Fullani: Rënia e konsumit, rrezik për ekonominë, duhen stimuj të rinj

Postuar në 26 Shtator, 2012 10:12

Përkeqësohen parashikimet e Bankës së Shqipërisë për ekonominë. Rënia e konsumit dhe investimeve private që vijon tashmë prej një kohë të gjatë dhe që e ka burimin te pasiguria që ndjejnë qytetarët dhe bizneset, rrezikon të shkaktojë implikime të tjera në ekonomi, duke lënë pasoja në një periudhë afatgjatë. 

“Frenimi i konsumit si reagim ndaj pasigurisë ekonomike të vendit në të ardhmen mund të shndërrohet në një spirale ndikimesh të ndërsjellta midis treguesve makro-ekonomikë në vendin tonë. Tkurrja e konsumit shoqërohet me rënie të kërkesës së brendshme, duke çuar në ngadalësimin e rritjes ekonomike, në rënie të të ardhurave familjare në një kohë të dytë”. 

Guvernatori argumenton se ekonomia shqiptare ka nevojë për stimuj të rinj, të cilat nuk mund të vijnë nga qeveria që është nën presionin e ruajtjes së deficitit dhe borxhit, por as Banka e Shqipërisë, e cila tashmë e ka ulur disa herë koston e lekut dhe është në pritje që efektet e këtyre ndërhyrjeve të reflektohen plotësisht. 

“Thelbi i diskutimit është gjetja e balancave të domosdoshme për të ruajtur stabilitetin mikrofinanciar të vendit, por njëkohësisht për të gjetur nxitësit përkatës për rritjen ekonomike,. Kjo është sfida e së ardhmes. Ekonomia shqiptare do mirëpresë çdo ardhje të re të investimeve të huaja direkte, si një nga rrugët më efikase si një injeksion të ri në ekonomi për nxitjen e rritjes ekonomike. 

Kreu i Bankës së Shqipërisë ka ritheksuar se ekonomia vendase, edhe pse po shënon rritje pozitive, po zhvillohet nën potencialet e saj.

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.