Berisha: Spekulantët flasin për Shqipërinë e Madhe
Ata që duan bashkimin e trojeve shqiptare janë spekulantë. Deklarata i përket kryeministrit Sali Berisha gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike. Me tone të ashpra, Berisha ka deklaruar se përçuesit e kësaj ideje, duhet të kenë parasysh se shërbimi më i mirë që mund t’i bëhet kombit është integrimi në Bashkimin Europian. “Ata që paraqesin pas 20 vitesh idenë e bashkimit, duhet të kenë parasysh se interesi më i mirë i shqiptarëve është Europa e Bashkuar. Toka është e përjetshme, njerëzit janë udhëtarë. Integrimi i tyre në BE është, përveç të tjerash, edhe mënyra e sigurt e ndërprerjes përfundimtare të vjedhjes, grabitjes së trojeve shqiptare”, tha Berisha. Në mënyrë direkte, kreu i qeverisë, ka komentuar edhe personat që kanë hedhur këtë ide. Ai ka deklaruar se ata janë spekulantë dhe kanë mungesë identiteti shqiptar. Sipas tij, koha kërkon që politikanët dhe njerëzit të mendojnë në një mënyrë më të gjerë. “U ndala në këtë moment, sepse spekulantë, njerëz të cilët janë absolutisht me mungesë totale identiteti shqiptar, duhet të mendojnë në një kontekst më të gjerë, interesi kombëtar evoluon, interesi kombëtar ka dinamizmin e tij. Ne nuk imponohemi, ecim drejt standardeve. Europa është transparente”, tha Berisha. Është e dyta herë, pas një deklarate në një takim me grupin paralamentar demokrat që kryeministri sulmon ata që flasin për Shqipërinë e madhe. Komentet e kreu të mazhorancës kanë ardhur pas deklaratave të lëvizjes “Aleanca Kuq e Zi”, e cila shihet si paradhoma politike e presidentit Topi.
Add new comment