Kriza greke, paradë e varfër ushtarake më 28 tetor në Selanik

Postuar në 22 Tetor, 2012 02:38

Kriza ekonomike në Greqi shkurton edhe kostot e paradave ushtarake, që zhvillohen çdo vit në këtë vend. 

Kostoja e paradës ushtarake të këtij viti në Selanik më 28 tetor do të jetë shumë më e vogël sesa vitin e kaluar. Për shkak të krizës, shpenzimet për dy paradat e zhvilluara këtë vit, më 25 mars në Athinë dhe 28 tetor në Selanik, janë llogaritur 320 000 €, ose 115 000 euro më pak se në vitin 2011, kur paradat kushtuan në total 435 000 euro. 

Të dielën e ardhshme në Selanik do të zhvillohet vetëm paradë këmbësorie dhe nuk do të marshojnë njësitë e mekanizuara e nuk do të ketë as demonstrime të avionëve ushtarakë. Preventivi nuk do të kalojë 230 000 €, pasi marina ushtarake vendosi të mos marrë pjesë në festime me anije fregatë, siç ishte planifikuar fillimisht. 

Parada ushtarake e 25 marsit në Athinë, sipas të dhënave nga Shtabi i Përgjithshëm ka kushtuar në total 1 753 000 euro, ndërsa ajo e Selanikut 1 313 000 euro, përfshirë marinën, forcat ajrore dhe Shtabin e Përgjithshëm. Të dyja bashkë i kushtonin buxhetit të shtetit 3 066 000 € në vit.

Parada e 28 tetorit zhvillohet me rastin përvjetorit të fillimit të luftës italo-greke dhe sivjet shënohet 72 vjetori i fillimit të saj. 28 tetori njihet nga populli grek si “dita e JO-së”, pasi kryeministri i asaj kohe Joanis Metaksas refuzoi me një JO, ultimatumin e Italisë së Musolinit, për të hyrë pa hasur rezistencë në tokën greke nëpërmjet kufirit shqiptar, gjë që u bë shkak për fillimin e luftës. Edhe këtë vit, kjo ditë kremtohet në një situatë të vështirë për Greqinë, e cila është e detyruar të përjetojë masa tepër shtrënguese ekonomike dhe për këtë qytetarët grekë, fajësojnë gjithë klasën politike. Një vit më parë, në Selanik u zhvilluan incidente me presidentin Karolos Papulias, dhe për herë të parë në histori, parada ushtarake e 28 Tetorit u anulua.

 

Anila Jole

 

Ballkanweb.com

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.