Kisha Orthodhokse: Na ktheni objektet e kultit që na përkasin. Po shfrytëzohen për dasma dhe ceremoni
Asambleja kleriko-laike e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ka kërkuar përmes një deklarate që objektet e kultit që i përkasin t’i kthehen në administrim kishës. Shkak për këtë mesazh është jo vetëm ligji që ia njeh KOASh-it këtë të drejtë, por edhe shfrytëzimi i mjediseve të objekteve në fjalë për aktiviteteve që siç thuhet në deklaratë fyejnë ndjenjat e besimtarëve. “Fotografitë që tregojnë vajza të reja, teksa reklamojnë fustane nusërie sipër fronit dhespotik, para Derës së Bukur dhe ikonave të ikonostasit, konkretisht në kishat historike Orthodhokse të Beratit dhe Elbasanit, janë një ofendim i madh ndaj Kishës Orthodhokse. Kjo ngjarje është një sakrilegj i dukshëm dhe fyerje e ndjenjës fetare. Sigurisht që ky fakt nuk ndihmon harmoninë fetare për të cilën mburret vendi ynë. Rikujtojmë se veprime të tilla fyese të përsëritura nuk “promovojnë” trashëgiminë kulturore të vendit tonë. Vlen për t’u theksuar fakti se sakrilegje të tilla nuk janë bërë në asnjë objekt kulti të ndonjë komuniteti tjetër fetar të Shqipërisë. Protestojmë, pasi organet shtetërore, të cilat mbajnë ende në zotërim vendet dhe objektet e shenjta pas njëzet e pesë vitesh demokraci në vend, japin leje që përdhosin të shenjtat dhe të hirshmet e Kishës Orthodhokse. KËRKOJMË që më në fund të zbatohet ligji 10057 neni 22/2 datë 22.1.2009, “Marrëveshja ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë”. Duhet t’i kthehen Kishës Orthodhokse, pa vonesë dhe pretekste, të gjitha kishat e shenjta, manastiret, lipsanet e shenjta, ikonat dhe objektet e shenjta të adhurimit, të cilat respektohen, nderohen dhe janë të shenjta për të gjithë Orthodhoksët anembanë botës dhe sigurisht edhe për besimtarët e Shqipërisë”, thuhet në deklaratë.
Add new comment