Pranga pedagogut të Anglishtes merrte 10 000 lekë për provim

Skuadra e antikrimit financiar e policisë së Tiranës ka arrestuar për korrupsion profesorin e anglishtes në Universitetin Bujqësor në Kamëz, Alfred Çaushi.
Pedagogu 39-vjeçar, sipas policisë është arrestuar teksa merrte nga 10 mijë lekë të reja për provimin e gjuhës së huaj nga studentët e vitit të dytë.
Çaushi është shoqëruar në ambientet e sigurisë së lartë të izolimit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës ku është arrestuar dhe i është komunikuar akuza e korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Sipas policisë ka patur disa sinjalizime dhe kallëzime nga vetë nxënësit për shumat e parave që u merrte pedagogu, si indicie për nisjen e hetimeve për të.
Në momentin e arrestimit në flagrancë, pedagogut Çaushi i janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një shumë parash që dyshohet se janë përfituar në mënyrë të paligjshme.
Në deklaratën e policisë thuhet se “Në kuadër të një procedimi penal me metoda proaktive, arritën në finalizimin e operacionit të koduar “Profesori”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin Alfred Çaushi, 39 vjec, lindur në Gjirokastër e banues në Tiranë, me detyrë Pedagog pranë Universitetit Bujqësor Tiranë.”
Materialet procedurale ju kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit Alfred Çaushi, për veprën penale të “Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Nëse akuzat e policisë do të provohen, atëherë Pedagogu Alfred Çaushi sipa kodit penal rrezikon dënimin me burg nga dy deri në tetë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në tre milionë lekë.
Add new comment