Janina, aty ku u takua Natyra Shqiptare me përçmimin intelektual bizantin

Postuar në 18 Shtator, 2022 18:14

Pasazhi në fjalë është shkëputur nga një ese me natyrë kronologjike dhe analitike e kërkuesit të universitetit të Heidelberg, Brendan Osswald me titull: Përbërja etnike e Epirit MesjetarMe Epir duhet të kuptojmë Epirin e Vjetër dhe pasazhi trajton emigraconin më të rëndësishëm, atë shqiptar.

Përkundrejt trajtimit nga historiografia shqiptare që kërkon autoktoni, rrënjë e degë në një rajon të përfshirë në influkse popullsish, eseja e shkurtër, e merr emigracionin shqiptar si pjesë përcaktuese të ekuacionit politik dhe mandej historik të Epirit të asaj kohe; një rajon ku ata kërkuan asgjë më shumë sesa  bizantinizimin. Del në këtë ese stigma ndaj tyre, epitetet e vëna, të cilat jehojnë edhe sot për ne si popull, del ai imazh i asociuar kaq fort me dhunën, vrazhdësinë, temperamentin e keq. Del Natyra Shqiptare, një konstante historike në psikologjinë e fqinjve ndaj Nesh. 

***

Imigracioni shqiptar në Epir(shekujt 14-15)

Shqiptarët shfaqen në burime në shekullin e 11-të, por kjo nuk do të thotë se ata ishin të ardhur në Ballkan përderisa ata mund të jenë trashëgimtarë të ilirëve antikë. Në çdo rast, ndonëse territori i tyre i origjinës ende nuk njihet me saktësi, ne mund të jemi të sigurtë se kishte një popullsi të madhe shqiptare në Epir: baza e tyre kryesore në shekujt e 11-të dhe 12-të ishte territori i vogël i Arbanonit, mes lumenjve Devoll dhe Shkumbin. Megjithë rritjen e ndikimit katolik në veri, shqiptarët e Epirus Nova ishin ortodoksë dhe tërësisht të integruar në Perandorinë Bizantine të para vitit 1204. Administrata bizantine ishte e pranishme në Durrës, kryeqyteti i Shqipërisë Bizantine. Principata e Arbrit(Arbanon) ishte autonome, por besnike ndaj Perandorisë Bizantine. Bizanti dhe shqiptarët në fakt kishin interesa të përbashkëta në këtë kohë: ata kërcënoheshin njësoj nga ekspansioni i latinëve në Perëndim dhe i Perandorisë së Dytë Bullgare në Lindje. Shqiptarët përfitonin po ashtu nga tregtia e rrugës Egnatia, e cila u sillte atyre pasuri dhe përfitime nga një qytetërim më i zhvilluar, si ai Bizantin.

Kështu që pas vitit 1204, shqiptarët ndoqën natyrshëm pasuesin e Perandorisë Bizantine që ishte shteti grek i Epirit. Aleatë besnikë, ata ndihmuan grekët të marrin sërish Durrësin nga latinët dhe më pas të kapin Perandorin latin të Konstandinopojës, Henri i Kurtëne, që ndodhej në territorin e Arbanonin. Në vitin 1252, Princi Golem iu nënshtrua perandorisë së Nikesë, por kjo nuk zgjati pasi më 1257/1258, shqiptarët u rebeluan sërish dhe u ribashkuan me Mihalin II, sundues i Epirit. Në të njëjtën periudhë, italianët e Napolit morën zonën bregdetare nga Durrësi në Vlorë dhe nisën kolonizimin e Shqipërisë. Ky ishte përfundimi i përkohshëm i kontakteve mes shqiptarëve dhe grekëve në Epir. Nuk ka ndonjë evidencë se shqiptarët lëvizën drejt jugut në Epir në këtë periudhë.

Për arsye të ndryshme, disa elementë të popullsisë shqiptare, që ndoshta fillimisht ishte sedentare, nisën, në fund të shekullit të 13-të dhe fillim të shekullit të 14-të, të emigrojnë. Një arsye ishin luftërat e vazhdueshme në rajon, që vinin për shkak të pozicionit të tyre strategjik, mes epirotëve, bizantinëve, anzhuinëve, serbëve, venecianëve dhe në fund turqve, luftëra që zgjatën përgjatë 3 shekujve të fundit të Mesjetës.

