Halepi po vdes. Ai e meriton paqen e menjëhershme

Postuar në 01 Maj, 2016 17:18
Andrea Riccardi/Historian, themelues i Komunitetit të Sant'Egidio

Disa herë, që nga viti 2014, kemi bërë apel për fatin e Halepit: për ta shpëtuar qytetin, për të krijuar përqark tij një zonë armëpushimi dhe për të ndihmuar popullsinë.

Apeli që kemi bërë, pavarësisht mbështetjes së shumë burrave dhe grave vullnetmirë, kanë rënë në vesh të shurdhët, si te luftëtarët në terren, ashtu edhe te komuniteti ndërkombëtar. Do të mund të krijohej një “qytet i hapur”, duke ruajtur një mjedis unik nga pikëvështrimi historik dhe njerëzor.

Nuk ndodhi asgjë. Nuk i interesote kujt ndalja e këtij shkatërrimi kaq të madh. Kështu që Halepi u zhbë, copë pas cope, ndërkohë që banorët e tij iu nënshtruan një rrethimi rraskapitës dhe  brutalitetit të luftës. Marrëzia po vazhdon.

Gërmadhat që vijojnë të mbulojnë Halepin janë monumenti i gjallë i një lufte absurde. Komuniteti Ndërkombëtar është ngatërruar në një rrjet lojërash dhe vetosh që bien ndesh me njëra-tjetrën. Njëkohësisht që shkatërrohej qytetërimi i bashkëjetesës, që megjithë vështirësitë e kishte bërë Halepin dëshmi paqëtimi në të gjithë Lindjen e Mesme. Pjesa më e madhe komunitetit të madh kristian të qytetit u largua.

Paradoski është se sot , ndërkohë që në Siri është vendosur një armëpushim i  brishtë, në Halep njerëzit vdesin për shkak të luftës. Madje qyteti qëndron në zemrën e konfliktit. Është tallja e fundit në një histori të gjatë dhe të dhimbshme që zë fill që në vitin 2012. Në javën e fundit llogaritet se kanë vdekur të paktën 200 njerëz, mes të cilëve 50 fëmijë. Ka humbur jetën edhe pediatri i fundit, një nga pjesëtarët e grupit të doktorëve që qëndruan në qytet. Qeveria e Assad(që në të shkuarën godiste me të tmerrshmet fuçi shpërthyese) bombardon lagjet e pushtuara nga rebelët, në përpjekjen për t’u ribashkuar me një pjesë të qytetit, deri më tani në duart e saj, ku edhe jetojnë kristianët. Edhe kjo zonë goditet nga rebelët , pas një periudhe të shkurtër qetësie. Beteja e Halepit po vazhdon në një qytet në të cilën tashmë ka më shumë gërmadha sesa ndërtesa. Është koha që të ndalet!

Kanali i komunikimit mes SHBA dhe Rusisë provoi se funksiononte në marrjen e vendimit për armëpushim në pjesën tjetër të Sirisë. Tani duhet të shpëtohet ajo që mbetet nga Halepi. Lufta nuk mund të vazhdojë më në këtë qytet martir. Si do të jetojnë me njëri-tjetrin banorët e Halepit kur të bjerë muri i brishtë i ndarjes mes dy pjesëve të qytetit: asaj të kontrolluar nga qeveria dhe asaj të kontrolluar nga rebelët?  Si do të jetojnë sërish bashkë myslimanë e të krishterë? Sepse është fakt se është përhapur shumë urrejtje.

Shumë njerëz kanë vdekur dhe janë zhdukur pa gjurmë. U zhduk pa lënë gjurmë peshkopi siriako-ortodoks Gregorios Ibrahim dhe ai greko-ortodoks Paul Yazigi, të dy të rrëmbyer tre vjet më parë. Kisha e Halepit, vejushë pas humbjes së dy peshkopëve të sah, është njësoj si ato shumë familjet e qytetit që kanë humbur një baba, një nënë,një të afërm, apo më shumë sesa një.

 Halepi e meriton paqen e menjëhershme. Është provuar se mund të bëhet shumë politikisht për të ndaluar luftën e armatosur. Pse të mos bëhet edhe për Halepin? Nuk mund të lejohet të humben javë duke asistuar këtë shkatërrim mizor që po ndodh. SHBA dhe Rusia duhet të hedhin një hap të vendosur. Qeveria e Assad duhet të ndalet, nëse synon të rifitojë sadopak besueshmëri dhe autoritet në sytë e botës.

Historia do të kërkojë llogari për kaq shumë të vdekur dhe kaq shumë shkatërrime. Dhe për fat të keq, ajo botë e bashkëjetesës që ekzistonte në Halep, nuk do të rikrijohet aq kollaj. Është e nevojshme të ndalet kjo luftë,  deri sa ka ende një fije shprese dhe jete në Halep.

http://www.avvenire.it/Commenti/Pagine/riccardi-aleppo-storia-chiedera-conto-a-chi-puo.aspx

Përkthimi nga “ResPublica”

 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.