Një kallëzim penal për Berishën që provon se socialistët kanë një problem me Prokurorinë

Postuar në 25 Prill, 2016 15:55

Partia Socialiste, Grupi i saj Parlamentar, do të depozitojë kallëzim penal për deputetin Sali Berisha. Kjo është bërë e njohur nga deputeti socialist Alfred Peza, gjatë një interviste në “News24”. Peza tha se Berisha ka shkelur Kushtetutën, se ai ka bërë thirrje kundër rendit kushtetues, kur ka kërkuar që qytetarët të armatosen, ndërkohë që propozimin për miratimin e një ligji për armët e ka bërë pasi ka shprehur thirrjet e sipërcituara. Më tej deputeti Peza sqaroi se kallëzimi do të bëhet nga një grup deputetësh të PS-së, në kushtet kur sipas tij, “Prokuroria nuk ka vepruar...njësoj siç nuk ka vepruar në mjaft raste të tjera”.  “Deklarata është publike dhe organi i akuzës mund të merrte kasetat, të provonte vërtetësinë...”, shtoi ai, duke theksuar kështu se socialistët kanë një problem me institucionin e akuzës që sot drejtohet nga Adriatik Llalla.

Këtu një parantezë: Peza u pyet për akuzat e PD-së se loja me përjashtimin e Berishës synon zhvendosjen e vëmendjes dhe hakmarrjen ndaj tij për arrestimin e Shullazit, që sipas demokratëve është njeriu i segmenteve të pushtetit. Peza deklaroi se “z. Basha është i pabesueshëm...”, duke kërkuar që të vlerësohet legjitimiteti i kallëzimit të deputetëve ndaj Sali Berishës, i cili “nuk mund të bëjë përherë çfarë të dojë”.

Nga e gjithë kjo situatë bie në sy mungesa e Ilir Metës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në një seri ngjarjesh që lidhen me njëra-tjetrën. Heshtja e këtij politikani sugjeron se diçka po lëviz në prapaskenë. Deklarimi i Sali Berishës për armatosje erdhi pas arrestimit të Emiljano Shullazit që paraprakisht u akuzua nga ish-kryeministri  për kërcënimin e kandidatit për rektor të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni. As për këtë akt, as për arrestimin e Shullazit dhe as për deklarimin e Sali Berishës, Meta nuk ka folur, por ka heshtur. Njësoj sikundër Prokuroria ka një rol të paqartë. Le të sjellim këtu në vëmendje se çfarë tha kryeministri Edi Rama në Parlament për arrestimin e Shullazit: “Normalisht arrestimet bëhen në bashkëpunim me prokurorinë. Por në këtë rast e vërteta është pak më ndryshe, ndalimi është bërë nga policia që ka filluar procedurën pa pasur një denoncim konkret, por duke u nisur vetëm nga një indicie e paprovuar dhe e ka ndaluar dhe ka kërkuar nga prokuroria autorizimin për arrestim dhe e ka marrë pas mesnate, ndërkohë që personazhi në fjalë ishte në qeli. Policia ka kërkuar autorizim nga prokuroria, por nuk ka marrë përgjigje. Si ka mundësi, ndërkohë faktet e nxjerra në dritë nga shtypi flasin për të vërtetën që policia ka kërkuar autorizimin nga prokuroria për të vendosur në përgjim e me radhë këtë personazh dhe nuk e ka marrë”. Këtë deklarim e korrigjoi ministri i Brendshëm:  “Kryeministri bëri një lapsus. E vërteta është që policia ka referuar çdo material për këtë çështje. Është policia që ka bërë çdo veprim për këtë çështje dhe kaq, të tjerat hetojini me Komision Hetimor”, – deklaroi Tahiri, duke iu drejtuar opozitës.

Si mund të bëhet një lapsus për një arrestim të një niveli të tillë, sidomos kur kishte një akuzë publike për kërcënimin e kandidatit për rektor?!

Gjithsesi, kjo tani ka më pak rëndësi sesa fakti se kryeministri ka pohuar një problem me prokurorinë, kur tentoi që të deklaronte se ajo nuk kishte rol në arrestim. Madje se e kishte penguar atë, pavarësisht se një pjesë e medias raportoi se ishte pikërisht e kundërta: arrestimi ishte kryer nga organi i akuzës.  Sot prokuroria po vihet në provë me një kallëzim ndaj Berishës për thirrje antikushtetuese, të verifikueshme lehtësisht dhe çdo veprim i saj, ose e kualifikon kallëzimin në padi dhe nisje procedimi penal, ose do ta hedhë poshtë atë. Kjo sjellje është bërë normë që të vlerësohet në dritën e nevojës për reformën në drejtësi, e cila po rikonfirmohet se kalon de facto nga kontrolli i hetimit. Jo vetëm pse aty materializohet vullneti për goditur, por edhe sepse aty qëndron themeli i informacionit, që e bën të pamundur përsëritjen e lapsuseve si ky i kryeministrit. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.