nëse akumulohen me kalimin e kohës, mund të kontribuojnë në zhvillimin e një specieje të re sikurse edhe të sëmundjeve njerëzore. Sipas studiuesve të universitetit Austin ky avancim evolucionar vjen me koston e sëmundjeve, pasi kanceri p.sh lidhet me zhvendosjen e introneve nga ARN-ja. Përkufizimi i rolit të introneve ndihmon kështu në historikun genetik të njeriut, por edhe për të ardhmen e tij.
http://phys.org/news/2016-05-rare-evolutionary-event-university-texas.html
Add new comment