CNN: Ndikimi i krizës tek atletët grekë, në Lojërat Olimpike

CNN, në një reportazh të tij, ka trajtuar paraqitjen e dobët të sportistëve grekë në Lojërat Olimpike duke e lidhur atë me krizën ekonomike, që po kalon Greqia, vendi ku lindi Olimpiada.
CNN vëren se kriza ka goditur edhe sportet e për pasojë delegacioni i sportistëve grekë është më i vogël se vitet e kaluara. (Në fakt, është më i vogli i 20 viteve të fundit). Sipas raporteve të CNN, kriza ekonomike ka ndikuar drejtpërdrejt edhe tek atletë grekë, performanca e të cilëve nuk mund të krahasohet me ato të dy Lojërave të mëparshme.
Reportazhi me titullin "Kriza greke "prek" Olimpiadën e Londrës", fillonte me fjalët e prezantueses: “Me vështirësitë aktuale në Greqi, gjëja e fundit që dikush mund të mendojë është sporti”, dhe më pas i referohej edhe ndikimit psikologjik të krizës tek atletët grekë.
Gazetarja e CNN foli për përgjysmimin e shumës së parave që ishte në dispozicion në vitin 2008 për atletët grekë dhe për vështirësitë ekonomike me të cilat ballafaqohen ata në përgatitjen e tyre, si pasojë e krizës.
Në reportazh përveç rezultateve të dobëta të atletëve grekë në garat e ditëve të para, u përmendën edhe përjashtimi i sportistes Voula Papachristou, për shkak të komenteve të saj raciste në Twitter, si dhe Dimitri Chondrokouki, atleti që rezultoi pozitiv në testin antidoping, që gjithashtu u përjashtua nga Olimpiada.
Edhe mediat greke komentojnë si “fillim të keq” paraqitjen e Greqisë në garat e javës së parë të Lojërave Olimpike të Londrës.
Greqia e lashtë, origjina e Lojërave Olimpike
Greqia, që sot diskutohet për paraqitje të dobët në Lojërat Olimpike, është origjina e lashtë e tyre. Festa e parë e regjistruar nga Lojërat Olimpike është në Olimpia në vitin 776 p.e.s, por thuhet se kjo nuk ishte hera e parë e zhvillimit të Lojërave, të cilat u ringjallën në fund të shekullit të 19, nga Baroni francez Pierre de Coubertin.
Lojërat e Olimpiadës, të njohura gjithashtu si Lojërat Olimpike Verore, janë zhvilluar çdo katër vjet nga 1896-a e këtej, me përjashtim të viteve të luftërave botërore dhe Greqia ka marrë pjesë në të gjitha. Komiteti Kombëtar Olimpik i Greqisë është një nga më të vjetrit, i themeluar në vitin 1894.
Që kur Lojërat Olimpike filluan të organizohen në kohët moderne, Greqia ka qenë dy herë mikpritëse e tyre, për herë të parë në vitin 1896 dhe 2004. Deri në vitin 2008, atletët grekë kanë fituar 113 medalje, prej të cilave 30 ari në 15 sporte të ndryshme.
Anila Jole
Ballkanweb.com
Add new comment