Aksidenti tragjik ku humbën jetën babë e bir, Familja: Të kryhet riekspertim i ngjarjes.

Postuar në 04 Mars, 2014 03:55

Bujar dhe Sabian Brahja babë e bir humbën jetën në spital pak ditë pasi u aksidentuan nga një automjet në rrugën e re që po ndërtohet në Sauk të vjetër. Drejtuesi i mjetit që shkaktoi aksidentin tragjik është liruar nga prokuroria me detyrim paraqitje. Një vendim i tillë ka irrituar të afërmit e viktimave të cilët apelojnë që organet ligjzbatuese të dënojnë të gjithë shkaktarët e ngjarjes dhe të mos kompromentojnë ekspertimin.

“Ne kërkojmë nga drejtësia, nga prokurori Llalla dhe nga ministri i Brendshëm që ta shohin këtë problem se nuk është e lehtë. Dy njerëz nga një familje shumë e varfër. Lirimi i shoferit është një korrupsion i gjallë. Të bëhet një ekspertim i hollësishëm dhe të zbulohen shkaqet dhe mënyra si u vranë ata. Ne nuk kërkojmë të hakmerremi ndaj shoferit por kërkojmë drejëtsi nga shteti.”- shprehen familjarët.

Rruga në ndërtim e sipër ka mbetur pezull, pasi askush nuk punon ndërsa mungesa e ndriçimit, e sinjalistikës e cila nuk zbatohet nga automjetet të cilat futen në rrugë pa zbatuar as standardin minimal të Kodit Rrugor. Mungesa e trotuareve për kalimin e këmbësorëve pavarësisht, se në mes të segmentit ka një stacion autobusi, e bëjnë këtë rrugë shumë të rrezikshme për banorët e zonës.

Dy këmbësorë, përkatësisht 50 dhe 10 vjeç humbën jetën, ngjarja mund të mbyllet me dënim minimal nga drejtësia, por në rast se Enti Kombëtar i Rrugës si përgjegjës i drejtpërdrejtë për standardin e rrugëve nuk merr masa, me dhjetëra persona të tjerë rrezikojnë të vdesin, këtu ku ligjin e bën çdokush dhe për pasojat në njerëz nuk përgjigjet askush. 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.