Preshevë, protestë kundër arrestimeve

Me flamuj kombëtarë në duar e këngë patriotike në sfond mijëra shqiptarë të Luginës së Preshevës u tubuan mesditen e së shtunës për të protestuar kundër arrestimeve të ndërmarra nga policia serbe.
Manifestimi u mbajt nën moton "Edhe unë jam terrorist" dhe protestuesit mbanin në duar pankarta ku kërkonin ndaljen e arrestimeve, gjoja për “terrorizëm” apo “krime lufte”.
“Politika e ditës në Beograd është që cdo shqiptar është terrorist, prandaj ne u themi se të gjithë jemi terroristë”, deklaruan organizatorët e protestës.
Policia serbe ka arrestuar në një aksion dy ditë para zgjedhjeve 8 shqiptarët e Luginës së Preshevës. 5 prej të ndaluarve akuzohen për krime lufte, ndërsa tre të tjerë për akuza më të lehta. Vetë Ministri i Brendshëm serb, Ivica Daçiç deklaroi ditën e premte se personat e ndaluar kanë kryer, sipas tij, “krime lufte”, në ngjarjet që lidhen me luftën e vitit 2001 të UÇPMB-së.
Ndërkohë, për arrestimet në Luginën e Preshevës ka reaguar edhe Tirana zyrtare. Nëpërmjet një deklarate, MPJ dënon arrestimet. "Rikthimi i retorikave me akuza për të ashtuquajturat krime lufte në Kosovë, gjatë procesit zgjedhor dhe me synim për përfitime politike, dëmton standardet demokratike dhe bashkëjetesën ndëretnike në vend", thuhet në reagim.
Të premten reagoi edhe qeveria e Prishtinës që i quajti arrestimet si tendencioze dhe që cënojnë paqen e stabilitetin e gjithë rajonit.
Reagon PS: Të shmangen tensionet
Lidhur me ngjarjet e fundit në Luginën e Preshevës, ka reaguar edhe Partia Socialiste e Shqipërisë.
“Partia Socialiste ndjek me vëmendje zhvillimet politike në Luginën e Preshevës dhe shpreh shqetësimin e thellë për rritjen artificiale të tensioneve politike në prag të zgjedhjeve në Serbi. Bastisjet e arrestimet e shqiptarëve në afërsi të Bujanovcit dhe proceset e montuara politikisht, si dhe zhvillimi i zgjedhjeve në atmosferën e frikës, panikut e presioneve, vënë në diskutim standardet demokratike ndërkombëtare për respektimin e të drejtave të njeriut të detyrueshme për çdo vend”, thuhet në deklaratën e PS-së.
Partia Socialiste bën thirrje për uljen e tensioneve ndëretnike dhe paralajmëron për rrezikun që vjen nga rikthimi i retorikës e praktikave të pak viteve më parë, të cilat dëmtojnë rëndë harmoninë ndëretnike dhe pengojnë bashkëpunimin rajonal, si një element i rëndësishëm edhe për proceset integruese euro-atlantike të rajonit, si dhe shpreh mbështetjen e saj të plotë për faktorin politik shqiptar në përpjekjet e tij për përballimin me maturi e pjekuri të provokimeve dhe të tentativave për zbrazjen e Luginës së Preshevës nga shqiptarët.
top-channel.tv
Add new comment