Dashuri në Kohërat e Zikës
Dashuria është fluide, nuk mund të lahesh dy herë në të njëjtën rrjedhë ndjesie, sepse stacionimi i saj merr tatëpjetën drejt universit, bëhet universale… Zgjimi në mëngjes na tregon se sa afër dhe larg këtij koncepti jemi. A është e prekshme dashuria? Erërat e cilës kohë fryjnë në drejtim të dashurisë? Shkurti është muaji i vitit ku manifestimi i dashurisë merr trajtën e njeriut me këmbë dhe duar, ku dashuria prek buzë dhe bëhet njësh me libidon njerëzore, dashuria bëhet syvëzhgues, mendjekritike, dorëledhatimi dhe krahëmbështetje. Ditën e ‘Shën Valentinit‘ dashuria manifestohet si bizhu, si pako dhuratash, si libido fizike dhe ja, dashuria shndërrohet në Unë dhe Ti. Dashuria është kudo e shpërndarë në hapsirë dhe kohë, por nuk është kurrë aty ku jam unë dhe ku je ti. Sepse nëse do të ishte aty, unë dhe ti s’do të ishim dhe tani që jemi i shkojmë pas. Të rendësh për dashuri, njerzimi njohu maratonomakë që nuk ja dolën, kohërat njohën njerëz që hoqën dorë drejt rendjes ndaj i ngritën etyd një herë në disa kohë duke e shndërruar në një frymor dashurinë dhe e quajmë Valentin, Stefan dhe Eros.
Dashuria njeh shumë emra dhe vende por aty ku ajo rrjedh njeh vetëm një vendlindje, ‘Shpirtin’. Gjësendet nuk janë objekti i dashurisë, por padashje njeriu me botëperceptimin e tij ja atribuon ashtu siç i jep edhe trajtën njerëzore. Historia njohu maratonomakët e dashurisë por kurrsesi nuk e njohu natyrën e saj të vërtetë. Për ti dhënë shpjegim kësaj natyre intepretët dhanë mendime të ndryshme dhe një ndër më të përfolurit është: dashuria buron nga morali, apo morali buron nga dashuria?! Nëse morali është dashuri, a buron ky i fundit nga feja?! Duke mos u ndalur në hipoteza studiuesish, dashuria rrjedh dhe merr përpara çdo argument racional. Nëse keni ‘biseduar’ ndonjëherë me ndërgjegjen, jam e sigurt që e keni parë atë të transformuar në shumë rrjedha dashurie. Jemi mësuar të flasim për dashurinë sikur të jetë frymorë, për një dhe të vetme, madje edhe mbaresa’a’ në fund të kësaj fjale duket sikur i jep trajtë femërore dhe kufizuese konceptit të dashurisë, “Dashuri-a”.
Dashuria ka edhe trajtën e matshme të saj, një shembull të tillë na e shpalosin pyetjet klishe: “Sa herë dashuron njeriu në jetë?”; “Sa më dashuron?” etj. Përgjigjet janë po kaq idilike sa edhe pyetjet. “Një vështrim më hodhi mbi sup, për të ma zvogëluar Ligjin e Rëndesës”, Ligji Gravitacionit dhe çdo rëndesë ikën më rrjedhën e dashurisë dhe na lë ashtu të zbrasur gjithmon në rend pas saj. ‘Nuk jam maratonomak’: thërras nga dritarja e vogël e një dhome përbri një liqeni. Këmbët më ngecin në pengesën e parë, padashje edhe unë shkas në matësen e dashurisë dhe gjej vetëm ‘ego’ nga pesha e saj. Nuk është dashuri egoiste as egoizmi i dashurisë por është fjala, brenda një bote ku gjithcka që është aty, nuk është kurr aty. Ne gabojmë kur masim me fjalë të matshme të pamatshmen, dhe të matshmen e masim me fjalë të pamatshme. Mediat e manifestojnë më së miri komercialitetin e kësaj ndjesie të pamatshme që e quajmë dashuri, sepse vetëm rizgjimi i saj vë në lëvizje shoqërinë, tërheq vëmendjen e gjithsecilit, pavarsisht pushtetit që disponojmë, vetëm pushteti i dashurisë na përkul krenaritë dhe na zgjon dobësitë brenda vetes. I vetmi pushtet që shkrin akullnajat dhe ngrin vullkanet! Sepse secili diku në një cep të zemrës, fshehur modestisht nën diastolë dhe sistolë, ka ‘’dikë’’ që i shkakton uragan të përjetshëm, që i ndryshon përbërjen kimike të gjakut e që quhet C9H13NO3 (formula kimike e Adrenalines). Së fundmi në rruzullin tokësor po qarkullon një virus që quhet Zika dhe ka patur një shtrirje të gjërë kontinentesh, janë shënuar viktima por bota vijon të gjallërohet sërisht nga miliarda frymorë që pllenohen, që dashurohen, që riprodhohen dhe që në fund vdesin duke i ngritur etyd dashurisë që nuk e preken, por e rindërtuan me fanatizëm në mendjen e tyre si një objektiv parësorë të jetës.
