Skandali i përgjimeve, Krasniqi: Bisedat treguan karakteret e tyre të vërteta

“Në jetën time politike, prapaskenat kurrë nuk kanë qenë as formë, as praktikë përbuzëse për punën e shokëve me të cilët kam bashkëpunuar e bashkëluftuar, me ata që jo pak na ka ndarë fija aq e hollë midis jetës dhe vdekjes”. Kështu ka deklaruar kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, në një reagim dërguar mediave në lidhje me përgjimet e zyrtarëve të PDK-së të publikuara në mediat kosovare ditët e fundit. Krasniqi ka theksuar se publikimi i përgjimeve telefonike, me emrat e personaliteteve të skenës politike të Kosovës, pa marrë parasysh a janë të vërteta apo të falsifikuara, kanë skandalizuar të gjithë ata që i kanë dëgjuar.
“Nëse janë të falsifikuara akterët e apostrofuar në këto biseda mund të ngrisin padi kundër falsifikatorëve. Ndërsa, nëse janë autentike, nuk habitem dhe skandalizohem, sepse jam i vetëdijshëm që bisedat private, jashtë kamerave dhe publikut nxjerrin në shesh karakteret e vërteta të tyre, sidomos të personaliteteve publike që kanë frustracione të shumta nga pamundësia që të imponojnë pikëpamjet e tyre në skenën publike. Unë nuk merrem as me njerëzit që falsifikojnë gjëra, as me bisedat private të personaliteteve publike, qoftë edhe në rastet kur dikush ua bën publike jetën private, nëse mund të jetë brenda kornizave të privacisë ajo që u dëgjua”, ka thënë më tej Krasniqi. 1 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Add new comment