Greqi, grevë e transporteve, Athina në kaos

Ditën e enjte Athina është sërish gjysmë e paralizuar për shkak të një greve 24-orëshe të njoftuar nga punëtorët e trenave urbanë, metrove dhe trameve.
Punëtorët e sektorit të transportit, sipas një komunikate për shtyp, janë kundër rritjes së tarifave dhe kërkojnë transport falas për të papunët, studentë dhe pensionistët me të ardhura të ulëta. Ndërkohë, një grevë e përgjithshme është programuar për në 26 shtator nga dy sindikata, për të protestuar kundër shkurtimeve të reja të parashikuara nga qeveria.
“Konfederata e përgjithshme e sektorit privat dhe ajo e atij publik bëjnë thirrje për një grevë të përgjithshme 24-orëshe”, deklaroi pak ditë më parë zëdhënësi i një prej sindikatave. GSSE, sindikata për sektorin privat, dhe GSEE, ajo për sektorin publik, janë më të mëdhatë në vendin helen, që kanë organizuar dhe protestat e mëparshme kundër masave anti-krizë.
Për të siguruar ndihmën e radhës prej 31.5 miliardë eurosh, pa të cilën ekonomia greke rrezikon të mbetet pa likuiditet financiar, kryeministri Andonis Samaras njoftoi shkurtime të mëtejshme. Samaras deklaroi se Athina do të plotësojë kërkesat e Trojkës për të siguruar këstin në fjalë dhe për të qëndruar në zonën euro, dalja nga e cila sipas tij do të ishte fatale për vendin. “E vërteta është se Greqia ka arritur shumë pranë daljes nga euro, por kjo është një hipotezë që do të sillte vdekjen e vendit dhe që përbën një kërcënim që duhet ta shmangim”, deklaroi Samaras. “Duhet ta shmangin këtë kërcënim, të rekuperojmë kredibilitetin dhe të mbajmë vendin në zonën euro. Për këtë po luftojmë”, tha ai disa ditë më parë.
Add new comment