Rrëzohet dekreti i presidentit për kthimin e ILDKP.

Mazhoranca rrëzoi dje dekretin e Nishanit për kthimin e ligjit për ILDKP-në. Në seancën e djeshme plenare, deputetët e opozitës akuzuan mazhorancën se po kërkon të kap institucionet e pavarura, duke ribërë të njëjtin debat të tri javëve më parë në Kuvend. Por kthimi i ligjit nga ana e Nishanit nëpërmjet një dekreti, solli edhe ironinë e socialistëve përsa i përket veprimit të kryeministrit. “Presidenti do të mbahet mend si personi që ka qarë më shumë. Shpresoj që arsyetimi që ka bërë në kthimin e ligji mos ta ketë shkruar këshilltari që e ka banim në Gjykatën Kushtetuese. Unë e kupton qëndrimin tuaj për shkak të dosjeve që kemi përgatitur.
Kreu i ILDKP ka mandat 5 vjeçar. Kështu në vitin 2019 atij i ka mbaruar mandati. Zgjedhjet e ardhshme janë në 2017, a do ti fitoni ju këto zgjedhje? Ju në subkoshiencën tuja e dini që do ti humbisni prandaj bëni liftë”,- theksoi deputeti socialist Armando Subashi.
Pas fjalës së tij erdhi edhe reagimi i demokratëve. Nëpërmjet deputetit Gent Strazimiri, PD theksoi se mazhoranca po kërkon që të kap institucionet e pavarura, por duke hedhur doza të forta ironie për Subashin. “Në vend të Kushtetutës flet Armando dhe thotë broçkulla. Sikur kushtetuta në vitin 1998 kishte një shkop magjik dhe e dinte që në vitin 2004 do të krijohej një institucion”,- tha Strazimiri.
Topalli-Hysi
Çështja e ILDKP-së u nxeh edhe më shumë në momentin ku fjalën e mori deputetja e PD-së Jozefina Topalli. Me një ton ironik ndaj qeverisë, ajo theksoi se sa herë bëhet fjalë për kontrollin e parave, kabineti qeveritar largohet ngas salla e Kuvendit. “Është e çuditshme se sa herë flasim për para kjo sallë është bosh. Sot kjo mazhorancë ka parat dhe ka pushtet. Kur merr gjithë këtë pushtet kalon në overdozë dhe pëson një morfozë. Është paraja që ju vjen nga droga që ju pasuron kaq shumë”,- theksoi Topalli.
Pas fjalës së ish-kryeparlamentares, deputetja Vasilika Hysi i bëri një propozim demokratëve. Në fjalën e saj ajo kërkoi që të gjithë deputetët e Kuvendit së bashku me kabinetin qeveritar të miratojnë një ligj që të bëjnë në mënyrë të menjëhershme deklarimin e pasurisë së tyre. “Ejani të miratojmë një ligj që të deklarojmë të gjithë pasurit tona. Zonja Topalli ejani dhe ta bëjmë ligjin që të mos blejmë pasgjë me para cash por vetëm me llogari bankare”,- thekoi Hysi, por Topalli nuk e pranoi këtë gjë duke shtuar se e kanë bërë deklarimin e pasurisë.
Add new comment