Berisha nuk është budalla
Në çerek shekullin e fundit, Sali Berishën e kanë anatemuar qindra mijra shqiptarë e mijra të huaj. Sidoqoftë, asnjëri deri më sot nuk e ka quajtur budalla. Dhe ai vazhdon të mos jetë budalla, pavarsisht se mund të jetë çdo gjë tjetër…
Në daljen e fundit tek “Zona e Lirë” e Çanit (shih foton), Berisha e tregoi edhe një herë se nuk është budalla, duke thënë se një koalicion i PD-së (nënkupto i tij) me LSI-në është i mundshëm pas zgjedhjeve të ardhshme, por jo para tyre. Dhe kjo gjë, sipas tij, do të përcaktohet pasi të shpallen rezultatet e zgjedhjeve.
E përkthyer në një shqipe të thjeshtë, Berisha u ka thënë votueve të tij se PD-ja dhe aleatët e saj aktualë nuk janë në gjendje të fitojnë shumicën në zgjedhjet e ardhshme – prandaj do t’u duhet të bëjnë një koalicion të detyrueshëm me LSI-në pas zgjedhjeve, në qoftë se ajo futet në to veçmas PS-së.
Ndërkohë që votuesit e djathtë ëndërrojnë për një fitore të pastër ndaj partive të majta – PS, LSI, etj. – Berisha, si ujk i vjetër politik që është, e di se pas vitit 1998, kjo gjë s’ka qenë asnjëherë e mundur. Ilir Meta dhe përkrahësit e tij (të inkorporuar më vonë tek entiteti LSI), nga mënyra sesi i kanë lëvizur velat, kanë përcaktuar qysh atëhere e deri më sot se kush është bërë kryeministër i Shqipërisë dhe kryebashkiak i Tiranës – Majko, Meta, Rama, Nano, Berisha, Basha, Veliaj.
Prandaj dhe Berisha mundohet t’i dërgojë Metës nga “Zona e Lirë” mesazhe mikëlonjëse, për një koalicion të mundshëm paszgjedhor, me shpresën se Meta nuk do të bëjë një koalicion parazgjedhor me Ramën. Sepse vërtet që koalicioni aktual Rama-Meta mund të mos marrë më dot 1 milion vota në zgjedhjet e ardhshme, por edhe koalicioni i rrudhur (pas ikjes së PDIU etj.) i Berishës mund të mos marrë më dot 680 mijë vota (sa ç’mori në 2013-ën).
Në fakt, një sondazh që zhvillova në Tiranë kohët e fundit tregonte se të dyja koalicionet aktuale kishin firo në vota (krahasuar me 2013-ën), por firoja ishte proporcionale në të dyja krahët. Dhe pavarsisht se Berisha ka deklaruar publikisht se nuk u beson sondazheve, deklarata e tij tek “Zona e Lirë” nënkupton se ai do të ketë parë ndonjë sondazh konfidencial, që i ka treguar sa më sipër…
Comments
OK, budalla z. Berisha
OK, budalla z. Berisha sigurisht nuk eshte, por me gjithe respektin maksimal per te personalisht, me duhet te them se figura publike e z. Berisha nuk na ka ofruar edhe shume arsye per te vleresuar ndonje ekuiliber te admirueshem te atij aspekti...
Nje mendim alternativ do te ishte qe paaftesia per te pranuar progresin, kthimi tek metodat e vjetra dhe te sprovuara orientale te mbajtjes se pushtetit, instinkti i dhunshem, primitivizmi recidiv i ideve qe artikulon, e tejkalojne admirimin tone per aftsine e z. Berisha per te bere nje artimetike kaq elementare...
Nuk eshte as ne etiken dhe as ne qellimin tim te ul z. Berisha. Por per ndonje arsye apo ndonje tjeter, mbase ngaqe ka shume kohe qe eshte nen vezhgimin publik, intelektualisht atij i ka mbetur shume pak per te treguar dhe shume pak per tu levduar edhe nga opinionistet...
Add new comment