Një arsye tjetër ishte shfrytëzimi kolonial i Shqipërisë nga anzhuinët dhe më pas venecianët, që shtyu zotërit shqiptarë të marrin tokën fshtarësisë së vet: për pasojë ata emigruan drejt Jugut në Greqi, por edhe në Dalmaci dhe Itali. Hierarkia katolike luajti po ashtu një rol, duke u përpjekur të konvertojë ortodoksët në ritin latin duke nxitur kështu një pjesë që të ikin.

Një tjetër arsye është roli ushtarak i shqiptarëve në të gjitha ushtritë e gadishullit që u lejoi atyre të përhapen në Ballkan, të marrin toka nga punëdhënësit e vet dhe më në fund të sundojnë vetë territoret që kishin pushtuar për llogari të të tjerëve.

Një arsye e fundit është Vdekja e Zezë e 1347-ës dhe kriza e përgjithshme demografike e shekullit të 14-të në Greqi, e cila la toka bosh për shqiptarët, që ishin më pak të prekur sesa popullsitë e tjera pasi jetonin në malësi, ndërkohë që epidemia preku kryesisht zonat bregdetare.

Shqiptarët arritën në Epir nga veriu, por gjithashtu edhe nga Thesalia, ku disa klane ishin vendosur në dekadën e parë të shekullit të 14-të, ndoshta të punësuar nga bizantinët në luftën e tyre kundër Kompanisë Katalane. Në vitin 1334, klanet e Malakasei, Bua dhe Mesaritei, raportoheshin se gjendeshin në Thesali. Është interesante të vihet në dukje se këto tre klane do të ishin më vonë të pranishme në Epir. Në vitin 1337, shqiptarët e Epirus Nova pushtuan zonën e Beratit dhe u shfaqën për herë të parë në Epir, duke kapur fortesat e Skreparios, Timoros dhe Klisurës(Skraparit, Tomorricës dhe Këlcyrës).  Por mercenarët turq të ushtrisë bizantine i mposhtën ata duke i detyruar të tërhiqen. Gjatë së njëjtës fushatë, ushtria bizantine nënshtroi po ashtu shtetin separatist të Epirit, që u bë atëherë, për një farë kohe, pjesë e Perandorisë Bizantine.

Në vitin 1341, nisi lufta civile bizantine dhe kësaj radhe një pushtim i ri nga shqiptarët pati sukses në kapjen e Pogonianit dhe Livisdas. Thuajse në të njëjtën kohë, në vitin 1342, guvernatori bizantin i Thesalisë pushtoi Epirin e Jugut për t'i dhënë fund revoltës së Artës. Ai ndoshta punësoi shqiptarët e Thesalisë që ishin stacionuar në zonën e Fanarit, afër me kufirin e Epirit dhe që ishin aleatë të tij. Kjo është arsyeja pse dekada pasuese i gjeti shqiptarët të vendosur në veri dhe jug, me qytetin e Janinës ende të lirë nga dominimi shqiptar, por të ekspozuar ndaj sulmeve të tyre nga të dy krahët.

Përderisa Kronika e Janinës nuk përmend ndonjë influks shqiptarësh pas vdekjes së Stefan Dushanit, atëherë ky imigracion kapi kulmin mes viteve 1341-1355 që përkon me pushtimin e kralit serb. Por ndonëse serbët kishin mobilizuar mercenarë shqiptarë duke u dhënë atyre tituj, prona dhe privilegje, migrimi shqiptar kishte nisur gjysmë shekulli më parë dhe disa shqiptarë ishin tashmë në Epir përpara pushtimit serb, ndërkohë që pushtuesit vendosën aty të tjerë vasalë shqiptarë, të inkorporuar në ushtrinë e tyre pas marrjes së Shqipërisë. Përmasat e secilës kategori janë për fat të keq të pamundshme për t’u përcaktuar. Si rrjedhojë, migrimet shqiptare nuk janë pasojë e pushtimeve serbe: të dyja dukuritë, sigurisht të lidhura mes tyre, janë pasojë e dobësisë greke, në fushën ushtarake, politike dhe demografike, një dobësi që shpjegohet kryessiht me arsye të brendshme, kryesisht me luftën e dytë civile bizantine të 1341-1347 dhe Vdekjen e Zezë.

