Festë në shesh për negociatat, ose si të provojmë se majmuni vjen nga njeriu!

Postuar në 23 Korrik, 2022 16:01

Nga kënga për tunelin e Kardhiqit te festa për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian.

Viti i hapjes së negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Europian është një vit historik për ne shqiptarët - një hap më afër familjes së madhe europiane, aty ku na takon të jemi. Por, ky vit, në 28 Korrik, shënon edhe një çast historik për marrëdhënien që kemi me aleatin tonë të madh: 100-vjetorin e lidhjes sonë speciale me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Merr familjen dhe eja në 28 Korrik, ora 19: 00, në Sheshin “Skënderbej”, për të festuar së bashku këto dy ngjarje të mëdha për shqiptarët e Shqipërinë, në një koncert fantastik me emrat më të mirë të muzikës sonë

Ky është mesazhi që shpërndan kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj, një gjallesë karakteristike e moçalit politik të këtij vendi. Siç mund të merret me mend, festa e 28 korrikut është një kundërpërgjigje demonstrative e z. Rama ndaj protestës së 7 korrikut, e cila ka intubuar qetësisë e kësaj shumice që nuk po lë letër kancelarish të huaja për të kontrolluar përmes diskreditimit të një njeriu, opozitarizmin.

Kështu e celebronte z. Berisha marrëdhënien e vet me Perëndimin, hyrjen në NATO etj. Në një mënyrë populiste dhe me tendencë drejt histerisë. E njëjta edhe sot nga qytetarët e Bllokut, tironsit e pas 1945-ës.

Le të vihemi në pozitën e një qytetari kujtdo: cila është arsyeja që të marrësh familjen e të shkosh në sheshin “Skënderbej” të festosh me Erjon Veliajn, Edi Ramën, familjet e tyre që duan të shfaqen në podium për të predikuar Europën, ndërkohë që demonstrojnë pushtetin. Të shohësh Yuri Kim, atë të BE-së që se mban mend kush, Taulant Ballën, Belindën dhe Elisën. E të të duhet t’i japësh përgjigje fëmijës tënd për pyetjen: Kush është ky? Kush është kjo? Pse po flasin kështu?

Për t’i parë nga postë në tribunë, e për të instaluar në mendje fëllëqësirën e këtij vendi si majën e hierarkisë, si rend të natyrshëm të gjërave.

Cila arsye, cili moral e bën një Bashki, një qeveri të ftojë popullin të festojë marrëdhëniet diplomatike me një vend tjetër? Është vetëm arsyeja e sektit që po zhvat pa ndalim, e bosëve të inceneratorëve që nuk ekzistojnë, është morali i një kaste që nuk ka solidaritet tjeëtr veç pafytyrësisë, levantizmit dhe spërdredhjes me çdo mjet e çmim, përkundrejt kujtdo që i bekon qëndrimin në karrige.

Me siguri që këto dy arsye me korrupsionin kapilar që zbret deri në njësitë administrative, në shkolla e kopshte, në tekste librash me lloj lloj marrëzish për fëmijët tanë, që do të nxjerrë në shesh mijëra njerëz. Sepse ka përherë barku i këtij vendi mijëra të tillë që bëjnë sikur nuk kuptojnë, që kanë stomakun flamur shpirtëror, që urrejnë dhe kanë frikë origjinën e tyre të cilën e kapërcyen duke vrarë dhe po kërkojnë ta harrojnë duke vjedhur.

Në shesh pra të festohet hapja e negociatave, marrëdhëniet me SHBA! Merrni fëmijët, mundësisht edhe ata që jaën ende në pampersa, të shohin nga afër znj. Kim, si qesh e si e shpresh dashurinë për Shqipërinë, të shohin Edin me të vetët sesi aktron me kostumin e fitimtarit dhe liderit të madh, përherë e më i fryrë për të mbuluar pasiguritë që nuk iu shqitën asnjëherë.

Çdo përpjekje për ta thjeshtuar ndërgjegjen, ka brenda fashizëm, thoshte dikur Duras.

Ne kemi gjysmën e popullit që ka vetëm një dimension në ndërgjegje, që e ka fashizmin kriter psikologjik, ekzistencial pse me lehtësinë më të madhe bashkëjeton me gënjeshtrën, vjedhjen, por edhe vrasjen, duke bërë sikur nuk sheh e nuk di gjë. Kemi një masë mimitizuesish instinktivë në brezin e tretë, që e dinë që nuk duhet folur, dëgjuar, e parë e që e ushtron politikën me manualin e like-ve sikundër dje me atë të letrave.

Kjo manovër e turpshme që do të nxjerrë në shesh socialistët e këtij vendi që do kalojnë si shumica e heshtur, ata që kanë shtëpi partinë dhe daljen prej saj e quajnë syrgjyn, tregon së paku se nëse shkenca nuk e provoi dot se njeriu vjen nga majmuni, ja ku ka në Shqipëri provën e kundërt: se majmuni vjen nga njeriu!

s.zaimi

Comments

Submitted by XXL (not verified) on

BRAVO

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Sakte! Po sa e zorshme, ne mos e pamundur, qenka t'i heqesh majmunet nga qafa e njerezve ketu ne Shqiperi.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.