KLSH kallëzim penal për tre ish-zyrtarë të Hipotekës në Durrës.

Postuar në 04 Dhjetor, 2014 09:58

Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzon në Prokurori ish-regjistruesin dhe 2 specialistë të Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, në Durrës. Sipas njoftimit zyrtar, KLSH në zbatim të programit të auditimit ka audituar Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme Durrës, për periudhën nga janar 2012- korrik 2014.

Nga auditimi u konstatuan një sërë shkeljesh, të metash e mangësish, lidhur me zbatimin e procedurave ligjore në pranimin, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për regjistrimin e pasurive të paluajtshme, duke sjellë për pasojë përfitime pasurore të pamerituara, veprime në kundërshtim me ligjin.

Mbi bazën e shkeljeve të mësipërme dhe të tjera, KLSH ka kryer kallëzim penal për shpërdorim detyre, duke i përcjellë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës të gjitha provat dhe dokumentet përkatëse, për ish Regjistruesin B.L. të ZVRPP Durrës dhe për Specialistët D.Q., me detyrë jurist dhe K.GJ., me detyrë hartografe, të cilët në mospërmbushje të detyrës së tyre funksionale dhe në shkelje të dispozitave ligjore, kanë konsumuar elementët e veprës penale të "Shpërdorimit të detyrës", të parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Në vijim, KLSH i ka kërkuar Kryeregjistruesit të Zyrës Qendrore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore "Zgjidhje e kontratës së punës" për 2 specialistët e mësipërm të ZVRPP Durrës.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.