Pas vdekjes së Kral Dushanit më 1355, Niqifori II, djali i Despotit të fundit të Epirit, mori pushtetin në Thesali dhe Epir dhe luftoi kundër shqiptarëve, duke u përpjekur t’i dëbojë ata nga Epiri. Por ai u mund dhe u vra prej tyre më 1359-ën në betejën e Akeloit. Simeoni, trashëgimtar i Dushanit, mori sërish Thesalinë dhe Epirin. Por qeverisja e Thesalisë ishte punë e vështirë për të dhe siç thuhet në Kronikën e Janinës, ai ia la Epirin shqiptarëve. Në fillim të viteve 1360, Epiri ishte ndarë në të vërtetë mes klaneve shqiptare: klani i Pjetër Loshës mbante Artën, klani i Muriq Bua Shpatës mbante Etoloakarnaninë me Angjelokastrën si qendër dhe liderët e tyre mbanin titullin e Despotit dhënë nga Simeoni. Vetëm qyteti i Janinës qeverisej ende nga grekët. Në veri dhe perëndim të qytetit, klanet e Malaksëve dhe Mazrekëve mbanin një territor që nuk mund të përkufizohet saktë. Klani i Zenebishëve mbante veriperëndimin e Janinës, përfshirë Drinopolin, Belën dhe Vagenetinë. Janina ishte i vetmi qytet që nuk ra nën dominimin shqiptar.

Kjo rezistencë nga Janina duhet vënë në kontekst specifik, i cili ishte, siç është deklaruar më lart, se ajo ishte qendra e ideologjisë imperiale bizantine. Është për këtë arsye, ishte logjike që qyteti të bënte çdo përpjekje për t’i shpëtuar kthetrave të popullisë së supozuar barbare shqiptare. Me synimin specifik të rezistencës, ata i ofruan pushtetin, njëri pas tjetrit, tre despotëve të huaj: Thomas Preljubović (1367-1384), Esaü Bondelmonti (1385-1411) dhe Carlo Tocco (1411-1429), të cilët që të gjithë përdorën aleancën me otomanët për të mbrojtur qytetin.

Despoti i parë adoptoi një sjellje realisht të ashpër ndaj shqiptarëve që e sulmonin qytetin çdo vit. Ai donte të quhej “Ἀλβανιτοκτόνος” – vrasësi i shqiptarëve dhe i torturonte të burgosurit shqiptarë në mënyrë që të terrorizonte armiqtë e tij.

Më pas, Esaü Bondelmonti, ndonëse i mundur dy herë nga shqiptarët, në përgjithësi ia doli të shmangte luftën me ta edhe duke bërë aleancë më ta më 1410 kundër nipit të vet, Carlo Tocco, konti italian i Qefalonisë. Më në fund, ky i fundi i dha fund sundimit të liderëve të klaneve shqiptare në Epir. Gjatë dekadës së parë të shekullit të 15-të, ai arriti të merrte territoret shqiptare të Etoli-Akarnanisë. Në vitin 1411 ai u zgjodh Despot i Janinës duke kapur Artën më 1416 ndërkohë që Zenebishët ishin mposhtur nga otomanët.

Ky kolaps i shqiptarëve në Epir i çoi disa prej tyre në të kërkonin një territor tjetër, kryesisht në ishullin venecian të Korfuzit apo në Peleoponez, ku disa prej tyre u vendosën nga Carlo Tocco në territoret e tij në Elidë. Të tjerë migruan në Despotatin grek të Mistrës apo territoret veneciane të Koronit dhe Modonit. P.sh pas rënies së Gjirokastrës(Argyrokastron) kreu i klanit Zenebishi iku në Korfuz, disa prej njerëzve të tij qëndruan dhe të tjerë ik në Peleoponez. Një tjetër rast interesant është fati i klanit Bua, që është shumë mirë i njohur dhe ndoshta përfaqësues i migrimeve shqiptare. Të konfirmuar në Thesali më 1334, ata sunduan Etoloakarnaninë dhe rajonin e Artës nga vitet 1360 deri më 1416. Më pas ata hasen më 1423 në territoret veneciane në Peleoponezit. Venecianët i vendosën ata më 1473 në Zakynthos dhe pas pushtimit të ishullit nga turqit më 1479 ata u vendosën në Itali.

