Rritje taksash. Portugali, masa për uljen e defiçitit

Ministri i Financave të Portugalisë njoftoi rritje të mëdha të taksave në një përpjekje për t'u përballur me defiçitin e vendit. Vitor Gaspar tha se qeveria portugeze do të rrisë taksat në mënyrë që të garantohet se do të mblidhen të ardhura të mjaftueshme për të përmbushur objektivat e ashpra buxhetore si pjesë e masave për lëvrimin e paketës së shpëtimit me vlerë 78 miliardë euro.
"Për tërë ekonominë, me ndryshimet e propozuara në normat tatimore, tatimi mbi të ardhurat mesatare rritet nga 9.8 për qind në 11.8 për qind. Natyrisht, sa më të larta të ardhurat aq më e lartë shkalla tatimore",-deklaroi Gaspar në një konferencë shtypi. Një taksë shtesë prej katër për qind do të hyjë në fuqi në vitin 2013. Qeveria portugeze do të prezantojë taksa të reja mbi kapitalin dhe pronën luksoze si dhe një taksë mbi transaksionet financiare. Sipas Gaspar në vitin 2013, të gjitha masat shtrënguese do të arrijnë në tre për qind të Produktit të Brendshëm Bruto.
Analistët thonë se recesioni më i keq i vendit që nga viti 1970 mund të thellohet nëse rritja e taksave vazhdon të minojë besimin e konsumatorit. Ekziston gjithashtu rreziku që rritja e taksave të ndezë më shumë kundërshtimin ndaj masave shtrënguese që kanë rezultuar tashmë në shkurtime të pagave dhe shkurtime të shpenzimeve. Albanian Screen
Add new comment