Greqi, lëshohen 8 urdhërarreste për vdekjen e shqiptarit Ilia Kareli.

Postuar në 01 Prill, 2014 06:39

Prokurori i Amfissas Niko Antonarakis lëshoi sot 8 urdhërareste, lidhur me vdekjen nga dhuna e të dënuarit shqiptar Ilia Kareli.

8 urdhërarrestet janë lëshuar për zyrtarë të burgut të Nigritës, të cilët dyshohet të jenë përfshirë në dhunën ndaj të dënuarit.
Ata akuzohen për rrahje dhe torturë me pasojë vdekjen dhe dëmtime të rënda të qëllimshme.

Sipas shtypit grek, në hetime mbeten të përfshirë oficerët e burgut, të policisë, rojet dhe njerëzit që patën kontakt me të burgosurin në “rrugën” që nga burgu i Malandrinos, drejt gjykatës ku dëshmoi për vrasjen e gardianit dhe deri në qelinë e tij të fundit, në burgun e Nigritas. Hetimi është përqëndruar në datat 25-27 mars, që nga vrasja e gardianit e derisa Ilia u gjet i vdekur.

Thuhet se ka pak mundësi që torturat të jenë bërë në burgun e Malandrinos, pasi ka pamje që tregojnë se Ilia Kareli shkoi me këmbët e veta nga ky burg në gjykatë dhe më pas në burgun e Nigritës. Megjithatë po konsiderohen të dhënat se shqiptari është rrahur në vende të ndryshme dhe nga persona të ndryshëm.

Sipas gazetës “Kathimerini”, janë gjetur prova që implikojnë në rrahje edhe njerëzit e burgut të Nigritas, para se në qelinë e Karelit të vendoseshin kamera.

Ndërkaq drejtori i burgut të Nigritas, i cili nxitoi të deklaronte pas vdekjes së Karelit se kamerat tregojnë se Ilia nuk është dhunuar në këtë burg, ka thënë për gazetën “Ethnos” se “unë pashë pamjet filmike, por nëse ato fshirë, këto do t’i nxjerrë hetimi”.

Priten edhe rezultatet e ekzaminimeve toksikologjike dhe histologjike, të cilat kërkojnë më shume kohë dhe do të tregojnë nëse shenjat në duart e të ndjerit janë shkaktuar nga shkarkimi i energjisë elektrike dhe nëse zemra e tij u ndal edhe nga pasojat e elektroshokut.

Policia dhe prokuroria e konsiderojnë të nevojshme të sqarojnë plotësisht rastin, por me kujdes për të mos minuar më tej atmosferën tashmë të elektrizuar që mbizotëron në burgjet greke.

Shoqata greke e mbrojtjes së të drejtave të njeriut nëpërmjet një deklarate ka shprehur indinjatën për vdekjen e të dënuarit shqiptar në burg dhe ka deklaruar se dënon cdo lloj dhune të ushtruar nga punonjësit e policisë si dhe indiferencën e të tjerëve që kontribuuan në vdekjen e tij. “Asnjë krim nuk justifikon dhunën”, thuhet në deklaratën e shoqatës, e cila ka planifikuar një konferencë shtypi për këtë cështje.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.