Në çdo rast, emigracionet nga Epiri pas pushtimeve të Carlo Toccos, nuk ishin siç është thënë ndonjëherë, produkt i një dëbimi masiv të shqiptarëve nga Tocco, por u ndikuan nga joshja prej territoreve thuajse bosh të Peleoponoezit e barinjve shqiptarë, të drejtuar nga krerë që kërkuan gjetiu mundësitë që ishin zhbërë në Epir. Carlo Tocco, kur arriti nënshtrimin e klaneve shqiptare, nuk kishte pse t’i dëbonte. Ushtria e tij, që nga fillimi i pushtimeve, përbëhej kryesisht nga shqiptarë. Kështu ishte edhe ushtria e Janinës përpara se ai të sundonte qytetin. Disa prej tyre e kishin ndihmuar gjatë pushtimit dhe ishin shpërblyer me toka me qira. Dhe nëse gjejmë gjurmë të vendosjes së shqiptarëve në Peleoponez nga Carlo, kjo nuk ishte pse ai donte t’i detyronte ata të linin Epirin, por sepse ai kishte nevojë për ata si ushtarë në Peleoponez.

Në të vërtetë, shumë shqiptarë qëndruan në Epir dhe kjo provohet nga fakti se Panegjiriku Anonim i Perandorëve Manuel dhe Johan VIII Paleologu thotë se rreth vitit 1428, shqiptarët zinin ende pjesët e brendshme të Epirit, ndërkohë që grekët kontrollonin vetëm bregun dhe dy qytetet e Artës dhe Janinës. Pohimet e Panegjirikut të shkruara larg Epirit, duhen marrë me kujdes, por ato me siguri që tregojnë realitetin e ngulimeve tokësore aty. Imigrimi shqiptar i shekullit të 14-të ishte shumë më i rëndësishëm sesa ai serb apo italian. Në të vërtetë, ne dimë se klani Bua, i pranishëm në Peleoponez më 1423, numëronte rreth 1000 – 2000 njerëz. Për fat të keq, është e pamundur të dihet sa prej tyre lanë Epirin për Peleoponezin dhe sesa qëndruan. Është po ashtu e pamundur të dihet madhësia e klaneve të tjera; por ne mund të jemi të sigurtë se disa mijëra shqiptarë ishin vendosur në Epir përpara periudhës turke. Prania e tyre ishte masive, siç thonë burimet tona, dhe asimilimi i tyre ishte problematik siç tregohet, si nga mbijetesa gjatë shekujve e gjuhës shqipe, edhe nga përshkrimet apo rrëfimet e burimeve.

Këto të fundit, në të vërtetë, përshkruajnë gjerësisht hendekun kulturor mes dy popullsive. Organizimi social i shqiptarëve ishte ende arkaik, bazuar mbi Katundin, një përzierje e 50-100 familjeve. Klani formohej mbi disa Katunde, katër në rastin e Buas në Peleoponez më 1423. Ata ishin gjysmë nomadë, barinj dhe ushtarë, d.m.th agresorë, aty ku grekët ishin sedentarë dhe kishin një sistem politik dhe ekonomik të bazuar mbi qytetin. Ata nuk flisnin gjuhën greke dhe kështu nuk e ndanin me grekët as edhe trashëgiminë prestigjioze kulturore bizantine. Kjo dikotomi mes grekëve dhe shqiptarëve është shumë e dukshme në burimet si Panegjiriku Anonim i Perandorëve Manuel dhe Johan VIII Paleologu që përshkruan qartë qytetet e Artës dhe Janinës që populloheshin nga grekët ndërkohë që shqiptarët zinin pjesën tjetër të Epirit. Ajo shpjegon po ashtu se këta të fundit kishin një mënyrë barbare ekzistence:

Ky popull është në fakt nomad, ka një jetë të ashpër dhe është i privuar nga qytetet, fortesat, fshatrat, arat, vreshtat dhe ka vetëm malet dhe fushat

Autori i Kronikës së Tocco-s, ndoshta një grek nga Janina, e thekson po ashtu këtë hendek:

Ata mendonin se në Janinë kishte shqiptarë

Rritës derrash të sojit të tyre dhe se ata do t’u nënshtroheshin atyre

Por aty kishte arkhondë Romanë dhe ushtarë kurajozë.

