Ish-ambasadori Withers: Miqtë amerikanë janë për një president konsensual

Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, John L. Withers II, në një intervistë ekskluzive për Zërin e Amerikës foli për ngjarjet e rënda të ndodhura në 4 vjetët e fundit në Shqipëri, por nuk mbeti pa u shprehur edhe për të ardhmen e afërt. Konkretisht, për zgjedhjen e Presidentit të Republikës ai tha: “Parimi që duhet aspiruar është ‘A janë udhëheqësit vërtet të angazhuar ndaj demokracisë? A është ajo pjesë integrale e tyre?’ Një provë e kësaj do të jetë votimi për presidentin. Sipas Kushtetutës, kjo mund të bëhet me një shumicë të thjeshtë. Por me shpirtin e demokracisë, një udhëheqës nuk do të fshihej pas anës ligjore, por do të ishte i pari që të dilte dhe të thoshte se në një kohë kur Bashkimi Evropian dhe miqtë tanë amerikanë janë aq të shqetësuar për ndasitë e thella politike, unë do të jem i pari që të këmbëngul për një president konsensual. Kjo do të ishte udhëheqësi!”.
Edhe pse në pension, ish-amabasadori Withers, i tha këto fjalë në një television që financohet 100% nga qeveria federale amerikane dhe që është në vartësinë e tërthortë të Departamentit të Shtetit. Dhe për të theksuar se thelbi i deklaratës së tij përputhet me politikën e qeverisë amerikane ndaj Shqipërisë, Withers tha: “Ambasadorja Ries, që ishte para meje, një ambasadore e mrekullueshme, kishte mënyrë të ndryshme të shprehuri nga unë dhe ambasador Arvizu, që po bën një punë të mrekullueshme, që është një ambasador shumë i mirë, toni i tij, mënyra e tij të shprehurit është shumë e ndryshme nga e imja dhe ai që do të vijë pas tij do të jetë ndryshe, por pika themelore është kjo: nëse ambasadorët Ries dhe Arvizu do të ishin këtu pranë meje tani, ne do të ishim absolutisht në një zë për mbrojtjen e parimeve demokratike dhe sjelljes demokratike në Shqipëri. Nuk do të kishte asnjë mospërputhje në këtë drejtim. Pra, cilado qoftë mënyra jonë e të shprehurit, politika [e shtetit amerikan] është njëlloj dhe nuk ka ndryshuar.”
E.Zaloshnja
Add new comment