Dorëzohet edhe National Geographic
Era dixhitale nuk kursen as emrat më të mëdhenj. Radha i erdhi National Geographic, revistës së mirënjohur, e cila bashkë me astetet e tjera mediatike të kontrolluara nga National Geographic Society i kanë kaluar manjatit të mirënjohur, Rupert Murdoch. Murdoch, posedues i "Fox Media", do të kontrollojë 73% të aksioneve, përmes një marrëveshjeje me shifër ekuivalente 725 milionë dollarë. “Washington Post” shkruante me një ndjesi keqardhjeje për këtë marrëveshje që e kalon "NG" nga një organizatë jofitimprurëse, me mision “zgjerimin e njohurive gjeografike” drejt një biznesi të pastër. Por shifrat e tregut të ri janë domethënëse: 12 milionë kopje në kulmin e vet në fundin e viteve ’80, kurse sot 6.5 milionë në të gjithë botën. Reklama ka njohur rënie gjithashtu.
Partneriteti me "Fox" nis në vitin 1997 me krijimin e kabllorit "NG", por disa programe shihen me rezerva nga stafi i revistës dhe shoqëria që e menaxhonte deri më tani. Përveç lajmit të mirë të fondeve, ekziston shqetësimi për tjetërsimin e cilësisë së revistës. Në disa media po këmbëngulet te fakti se Murdoch, një personazh që mohon ndryshimet e klimës, ble sot një revistë që promovon që nga viti 1888 natyrën dhe klimën. Por ekonomia nuk fal.
Add new comment