Fondet publike, 20 milionë euro për një spital që kurrë nuk do të ndërtohet

“La Repubblica”, në një dossier për shpenzimet publike, përmend humbje marramendëse të parave të taksapaguesve, ku Italia del si një shtet që nuk di se si i shpenzon burimet e saj, përmend edhe një fakt interesant, që ka të bëjë me një investim në Shqipëri. Në humbjet rreth 60 miliardë dollarë dhe dhjetë rastet pikante të konstatimit të pagesës prej Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë që paguan 20 milionë euro për një spital në Shqipëri, që kurrë nuk do të ndërtohet. Ky rast përmendet si një prej 10 më pikanteve të shpërdorimit të fondeve publike.
Në shkrimin “Dhjetë milionë në Shqipëri, në spitalin që kurrë s’përfundoi”, thuhet se një tjetër shpenzim i përmasave kolosale cituar nga Gjykata e Llogarive të Lacios është ai prej 20 milionë eurosh të akorduara nga Ministria e Punëve të Jashtme për ndërtimin e spitalit “Zoja e Këshillit të Mirë” në Tiranë, Shqipëri. Spitali nuk ka përfunduar dhe nga 20 milionë të dhëna prej Ministrisë së Punëve të Jashtme, 10 humbën para projekti u tërhoq, për shkak të pamundësisë për t’u përfunduar.
Këtë aferë të rëndë e ka denoncuar edhe programi “Hapur” i gazetarit Ilir Yzeiri, që ka realizuar dy reportazhe investigative me titullin “Përse nuk u mbajt amaneti i Nënë Terezës”. Në ato reportazhe është treguar me dokumente se qeveria shqiptare vuri në dispozicion të Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë” 100 mijë metra katrorë tokë prapa pallatit të sportit “Asllan Rusi”, aty ku do të ndërtohej dikur spitali nga Konti Ferra. Qeveria shqiptare, duke shfrytëzuar një VKM që lejon shitjen apo dhënien në përdorim të tokës për nevoja të interesit publik në fushën e shëndetësisë e të arsimit, ia shiti këtij fondacioni këtë sipërfaqe toke përmes 0.01 lekë m2. Pra 100 mijë metra katrorë tokë janë shitur me 1000 euro. Këtë ngjarje e ka denoncuar i pari gazetari Ilir Yzeiri që në vitin 2010. Mirëpo asgjë nuk ka ndodhur. Në vend të saj, Fondacioni “Zoja e Këshillit të Mirë” ka paditur në gjykatë dhe kërkon dëmshpërblim deri në 100 milionë lekë, sepse, sipas tyre, ky investigim u ka prishur imazhin. Përveç gazetarit Ilir Yzeiri është paditur edhe drejtori i programit “Hapur”, gazetari Andrea Stefani. Publikimi i këtij lajmi në gazetën “La Repubblica” nuk lë më asnjë lloj dyshimi për abuzimin kolosal dhe shpërdorimin gjithashtu me fondet publike italiane nga ana e Fondacionit “Zoja e Këshillit të Mirë”. Ky fondacion, jo vetëm që nuk e ndërtoi spitalin dhe nuk e mbajti amanetin e Nënë Terezës, por nuk ka dhënë ende asnjë shpjegim se ku i çoi këto fonde dhe shumë fonde të tjera që iu dhanë për ndërtimin e spitalit. Dhe e fundit, përse qeveria shqiptare nuk ia merr tokën që ia dha me një çmim qesharak për të ndërtuar spitalin. Mbi atë tokë është ndërtuar një universitet privat, që ka veç të tjerash qëllim fitimi dhe jo bamirësie.
Në reportazh shkruhej se në vitin 2010, në kuadër të programit investigativ “Hapur”, që financohej nga IREX (Uashington-Paris), gazetari kishte realizuar dy reportazhe, ku tregohej me fakte se në vitin 1992 Nënë Tereza kishte shfaqur dëshirën që të ngrihej një spital me emrin e saj. Ky spital do të ishte në ndihmë të shtresave në nevojë dhe me shumë shërbime. Ashtu u bë. U nënshkrua një marrëveshje mes qeverisë shqiptare që u firmos nga Tritan Shehu, në atë kohë ministër i Shëndetësisë dhe nga Imzot Rrok Mirdita, përfaqësues i Kishës Katolike. Qeveria shqiptare e ndërpreu projektin e nisur nga Konti Ferra dhe, pasi i ktheu atij shpenzimet e kryera deri në atë kohë, ia mori ndërtesën që kishte filluar të ndërtonte si spital prapa Pallatit të Sportit në Tiranë dhe e vuri në dispozicion të ndërtimit të spitalit që do të mbante emrin e Nënë Terezës. Marrëveshja u bë ligj prej Parlamentit shqiptar dhe u dekretua nga ish-presidenti Meidani. Qeveria shqiptare i dha gjithashtu 100 mijë metra katrorë tokë fondacionit që do të ndërtonte spitalin. Kisha Katolike në Tiranë ngarkoi Fondacionin “Zoja e Këshillit të Mirë” për ndërtimin e spitalit. Fondacioni ia ngarkoi më tej kongregacionit “Bijtë e Zojës së Papërlyeme” këtë mision. Ndërkohë, sidomos pas Lumturimit që i bëri Papa Gjon Pali II Nënë Terezës, në vitin 2003, fill pas kësaj ngjarjeje nisi një fushatë e madhe në Itali e në Shqipëri për të mbledhur fonde për realizimin e amanetit të Nënë Terezës. Të gjithë e kujtojnë koncertin e Ana Oksës në shoqërinë e ish-presidentit Meidani në ambientet e truallit ku do të ndërtohej spitali dhe lidhjet direkte me Romën. Po ashtu, Kooperacioni Italian i Zhvillimit dhuroi rreth 20 milionë euro.
Marrë nga Shqip
Comments
o zot o zot ca skandali.mjere
<p>o zot o zot ca skandali.mjere neve ku jetojme.</p>
Add new comment