Në një klimë sociale të tillë dashuria ngre krye si për të thënë që mistershëm ajo po shkon, bashkë me të edhe momentet që nuk i përjetuam, që na lenë pezull në këtë jetë. Çdo imitim i saj na ringren shpresat se dashuria është ende me ne, është brenda fjalës, brenda syve që depërtojnë pertej dukjes, brenda mendjes sonë në formën e kujtimeve, brenda një çadre që të mbron nga rrebeshet e jetës, brenda një çatie, brenda një jorgani por mbi të gjitha brenda zemrës… Aty rilindin rrjedha te reja dashurie, aty gjithmon ka lagështirë kujtimesh dhe gjurmët zëvëndësojnë njëra-tjetrën, vetëm aty nuk rendet pas dashurisë sepse është i vetmi vend i sigurt nëpër të cilën ajo kalon.
Dashuria është fluide, ajo gjen shteg për të rrjedhur edhe nga sytë më largpamës, ajo rrjedh edhe me shiun si mëshirë ndaj shkretëtirës.
Nëse në një moment kuptuam se edhe vetmia është dashuri, atëherë kuptoje që dashuria nuk je ti!
Dashuria nuk jemi ne!
Tingujt janë gjithashtu një manifestim i dashurisë së paprekshme dhe një ndërgjegjësim për ta lënë dashurinë të shkojë në hulli të reja pa kushte. Liria është një tjetër formë e dashurisë… dashuria është subjektive, logjikisht edhe liria. Ndërkohë morali na detyron me çdo kusht dashuri. Dashuria e lirë ndryshon nga liria e dashurisë, ne mund të dashurojmë personazhe ireale, por kjo nuk do të thotë që, meqënëse ato janë virtuale, nuk disponojmë të drejtën për ti dashur dhe të drejtën për të vepruar. Liria e dashurisë ajo për të cilën flasin poetë e shkencëtarë, baçevanë dhe baritorë është rrjedha që prek pa dallim çdo kënd kudo.
Dashuria është mëshirë, përkatësi, ngjashmëri, antagoni, kotësi por mbi të gjitha është ndjesi e shtresëzuar drejt së mirës njerëzore.
Nëse unë të dua të mirën ty, do të thotë që të dua në formën time subjektive, pavarsisht distancave edhe pse ne nuk njihemi. Mos e ngatërroni me humanizmin, edhe ky i fundit është një lloj forme dashurie por ajo ka kushte, kurse dashuria që rrjedh nga ‘shpirti’ nuk njeh traktate, ajo është një ikje e vazhdueshme misterioze. Dashuria lë gjurmë vetëm në zemër, aty ku kufiri me racionalitetin shuhet dhe mbetet vetëm lagështimi i krijuar që rrjedh ose në formën e mendimeve ose nëpërmjet syve…
Lagështia e zemrës më thotë se dashuria po përgatitet të shfaqet në dy forma ose si shi në sy ose si shkrim në gazetë. Nëse rrjedh nga i pari do të thotë ka ikur me kohë, nëse rrjedh si i dyti, je ende aty…aty ngjitur me disa paragrafë mbi Virusin Zika.
Për Dashurinë në Kohërat e Zikës.
Add new comment