Çudia nuk vijon më shumë se tri ditë
Kjo është një fjalë e urtë, që lidhet me numrin magjik, 3. Si për shembull përkujtohen të tretat, apo në shprehjen e famshme “E treta e vërteta!”, apo ofshamat e mallkimeve: “Qofsh tri herë i mallkuar!”, apo urimet “Qofsh tri herë i bekuar!”, e të tjera si këto.
Pra, edhe Çudia nuk mund të vazhdojë më shumë se tri ditë. E kam fjalën për Kombëtaren, që u kualifikua në Europian. Mbas 60-70 vjetësh që kemi formalisht apo realisht klube sportive topshkelmuese, do hyjmë më në fund, një herë te porta e madhe e një kampionati. Kampionati europian i topshkelmuesëve .
Bukur! Jam edhe unë realisht i gëzuar. Do të jemi edhe ne në një Vitrinë të Madhe e të ndritshme, që ka qenë e mohuar për shumë kohë për ne. Brezi më i ri i çunave dhe vajzave tona, ku përfshihen edhe fëmijët e mi, do të kenë heronjtë e tyre topshkelmues, të pashëm, të mirëpaguar, që kanë shkelm dhe pulpa të forta, që kërcejnë mirë me kokë kur shkelmohen kornet, që bëjnë finte dhe rreka të lezetshme dhe lëvizin mirë me bel përballë kundërshtarit. Me dhe pa top. Bukur përsëri deri këtu!
Po pastaj?
Ou, po pastaj kemi edhe shumë gjëra të tjera. Do të lirojmë apo jo Ballist Morinën e famshëm nga burgu?
Po kontrata me De Biasin?
Ç’do të bëjë Mand Duka, do ftohet apo do ngrohet me italianin?
Do t’i japë apo jo 3 milionë euro në vit? Kjo është Çështja!
Pse tre milion euro kushton sot De Biasi? I thonë 250.000 euro në muaj! Me, apo pa taksa? E kap De Biasin taksa progresive? Epo lekë hallalli janë. Hiç të mos taksohen! Mjafton një VKM e posaçme për Xhan Xhanin! Është padyshim një hero kombëtar shqiptar, italiani.
Po Çunat e Kombëtares? Sa do të paguhen? Do të gjejnë nuse në Shqipëri apo jashtë, nëpër Europë? Afshet e mijëra çupave në mbarë Shqipërinë kanë kohë që shtegtojnë drejt tyre tanimë! Mbas kualifikimit, edhe më shumë!
Po Kryeministri e kish të vërtetë atë fjalën që te stadiumi i ri, që ai parapëlqen ta quajë Arena, do të vendosë një Pllakë të Përjetshme Ari me emrat e Çunave.
Po sikur vitin që vjen të bëhemi kampionë të Europës?
Ka edhe nga ata që kanë filluar ta besojnë. As edhe kundër këtij besimi disi të çartur nuk jam kundër.
Dihet nga të gjithë se Topshkelmimi është një biznes i madh botëror. Plot shkëlqim dhe stadiume luksoze. Me futbollistë dhe trajnerë që mbërrijnë në stërvitje dhe në ndeshje me Ferrari, Lamborghini apo më të varfrit me Porche. Është futbolli i Blaterit dhe Platinisë, e të pasurive të tyre marramendëse. Një Treg Kolosal, në bishtin e të cilit, por gjithsesi brenda tij, po hyjmë edhe ne. Biznesi i basteve shumëmiliardëshe dhe i një marrëzie kolektive që përfshin mbi 1 miliard njerëz, ndoshta edhe më shumë.
Më kujtohet një herë bavarezi 70-vjeçar Franc Beckenbauer, një nga idhujt e fëmijërisë sime, që mbas sikletit të kaluar me Kombëtaren tonë në Tiranë, në mos gaboj në kualifikimet e botërorit mbi 40 vite më parë, tha se kish parë: një ndeshje ndërmjet një skuadre të përzgjedhur nga 2 milionë futbollistë gjermanë dhe një skuadre të përzgjedhur nga 2 milion banorë!
Situata jonë, edhe sot nuk është edhe aq shumë ndryshe. Në raportet e statistikave.
Mirëpo, a na duhet të Ëndërrojmë vetëm për Topshkelmimin, apo kemi edhe Ëndrra pak më të mëdha?
Që lidhen me të përditshmen tonë. Që lidhen me qytetet dhe fshatrat tona hallexhesha. Që lidhen me spitalet tona mjerane. Me luftën e pandërprerë politike dhe shpalosjen e ca egoizmave ekstreme, majtas djathtas, lart apo poshtë.
Që lidhen me një sistem monopolesh që po kolaudohen me shpejtësi të parrëfyer dhe me një ndarje e diferencim klasor, me një polarizim gjithmonë e më ekstrem.
Që lidhen me një Krizë të plotë Idealesh dhe me një grabitje globale të të gjithëve kundër të gjithëve. Ose më saktë, të ca të Pakëve kundër të Gjithëve.
Të një shoqërie që nuk ka besim te Zoti, por vetëm te Paraja.
Të një shoqërie që nuk beson më tek e Vërteta, por lutet gjunjazi te Perëndesha Gënjeshtër.
Në këtë tunel, kualifikimi i Kombëtares duket si një ogur i mbarë. Sikur më mbas, do të kualifikohemi njësoj edhe në shumë fusha të tjera.
Aq më tepër kur, këto ditë lexoj marrëzirat që po shkruajnë edhe ca pena të mençura, edhe të cilëve po iu ngjan se bashkë me Çunat, në Erevanin e Armenisë, po fitojmë si të thuash, edhe Parajsën e amëshuar të një Bote të Re, në Shqipërinë e Vjetër, të grabitjes dhe hajdutërisë së përditshme të jetës së më të dobtëve.
Sot është ditë me diell. Nesër mund të fillojnë shirat përsëri. Bashkë me shirat edhe përmbytjet, që çuan në atë botë një qyqar në Vlorë, pavarësisht fitores së Kombëtares.
Çudia, edhe kjo Çudi pra, Tri Ditë do të vazhdojë.
Që pasnesër, shqiptarëve, mbasi do t’u dalë pija dhe dehja kolektive, do të kthehen depresivë në jetën e tyre mediokre dhe të vështirë. Se deri në qershorin që vjen, kur fillon në Paris Europiani, dhe ëndrrat e çartura që lidhen me të, ka ende një copë kohë të mirë. Nëse mbetemi, si edhe jemi, veç me të tilla ëndërrime topshkelmuese.
Sepse, mbi të gjitha, ne populli që e mbaruam festën tonë treditore, kemi edhe një Dimër të gjatë e të ftohtë përpara.
"Mapo"
Add new comment