Reforma në Drejtësi, jo reforma për Drejtësi

Postuar në 13 Shtator, 2015 12:20

Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha, ka dhënë një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shiptare. Duke folur për procesin e Integrimit, Gjosha, shprehet optimiste se vlerësimi në muajin tetor nga progres raporti, do të jetë "shumë i gjerë". "Ne presim në tetor progres raportin i cili do të jetë shumë i gjerë në vlerësime edhe për shkak të reformave që qeveria ka ndërmarrë në shumë fusha. Sigurisht fokusi i tij kryesor do të jenë 5 prioritetet, mbi bazën e së cilave vlerësohet dhe mbarëvajtja e procesit të integrimit , ose kalimi në fazën e rradhës që është hapja e negociatave", thotë Gjosha. Siç mund të vihet re, ministrja nuk tregohet optimiste, parë këtu edhe problemet që po has vendi. çfarë ka rëndësi është theksimi i reformës në drejtësi që po shërbehet si çelësi i suksesit për integrimin dhe per të bindur partnerët se një hap i madh u hodh. "Ne jemi optimistë por edhe shumë të ndërgjegjshëm se reforma në drejtësi është një reformë e vështirë që kërkon kohën e saj, ndaj mendojmë se ekspertiza që po na ofrohet nga vendet e BE, apo SHBA është e domosdoshme, njësoj siç është i domosdoshëm kontributi i të gjitha palëve politike", thotë ministrja. Ka një dozë spekullimi në lojën e reformës. P.sh në Shqipëri ka thuajse një vit që vetë politika adreson akuza të jashtëzakonshme, duke nisur nga vrasjet, urdhër vrasjesh, vjedhje të pasurisë publike, etj..

çfarë i mungon Shqipërisë në planin ligjor, institucional e juridik, që këto akuza të marrin drejtimin e duhur, pra atë të hetimit të pavarur penal? Në planin ligjor nuk mungon asgjë. Edhe institucional po ashtu. çështja është te ekzistenca e asosacionit të gjyqësorit dhe prokurorisë me politikën. Shembulli më i fundit është Prokurori i Përgjithshëm që del e deklaron se në "shtator do ketë arrestme të zyrtarëve të lartë". Habere të tilla dëshmojnë për ngrirjen e qëllimshme të drejtësisë poshtë politikës, meqenëse kështu rihet kontrolli mbi sistemin. Le të kujtojmë këtu se vetëm vitin e fundit, nga organi i akuzës kanë rrjedhur dokumente që përbëjnë sekret hetimor, gjithnjë në përkim të plotë me ngjarje të caktuara politike. Nëse do të duam të flasim për gjykata, vendimi i fundit për Petrit Vasilin, në Gjykatën e Lartë, do të mjaftonte për të kuptuar shumë mirë se kush vendos të drejtën e të padrejtën në këtë vend. Por edhe sesi e vendos. E teksa politika i nxit e shfrytëzon këto probleme, shet reformën në drejtësi si hallkën që do të zgjidhë çdo gjë. Kryeministri ka dashur të tregohet se ka distancë për çdo ndërhyrje, duke u shprehur se "kjo është reformë ekspertësh". Një shprehje që vështirë se mund të ketë ndonjë kuptim. çdo ligj, çdo ndërhyrje, edhe Kushtetuta si e tillë, është hartiar nga ekspertë. Ky kontribut është thjesht dhe vetëm teknik, pasi çëshja është tek vullneti i politikës. Dhe këtë vullnet për ilustrim mund ta gjejmë në dy momente: së pari në ndryshimet që imponoi politika në Kushtetutë më 21 prill 2008 dhe në personat që ka menduar të kandidojë në zgjedhje. Zhvillimet e fundit po dëshmojnë se vetë politka pranon se ka futur në Parlament njerëz me precedentë penalë, njerëz problematikë, që vjnë aty nga rruga e shkeljes së ligjit dhe e krimit. Përpara se të flitet për "nesër e tutje", apo për shtet, do duhet të veprosh vetë ndryshe. çështja e hapur e skandalit në CEZ tregon po ashtu se ekipi që qeveris tani e konsideron të mbyllur, apo ka një qasje instrumentale ndaj zullumeve që kanë ndodhur deri më dje. Dhe nuk i mungon asnjë instrument që të zbardhë deri në fund atë që ka ndodhur. U pa në Parlament sesi një shkrim gazete që dogji, çoi në zbërthim të plotë të dosjes. Duke parë të gjitha këto, e sidomos duke parë ligjvënien si ajo për pronën, dyshohet shumë se reflrma në drejtësi do të sjellë ndonjë gjë. Ajo ndoshta do të dobësojë pozitat e disa gjykatësve, apo disa poleve të konsoliduara në gjykata e prokurori, për të dhënë hapësira të reja për ekzekutivin e politikën, që i vesh vetes atributet e "duarve të pastra". Më cinike nuk bëhet.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.