Spahiu: SHBA e çliroi Kosovën nga ushtria serbe, Berisha e mban nën vargojtë e energjisë serbe

Neve të site-it respublica.al na ka bërë përshtypje fakti që Aleanca Kuqezi nuk është ndjerë shumë për skandalin e bllokimit të linjës së interkonjeksionit Kosovë-Shqipëri, ndërkohë që kjo lëvizje/parti ka si objektiv madhor të saj bashkimin eventual të Kosovës me Shqipërinë. Prandaj dhe kontaktuam drejtpërdrejt Kreshnik Spahiun, Kryetarin e Aleancës Kuqezi, për të marrë një prononcim në lidhje me këtë skandal. Ai na tha se partia e tij, në fakt, e ka bërë një deklaratë shtypi në datën 17 prill, në të cilën ka theksuar se “pengimi i realizimit të linjës së transmetimit të energjisë Shqipëri –Kosovë me kapacitet 400 kV provon qartë se kryeministri i Shqipërisë është antikombëtar dhe i shitur te qarqet antikombëtare”. Spahiu shprehu keqardhjen që deklaratës së tyre nuk i është bërë pasqyrim në media sa ç’duhet dhe shtoi se Aleancës Kuqezi po i bllokohet aksesi mediatik.
Gjithashtu, Spahiu na tha se Aleanca Kuqezi, në bashkëpunim me mediat në Tiranë e Prishtinë që po investigojnë rreth skandalit të linjës së interkonjeksionit, po mbledh fakte dhe prova të mëtejshme rreth tij. Së shpejti, tha ai, do të ketë publikime të reja që do të nxjerrin në pah skandale tragjike për interesat kombëtare. Për momentin, tha Spahiu, dua t’i kujtoj kryeministrit të Shqipërisë në prag të vizitës së tij në Uashington se “SHBA e çliroi Kosovën nga ushtria serbe, ndërsa Berisha po e mban nën vargojtë e energjisë serbe”
E.Zaloshnja
Add new comment