Eurozona në recesion, Gjermania mbetet e paprekshme

Postuar në 15 Nëntor, 2012 07:40

Eurozona është zhytur sërish në recesion, e kriza e borxhit në rajon vazhdon të dëmtojë kërkesën, tregojnë statistikat më të fundit zyrtare. "Ekonomia e bllokut me 17 anëtarë është rrudhur me 0.1 për qind mes korrikut dhe shtatorit, pasi shënoi një rënie 0,2 për qind në tre muajt e fundit",-bën të ditur Eurostat. Hera e fundit që eurozona ndodhej në recesion ishte në vitin 2009. 

Megjithatë, ekonomia më e madhe e saj, Gjermania, është ende në rritje pavarësisht se është prekur nga kriza e borxheve në eurozonë. Ekonomia e Gjermanisë u rrit me 0.2 për qind, një rënie megjithatë nga rritja prej 0.3 për qind, e regjistruar në tremujorin e dytë dhe 0.5 për qind në tre muajt e parë të këtij viti. "Rritja e Gjermanisë është mbështetur kryesisht nga rritja e kërkesës së huaj",-deklaroi agjencia federale e statistikave Destatis. 

Ndryshe nga shumica e partnerëve të saj në eurozonë, Gjermania ka mbetur imune ndaj efekteve më të rënda të krizës. Deri tani, ajo ka përfituar nga euro e dobët, duke i bërë eksportet e saj më konkurruese jashtë eurozonës. Ndërkohë, në Francë, Produkti i Brendshëm Bruto u rrit me 0.2 për qind në tremujorin e tretë krahasuar me tre muajt e mëparshëm. "Prodhimi i mallrave dhe shërbimeve në Francë, ekonomia e dytë më e madhe në Evropë, u rrit pas pesë tremujorëve fare pranë stagnacionit",-bën të ditur zyra franceze e statistikave. 

Shifrat e publikuara gjatë javës së kaluar, nga ekonomitë e tjera të eurozonës tregojnë se ekonomia spanjolle është rrudhur me 0.3 për qind në mes të qershorit dhe shtatorit dhe Portugalia me 0.8 për qind. Greqia tha të hënën se ekonomia e saj shënonte një rënie me 7.2 për qind në tremujorin e tretë në krahasim me një vit më parë.

 

Albanian Screen

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.