Investimet e huaja private bien, të brendshmet ngrihen

Top Channel raportoi sot se të dhënat paraprake nga Banka e Shqipërisë tregojnë që, deri në fund të shtatorit, kompanitë e huaja investuan në ekonominë shqiptare 590 milionë euro, ose 117 milionë euro më pak se periudha janar-shtator e vitit të kaluar.
Rënia e Investimeve të Huaja Direkte vjen në një kohë kur ekonomia e eurozonës, një nga partnerët kryesorë ekonomik të vendit prej nga vijnë dhe investimet më të mëdha nga jashtë, po kalon një situatë tjetër të vështirë ekonomike. Italia, një nga investitorët më të mëdhenj në Shqipëri, është zyrtarisht në recesion për herën e tretë, ndërkohë që të dhënat e fundit mbi ecurinë e çmimeve kanë shtuar frikën se e gjithë eurozona mund të rrëshqasë sërish në krizë.
Por ç’po ndodh me investimet e brendshme, publike dhe private?
Në 10 muajt e parë të këtij viti, shpenzimet e buxhetit të shtetit për investime kapitale ishin rreth 180 milion dollarë më të ulta se ato të së njëjtës periudhe të një viti më parë. Por a e kanë mbushur këtë boshllëk shpenzimet private për investime? Kjo pyetje bëhet sidomos e rëndësishme prej faktit se, nga Thesari i Shtetit, u janë dhënë bizneseve rreth 260 milionë dollarë, për shlyerjen e detyrimeve të prapambetura që qeveria e mëparshme kishte ndaj tyre.
Ndërkohë që shoqatat e bizneseve nuk japin të dhëna të përmbledhura që do të tregonin drejtpërdrejt nëse investimet private janë rritur, krahasuar me një vit më parë, të dhënat e INSTAT-it mbi importet japin një mundësi të tërthortë për këtë krahasim.
Kështu, vlera e importeve në 10 muajt e parë të këtij viti u rrit 9%, krahasuar me një vit më parë. Ndër grupet e mallrave që kontribuan më shumë në këtë rritje, ishin “Makineri, pajisje e pjesë këmbimi” (rritja 13%) dhe “Materiale ndërtimi e metale” (rritja 10%). Së bashku, këto dy grupe sollën mbi 1/3 e rritjes së përgjithshme 9% të importeve. Në vlerë, rritja e tyre ishte rreth 150 milion dollarë.
Duke presupozuar ne shpenzimet per investime, raporti i mjeteve te imortuara me vleren e shtuar ne vend është 75%-25%, mund të abstragohet se janë shpenzuar për investime private të paktën 200 milionë dollarë më shumë se një vit më parë. Gjë që tregon se rritja e investimeve private e ka balancuar uljen e investimeve publike prej 180 milion dollarësh. Gjithashtu, kjo rritje e investimeve private shpiegon në një farë mënyre faktin pse 260 milionët që Thesari i Shtetit u dha bizneseve për borxhet që u kishte qeveria e mëparshme, nuk shkuan për të shlyer kreditë e tyre bankare.
Add new comment