Kronika i shumëfishon komentet përçmuese rreth zakoneve shqiptare dhe shqiptarëve në përgjithësi, duke përmendur vazhdimisht injorancën e tyre(nënvizuar me fjalë si  ἀμάθητοι, “ata që nuk nxënë”, ἀπαιδευσία, “mungesë arsimi”, ἀγνωσία, “të paditur”, χονδρότητα, “të vrazhdë”, παχύτητα, “të pagdhendur”) dhe gjuhën e tyre vulgare, mungesën e moralit (nënvizuar nga fjalë si λείξευροι, “lakmitarë”, σκληροί, “mizorë”, κακόγνωμοι, “me temperament të keq”, ἐπίορκοι, “dëshmitarë të rremë”, κλέπται, “hajdutë”), të gjitha këto karakteristika që supozoheshin si ishin pasojë e “natyrës së tyre shqiptare”.

Të njëjtat burime japin përshkrime më pozitive për disa shqiptarë, apo të paktën nuk përdorin terma kaq pezhorativë. Ky është rasti kur ata janë aleatë me Carlo Toccon, por gjithashtu p.sh, për Gjin Bua Shpatën, despot i Artës që shpesh bëri luftë kundër Janinës dhe Carlo Toccos. Këto përshkrime nuk përgënjeshtrojnë megjithatë faktin, se në pjesën më të madhe, Kronika shpall një armiqësi të ngulitur mes dy popullsive. Kronika e Janinës, ndonëse më pak agresive, flet për δυστροπία [irritimin] dhe κακογνωμία [temperamentin e keq] të shqiptarëve.

Pavarësisht kësaj, ne nuk duhet të harrojmë se këto burime(dhe të tjera që flasin për shqiptarët në pjesën tjetër të botës bizantine) përshkruajnë vetëm pjesë të realitetit. Siç u tha më lart, qyteti i Janinës ishte i aftë të përdorte shqiptarët si ushtarë. Por ata u përdorën po në atë masë edhe për synime ekonomike. Një nga aktet e para të Thoma Preljuboviçit pas fitores së tij më 1380, ishte regjistrimi i territoreve të fisve shqiptare në mënyrë që të organizohej taksimi i tyre. Ne mund të supozojmë arsyeshëm se shqiptarët, që kishin të njëjtën mënyrë jetese me vllehtë që përmenden në privilegjet e 1319-ës dhe 1321-t, shfrytëzoheshin ekonomikisht njësoj siç ndodhi më vonë me ta në Peleoponez. Disa shembuj ilustrojnë konkurencën mes shteteve të ndryshëm që shpresonin të prisnin shqiptarët në territoret e tyre. Regjistrat e elitës greke kryesisht i përçmojnë këta njerëz, por rrallë përmendin interesin e tyre ekonomik te ta dhe pranisë së tyre në këto toka, që përndryshe do të kishin mbetur të shkreta.

Nga ana tjetër, këto burime – krenare për Helenizmin e tyre dhe refuzuese për shqiptarët dhe mungesën e tyre të arsimit – vijnë nga një mjedis shumë specifik. Mistral ishte qendra e ringjalljes së ndjenjës kombëtare greke në shekullin e 14-t dhe kryesisht në të 15-in, e udhëhequr nga intelektualë si George Plethon apo Besarioni(Visarjoni). Janina udhëhiqej nga një elitë që rridhte nga refugjatët e Konstandinopojës ikur prej aty pas viti 1204. Kronika e Tocco-s ishte me gjasë po ashtu një vepër e komisionuar për qëllime propagandistike nga Carlo Tocco për të bindur grekët e Artës që t’i bashkoheshin shtetit të tij pas fundit të dominimit shqiptar. Në të vërtetë, ne nuk kemi të dhëna nëse populli i Artës ishte kaq i obsesionuar me Helenizmin sa ata të Janinës, as edhe ka ndonjë gjurmë rebelimi kundër shqiptarëve.

