Butrinti, propozohet ruajtja si Pompei
Arkeologu Sandro de Maria nga Universiteti i Bolonjës propozon që për Butrintin të ndiqet e njëjta praktikë si me Pompein në konservimin e zbulimeve të bëra deri më tani. "Siti ka nevojë të studiohet, të dokumentohet, të monitorohet. Nuk duhet gërmuar më për të mos krijuar probleme të reja konservimi. Dalin në dritë struktura të reja, por ka probleme me ndërhyrjet e konservimit. Ndaj për mua është më mirë që më parë të studiojmë ato që janë gërmuar tashmë, të shihet se çfarë duhet restauruar e më pas mbase të bëhen kërkime të reja" thotë ai në një intervistë për Gazeta Shqiptare. Arkeologu italian thotë se Butrinti është ruajtur në gjendje të mirë, por nevojitet monitorim i specializuar.
"Ka disa mure që kanë probleme qëndrueshmërie, ka pasur edhe disa rënie (muresh) së fundmi, në muret mesjetare, në strukturat mesjetare. Situata nuk është e rëndë për mendimin tim, sepse është bërë një punë e mirë them në mirëmbajtje. Në Butrint gjërat funksionojnë, ka personel që ndërhyn, ka arkeologë që punojnë, ndaj situata është e mirë për Shqipërinë"-shprehet Sandro Di Maria. Sipas tij, Shqipëria rrezikon të humbasë disa monumente të kësaj kategorie nga mungesa e mirëmbajtjes. "Janë manastiret mesjetare, janë kishat bizantine të shpërndara në territor që janë të braktisura, ato përballen me rreziqe të mëdha konservimi. Butrinti nuk është në këtë gjendje, por sipas meje, duhet ndërhyrë para se të ketë probleme"- shton arkeologu.
Add new comment