Ligji për arsimin, komuniteti fetar: Të vendoset lëndë mbi njohurinë e fesë

Postuar në 25 Prill, 2012 10:44

Komunitetet fetare kërkojnë përfshirjen në shkollat publike të arsimit parauniversitar të një lëndë me njohuri për fenë. Përfaqësues të katër besimeve fetare në vend, parashtruan propozimet e tyre, në komisionin parlamentar të Edukimit, ku po shqyrtohet drafti ligjor për arsimin parauniversitar. Myslimanët kërkuan gjithashtu që të mos ndalohet me ligj shprehja e identitetit fetar  në shkollat publike. 

"Në shkollat private ku nuk ka lëndë fetare por këto shkolla janë të themeleuar dhe adminsistruar nga bashkësitë fetare të lejohet shprehja e identitetit dhe përkatësisë fetare në përputhje me të drejtat dhe liritë themelore të njeriut", është shprehur Teuta Buka përfaqësuese e kishës katolike.

"Mund të shikohet mundësia e një lënde të veçantë që është njohuri mbi fenë", kërkoi përfaqësuesi i Vëllazërisë Ungjillore Ali Kurti.

Përfaqësuesi i kishës ortodokse u shpreh: "Kam nevojë për disa informacione më të qarta: kush janë besimet tona, kush është historiku i tyre, kush janë parimet kryesore".

Ndërkohë që përfaqësuesi i komunitetit mysliman, Bujar Spahiu tha: "Në bazë të ligjeve tona në fuqi dhe konventave ndërkombëtare që asnjë nxënës në botë, as gjinia, as raca as identiteti fetar nuk i ndalohet të shkollohet edhe në ato publike".

Këto propozime do të shqyrtohen nga komisioni, por kryetarja Valentina Leskaj tha se shkollat publike janë dhe duhet të mbeten laike.

"Jo vetëm që duhet të mbetet laik, por në radhë të parë duhet të kemi parasysh që flasim për një kategori arsim që ka të bëjë me një grupmoshë, e cila nuk është në zotësi për të marrë vetë vendime të pavarura", deklaroi Leskaj.

Drafti ligjor për arsimin parauniversitar ndodhet prej një jave në komisionet parlamentare. Pas seancave dëgjimore, ai do t'i nënshtrohet shqyrtimit nen për nen, për të shkuar më pas për miratim në seancë plenare. 

 

Albanian Screen 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.