Në të kundërt, pas vdekjes së Despotit shqiptar të Artës, Gjin Bua Shpata dhe puçit të një aventurieri të padokumentuar mirë – Boga(Bogoes) – populli i Artës u ngrit dhe e dëboi atë për t’ia dhënë pushtetin Muriq Shpatës(Muriki Spata), nipi i Gjin Bua Shpatës. Veçanërisht domethënës është fakti se ata nuk, për aq sa dimë, kërkuan ndihmë nga qyteti i Janinës, as edhe rikonfirmuan bashkimin me të. Vdekja e Muriqit më 1414, gjatë një lufte veçanërisht të egër kundër Janinës, ndezi kryengritjen e dytë. Trashëgimtari i ligjshëm, vëllai i tij, Jakup Shpata, që ishte bërë mysliman, shpalli se ishte pasues, por u dëbua nga arkhondët e qytetit. Kur u kthye me ushtarët otomanë, popullsia u rebelua, burgosi arkhondët dhe i hapi dyert Jakupit. Për fat të keq, ne nuk mund të identifikojmë kombësinë e arkhondëve apo të popullsisë. Me gjasë të dyja grupet ishin etnikisht të përzier.

Pika domethënëse është se, në mënyrë që të shpëtonte pavarësinë e qytetit, popullsia e Artës ishte e gatshme të bënte aleancë me turqit otomanë, siç kishin bërë janiniotët më parë. Kjo simetri e vendos në perspektivë dhunën e shqiptarëve gjatë fushatës kundër Janinës, përderisa ushtarë të kësaj të fundit u sollën krahasimisht njësoj kur pushtuan territorin e Artës apo kur kapën shqiptarët.

Për rrjedhojë, ne duhet të supozojmë se matrica etnike e analizës nuk mjafton për të shpjeguar sjelljet e popullsisë në këtë periudhë. Më shumë sesa interesat e tyre “nacionale” apo “etnike”, qytetarët e Artës vlerësuan në plan të parë interesat lokale të qytetit, qëkurse bashkëjetesa e të dyja qyteteve, me rëndësi të ngjashme demografike, politike dhe ekonomike, në të njëjtin shtet, do të ketë qenë patjetër problematike dhe që padyshim do çonte në dominimin e Artës nga Janina. Këto interesa lokale do të ketë përfshirë ndoshta edhe marrëdhënie ekonomike dhe politike me fuqitë detare të Venecias dhe Raguzës, ndërkohë që Janina po lidhej përherë e më shumë me zonat kontinentale të Maqedonisë dhe Thesalisë. Mbrojtja e këtyre interesave sigurohej me efiçencë nga besnikëria e një rreshtimi të shqiptarëve, sinomim ky i një kapaciteti të rëndësishëm ushtarak.

Kjo besnikëri duhet të na befasojë edhe më pak, nëse mbajmë parasysh se liderët shqiptarë, ndërkohë që ishin autonomë në Epir, përpiqeshin të bëheshin bizantinë.  Ata adoptuan ligjërisht titujt bizantinë të Despotit dhe Sebastokratorit, të cilët grekët e Janinës ishin gati t’i njihnin disa herë. Ata u përpoqën që të jetonin në qytete dhe të mbanin një oborr sipas mënyrës bizantine. Në përgjithësi, qyteti i Artës – relativisht i panjohur gjatë dominimit shqiptar – kishte ndryshuar disi: veprimtaritë e njohura të Artës si një qendër tregtare, si dhe mbetjet e kishave bizantine të përdorura nga zotërit shqiptarë, demonstrojnë se sundimi shqiptar nuk ishte sinomim me shkatërrimin, një rikthim në barbarizëm dhe fund i qytetërimit bizantin.

