Francë, ligj penal për ata që diskriminojnë të varfërit. Ç’mund të themi për në Shqipëri?

Postuar në 02 Gusht, 2015 20:13

Frances Ryan shkruan në “The Guardian” për një nismë ligjore në Francë, e cila synon të inkuadrojë si vepër penale diskriminimin e të varfërve. Ligji ka kaluar në senat deri më tani dhe shumë shpejt pritet që edhe dhoma e deputetëve ta kalojë. “Ligje të tilla që ndalojnë diskriminimin për shkak të origjinës shoqërore dhe ekonomike ekzistojnë tashmë në Belgjikë dhe Bolivi, por versioni francez thuhet se është më ekstrem. Cilido që shpallet fajtor për diskriminim të atyre që vuajnë nga “dobësia si pasojë e një gjendjeje ekonomike të dukshme ose të njohur” do të dënohet me maksimumi tre vjet burg dhe një gjobë 45 000 euro”, shkruan Ryan(http://www.postbllok.com/franca-kerkon-te-ndaloje-me-ligj-diskriminimin-...). Hapi i Francës ngjan në pamje të parë qesharak, meqenëse “pabarazia ekonomike nuk mund të jetojë pa paragjykimin”, por ky është një problem që po fiton terren kudo. “A është diskriminimi i njerëzve të varfër apo mënyra si qeveria reagon ndaj tij, ky nuk është një problem vetëm për vendet e tjera. “Njerëzit mendojnë se për shkak se ne jemi të varfër, jemi patjetër budallenj,” i tha Le Nouvel Observateur Oréane Chapelle, një e papunë 31 vjeçare nga Nanta, në Francën lindore. Adobati, 58, fqinja e saj, që është një nënë e vetme me pesë fëmijë dhe papunë, tha: “Nuk i shoh dot punonjësit e shërbimit social që më thonë se do më mësojnë sesi të mbaj një buxhet javor.” Një studim i raportuar nga The Times zbuloi se 9 përqind e mjekëve familjarë, 32 përqind e dentistëve dhe 33 përqind okulistëve në Paris nuk pranojnë të mjekojnë personat me përkrahje sociale që nuk kishin siguracion shëndetësor. Doktorët thonë se “nuk kanë qejf t’i pranojnë pacientë të tillë nga frika se mos nuk paguhen”, vijon autorja. Pas Europës së mirëqenies dhe mbrojtjes sociale ngre krye pra ky problem që mund të fermentojë një lloj segregimi të padukshëm. Nuk dihet nëse zgjidhja që ofron Franca është e duhura, por ajo po synon që ta kthejë varfërinë e shumëkujt në përgjegjësi të gjithkujt. Në fund kemi të bëjmë me një normim etik, që është kaq larg nesh këtu në Shqipëri. Diskriminimi i të varfrëve në Shqipëri është kudo: madje i shtrirë ngado. Që nga drejtësia, në shkollim, punësim, qeverisje. Por ajo është edhe në shfaqjen e herëpashershme të brigantëve politikë që qeverisin, me darka e dreka, mbrëmje e shpenzime luksi, që janë poshtërues për një shoqëri në fundin e vet. Të gjitha këto nga një “elitë” sahanësh që u edukua të miklojë veten si të denjë për të mirat e Perëndimit, shpesh edhe si pjesë e tij, por pa u shtyrë thellë, në rregullatorët e sistemit që ekziston duke u kujdesur për ekuilibrin social.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.