Shënim: Drejt precedentit kroat?

Postuar në 28 Shtator, 2015 21:24

Zhvillimet e fundit politike në Shqipëri po çojnë përherë e më shumë drejt idesë se një pjesë e politikës po “blen” hyrjen në Europë, duke bërë kurban një pjesë tjetër. Asociimi me Ivo Sanader të Kroacisë çalon jo pak, pasi në ndryshim nga Kroacia, Shqipëria është një vend ku institucionet e drejtësisë dhe të akuzës janë përgjegjëse sa politika për gjendjen e krijuar, sikurse i gjithë establishmenti politik është i zhytur në batakun e korrupsionit që gjeneron po vetë. E megjithatë ai mbetet sërish i referueshëm. 

Në vende si Shqipëria, me gati - demokraci, politika e shpalos në mënyrë më brutale vetërregullimin përmes forcës sesa moralit. Kështu, opsionet e shfaqura së fundmi për prerje kokash në nivele të larta, janë në fakt një provë force, kostot e detyrueshme për të ecur një hap përpara në afrimin drejt Europës. Ka disa sinjale se një pjesë e vendimmarrësve janë dakord që ta paguajnë këtë çmim.

Së pari është reforma në drejtësi. Drafti i ekspertëve i dorëzuar së fundmi, ku parashikohen edhe ndryshime kushtetuese, përfshin ndër të tjera edhe nene si këto: “Republika e Shqipërisë merr pjesë në Bashkimin Evropian për të ushtruar bashkërisht me shtetet e tjera pjesëtare kompetencat shtetërore...”; “Shtetasit shqiptarë zgjedhin përfaqësuesit e tyre në Parlamentin Evropian me votim të drejtpërdrejtë”; “Këshilli i Ministrave i raporton Kuvendit për vendimet që përgatit në kuadrin e pjesëmarrjes në institucionet e Bashkimit Evropian, mbi të cilat Kuvendi nxjerr konkluzione dhe harton rezoluta”...(https://www.scribd.com/document_downloads/direct/282921844?extension=pdf...). Siç shihet këto amendime, të realizuar me ndihmën e ekspertëve dhe institucionieve të huaja e marrin si fakt të mirëqenë hyrjen e Shqipërisë në BE dhe përshtasin paraprakisht kuadrin kushtetues për këtë gjë.

Së dyti është insistimi për të përfshirë në procesin hetimor, hetues të huaj, të cilët siç mund të merret me mend nuk do të kenë vetëm kompetenca këshillimore. Praktika e punës e disa ambasadorëve në Tiranë, provon më së miri, se këshillimi është aspekti formal, ndërsa bashkëvendimmarrja si sugjerim, është realitet. Thirrja në ndihmë e të huajve në procesin hetimor, krahas legjislacionit rigjallërues të gjyqësorit, hallkat ndërvepruese të të cilit me reformën aktuale shkallmohen, është një mesazh i drejtpërdrejtë për goditje në nivele të larta. Natyrisht këtu kemi të bëjmë me dorëzim të “sovranitetit”, pasi është e qartë se për të kapur korrupsionin në Shqipëri, nuk kërkohet ekspertizë, por vullnet. Dhe vullneti që po dëshmon një pjesë e establishmentit është thjesht delegimi i vendimmarrjes tek të huajt, që mund të presin koka, pa i dhënë shkas alibive për “luftë vëllavrasëse”.

Së treti është afera e CEZ-it dhe përqendrimi i sulmit drejt “modelit të korrupsionit”, Ilir Meta. Çështja po tejkalon fuqinë e politikës për ta ndaluar mekanizmin pa asgjësuar edhe atë pak fill komunikues që ka mbetur mes politikës dhe qytetarëve. Problemi këtu shtrohet sesi mundet që nga një çështje ku kanë dorë të gjithë, të dalin vetëm disa fajtorë. Jo më kot, projektligji i PD-së kërkon hetimim e marrëveshjes së Mirëkuptimit me CEZ, duke aluduar përfshirjen e Edi Ramës, ndërkohë që po sot, PD-ja po kërkon pezullimin e draftit të reformës me argumente fare të paqëndrueshme. Është në fakt një ofertë shkëmbimi, për të qetësuar një furtunë që tanimë ka nisur. Duke vëzhguar këtë dinamikë, duket se fijet e lojës po i tërheq kryeministri dhe si person që po mbahet larg ndotjes është edhe Lulzim Basha, që të dy bacile të tranzicionit dhe të instaluar në pushtet përmes mekanizmave korruptivë të tranzicionit. Nuk po pyesim a kanë legjitimitet për të kërkuar koka këta të dy dhe të huajt që po operojnë aktivisht, por a do të funksionojë vallë kjo goditje?

Për aq sa mund të lexohet, mund të thuhet vetëm se loja ka nisur. Edi Rama ka sakrifikuar edhe deputetë të Grupit të vet Parlamentar, sikurse Lulzim Basha nuk ka mohuar për asnjë çast zërat se me CEZ po goditet Sali Berisha, i cili meqë ra fjala ka që në datën 24 shtator që nuk e zë më në gojë këtë aferë. Por në ndryshim nga rasti kroat, kjo lojë po vihet në skenë më shumë me duar të huaja, që teksa shpallin Shqipërinë vend të sigurtë, marrin vetë sigurinë në dorë. Për qytetarët shqiptarë eliminimi i dupy apo tre politkkanëve është veçse lajm i mirë, por për Shqipërinë dhe sprovën e saj me demokracinë ky është paradoksalisht një fatalitet, pasi provon paaftësinë për t’u shkëputur nga e keqja me të cilën bashkëjetojmë. Por nuk do të ishte hera e parë.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.