Në një pasazh argëtues në rrëfimet e tij nga udhëtimet në Jeruzalem, pelegrini italian, Nicolai Marthoni, relaton se në vitin 1395, pas një qëndrimi në Lefkas ku ai dëgjoi për sulmet e shqiptarëve në ishull, varka e tij u dëmtua dhe duhet të ankorohej afër Prevezës. Nicolai sigurisht që ishte i frikësuar, “sepse aty kishte shqiptarë”, por ai dhe pasagjerë të tjerë gjetën më në fund mikpritje për tri ditë, derisa varka të riparohej.

Shqiptarët e Epirit ishin ortodoksë të vërtetë, të gatshëm të luftonin për Ortodoksinë kundër latinëve dhe turqve. Disa grekë ishin armiqësorë ndaj sllavëve dhe shqiptarëve, të cilët i refuzonin si injorantë, por të tjerë ishin të vetëdijshëm se ata ishin kristianë të mirë dhe të paduruar për t’u bërë pjesë e traditës bizantine. P.sh Arta në vitin 1367, ishte bërë selia e Mitropolitit të Naupaktos, qëkurse napoletanët nuk donin që ai të qëndronte aty ose në Lefkas(Lefkada). Kjo tregon se Patriarkata e Konstandinopojës nuk druhej të nderonte një qytet që mbahej nga shqiptarët. Mitropoliti Mateo(Matheo), i emëruar në vitin 1367, mori në vitin 1382 selinë e Janinës, por për shkak të marrëdhënieve të këqija me Despotin, Thomas Preljuboviç, u kthye më vonë në Arta. Botuesi i Kronikës së Janinës, i vetëdijshëm për shkatërrimet e vazhdueshme të shkaktuara nga shqiptarët, megjithatë fajësonte Thomas Preljuboviçin për politikën e tij anti-shqiptare, duke iu atribuuar epitetit të egër e të vetëgjetur  të “vrasësit të shqiptarëve”…

Nga dy burimet tona, e para, Kronika e Janinës, armiqësore ndaj Thomas Preljuboviçit, është më tolerante ndaj armiqëve të tij, shqiptarëve, ndërkohë që e dyta, Kronika e Tocco-s, armiqësore ndaj shqiptarëve, është qartësisht propagandë që synon të justifikojë shkatërrimin e fuqisë politike të klaneve shqiptare. Imazhi i shqiptarëve në Epir dhe e marrëdhënieve të tyre me grekët, siç përvijohet në burimet tona, duhet  marrë me kujdes.

Përkthimi, hyrja dhe titulli: Skerdilajd Zaimi 

Comments

Submitted by Heu bre (not verified) on

"Kështu që pas vitit 1204, shqiptarët ndoqën natyrshëm pasuesin e Perandorisë Bizantine që ishte shteti grek i Epirit. Aleatë besnikë, ata ndihmuan grekët të marrin sërish Durrësin nga latinët? ????????????????????????????????

Submitted by Lexues i Rregullt (not verified) on

"Italianet" e Napolit ne fakt ishin Anzhute ( dinasti franceze) e Napolit dhe Sicilise me pretendim jo thjesht territoret e Arbrit por Kostandinopojen

Submitted by dori (not verified) on

I nderuar Zaimi, hyrja ne fillim te shkrimit (stigma, epitetet percmuese, natyra shqiptare) bie, jo pak, ndesh me vete shkrimin e perkthyer nga ju. Epitetet percmuese qe i keni theksuar me te zeze , qe mesa duket jane edhe arsyeja kryesore , natyrisht edhe shume banale, qe ju ka intriguar te perktheni kete ese, shpjegohen nga vete autori i esese ne paragrafin pasues, ku me shume se arsyen intrisekte, te natyres se brendshme te shqiptarit(!), sjell interesin e propagandes te atyre qe ai i konsideron si perfaqesues te rilindjes se ndjenjes kombetare greke ( kjo shume e cuditshme per ate kohe) ; dhe pak me poshte akoma, ku shqiptaret paraqiteshin here te mire here te keqinj sipas interesit te sumdimitareve te radhes, te cilet kur u interesonte mbeshtja e shqiptareve, keta te fundit na qenkeshin te mire a normale si gjithe te tjeret, dhe ne te kundert, na qenkeshin ata te epiteteve percmuese qe perkthyesi i ka nxire me te zeze, mesa duket nga ndonje tundim i cuditshem per tu dhene vertetesi me boje atyre paragjykimeve , qe per ironi jane fare fatkeqe e mbire me sukses ne mendjet e jo pak shqiptareve, nga paragjykuesit e "jashtem", udhepershkrues, filozofe shetites, aventuriere gjithfaresh e deri tek historianet e sotem, te cilet , mesa duket, parimin e ekonomise se mendimit, e kane shume te rendesishem, kur vjen puna per te trajtuar historite e shqiptareve. Gjithsesi, keta te fundit, per fat te mire, e kane edhe antidotin ndaj paragjykimeve, te pakten duke relativizuar vete paragjykimet , si te kronisteve te mesjetes, ashtu edhe ato te tyret vete.
Se fundi, epitetet percmuese, qe zoti Zaimi i ka theksuar edhe me shume me te zeze, dhe per te cilin shkak bojesor duket se i beson edhe ai vete, ne fakt jane ana tjeter e se njejtes monedhe kombetare: pra, ne njeren ane kemi lavdine e paraardhesve tane, me ane tjeter, kete te pershkruaren me te zeze nga zoti Zaimi! Per ironi, te dyja anet e kesaj monedhe, jane dy faqet e skuqura nga turpi i veteparagjykimit, ku njera reagone me refuzim total, tjetra me pranim ne te njejten mase.
P.S : zoti Zaimi, respekt per mundimin e perkthimit, por eseja vete eshte mediokre, dhe autori i tille, kjo duket qarte nga mizerabiliteti logjik i trajtimit te fakteve. Mund te shfrytezoni aftesine dhe vullnetin tuaj, ne perkthimin e shkrimeve me te vertete te mira.

Submitted by redaksia on

Nuk ka nevoje as per i nderuari z...dhe as per te m'u drejtuar mua. Sinqerisht nuk arrij dot te kuptoj se cila LOGJIKE, apo Natyre justifikon komente qe rreken ose edhe japin pretencen per Synimet e perkthyesit si ne rastin e nje perkthimi, apo shkrimeve, ne rastin kur ka opinione. 

Komentet jane per temen: mund te argumentosh qe eseja eshte mediokre, po dakord. Qe ka pasaktesi, qe eshte e njeanshme etj., ndonese ajo sic thuhet eshte pasazh nga nje material me i gjate qe perfshin edhe popullsi te tjera. 

Tani, te merresh me synimet e tjetrit, nuk e di se ku do dilet dhe cfare arrihet. Personalisht ne kete lloj zanati, se profesion po duket si fjale serioze, mesova per veten se jam agjent i shume agjenturave, se jam filo ashtu e filo keshtu. Gjera qe nuk i dija per veten. Nuk eshte se me ndryshuan mendimin, thjesht nje mundesi per ta pare veten ne teatrin ku te vendos dynjaja. 

Per mua eseja, apo pasazhi nuk ka pike interesi per saktesite historike. Jo sepse ato nuk kane rendesi, patjeter qe kane. Por per marredheniet njerezore qe u krijuan ne Epir ne ate kohe. Tani autori perserit: Burimeve t'u qasemi me kujdes, pasi edhe termi "Natyre shqiptare" eshte nxjerre nga nje kronike. E megjithate, paragjykimet nacionale, komunitare, apo etnike, ndonese te tilla, pra paragjykime, pra irracionale, priren te shenjojne me shume marredheniet sesa arsyetimi i ftohte. Ne kete kuptim stigma e bizantineve, ndonese koniunkturale percakton nje tonalitet nderetnik ne kontaktin e shqiptareve me greket qe shpjegon deri diku, perseris deri diku, kete relacionin hileqar qe kemi edhe sot me njeri-tjetrin. Dyshim, ftohtesi, distance. 

Natyrisht ju keni gjetur qe une veteparagjykohem, e te tjera e te tjera. Jeni i lire Ju dhe te gjithe te mendoni cfare te doni! Por e mira eshte te diskutohet per permbajtjen, ose nese sheh emrin tim aty, e ke ne dore: mos e lexo. Qenka ky qe ka turp nga vetja. Dhe ja u zgjidh. 

PS: Komente ne pergjigje te komentit tim nuk do te miratohen. 

Falemnderit! 

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.