Modelet e gabuara me restaurimet
Arsyetimi i zonjës Lejla Hadzic, drejtuese e organizatës së shoqërisë civile CHwB Albania, në lidhje me atë se çfarë ka ndodhur me restaurimin e hamamit në kalanë e Krujës dhe kritikat që ka pasur për mënyrën e ndërhyrjeve, janë të prezantuara verën e vitit të kaluar. Në atë kohë u bë edhe përurimi i përfundimit të punimeve, të cilat me sa di unë i ka përshëndetur edhe vetë Kryeministri Edi Rama. Në analizën time si restaurues, më rezulton që ky dhe disa restaurime të tjera janë modele që nuk duhen aplikuar, sepse ato shkaktojnë rrënime mbi monumentet që edhe pa këto ndërhyrje skandaloze, ato lëngojnë dhe shkojnë drejt eliminimit të vlerave. Ajo që u pa nga fotot aktuale të hamamit, tregojnë se e gjithë mbulesa apo çatia e këtij monumenti u vu në provë ndaj reshjeve të shiut dhe rezultoi se është bërë një punë shkel e shko. Është anashkaluar elementi kryesor i arkitekturës së monumentit, ai i të garantuarit për mosfutje të lagështisë nga lart. Është pikërisht ajo pjesë teknike e restaurimit, e cila për defektin që demonstron nxjerr jashtë loje edhe qëllimin kryesor, për të cilin kanë bërë aq shumë reklamë sikundër është ai i kthimit në funksional të hamamit. Në rast se sot, pa mbushur akoma një vit nga përfundimi i restaurimit, shohim mbulime me fletë plastmasi të pothuajse të të gjithë çatisë së monumentit, imagjinoni se si janë problemet në tërësinë e punimeve në të gjitha pjesët e tjera të arkitekturës. Nuk ka asnjë arsye teknike që do ta justifikonte veshjen me qese plastmasi të çatisë, përveç se faktit që në brendinë e ambienteve të hamamit duhet të ketë rrjedhje të konsiderueshme të ujërave që vijnë nga shiu. A do të zgjidhet problemi me qeset e plastmasit? A do të zgjidhet gjithashtu me ndonjë riparim në tjegullat e çatisë? Për mendimin tim me siguri që jo. Këto lloj defektesh tregojnë se problemi është më i rëndë nga sa duket. Nuk do të ketë asnjë mundësi që të eliminohet defekti, duke bërë zëvendësime apo plotësime të tjegullave aty-këtu.
Në rastet e ngjashme, zgjidhja ka qenë e detyruar vetëm duke bërë në total rikthimin e mbulesës, pra edhe njëherë nga e para. Nuk kemi të bëjmë me një çati si ajo e banesave të zakonshme. Në lidhje me mënyrën dhe konceptin e trajtimit të të gjithë monumentit, duke e destinuar atë për të qenë funksional, debati ka qenë i tillë që ka çuar në përplasje idesh dhe perceptimesh. Për mua ka defekt të theksuar dhe nuk do e pranoja që të shkohej aq larg në rikrijimin e një hamami funksional vetëm e vetëm për gjoja një atraksion më të madh turistik. Aty janë tejkaluar jashtë mase normat e ndërhyrjeve restauruese, si dhe ka shkelje të kritereve që rekomandohen nëpërmjet kartave ndërkombëtare për restaurimin. Ka një tjetërsim deri në mosnjohje të brendisë që monumenti ka përcjellë gjatë jetës së tij. Nuk gjen dot më apo nuk të shfaqet historia dhe gjurmët e saj mbi monument. Kjo nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me anën estetike, por me atë që në restaurim njihet si domosdoshmëri e ruajtjes së të gjitha gjurmëve, si elementet e karakterit dokumentar e teknik.
Ky është një diskutim që bëhet vetëm në tavolinën e specialistëve dhe me këtë rast lindin disa pyetje: A ka pasur projekt të diskutuar dhe të aprovuar në instancat shtetërore profesionale si: KSH i Institutit të Monumenteve, KKR pranë Ministrisë së Kulturës etj.? Kush e ka realizuar përpunimin e brendive deri në atë masë sa për ta bërë funksional, duke e pajisur me të gjithë aksesorët që ka një banjë turke? Ka qenë ndonjë subjekt i licencuar apo e kanë bërë vetë të punësuarit e organizatës së shoqërisë civile CHwB Albania? Me sa di, e kanë bërë pa subjekt të licencuar, pasi subjekti nuk ishte dakord për mënyrën restauruese në fjalë. A ka të drejtë apo licencë për restaurime CHwB Albania? Duhet të kujtohet se për CHwB Albania nuk është e para herë që ka problem të skajshëm me cilësinë dhe metodat e aplikuara prej saj edhe në punime apo në restaurimet joprofesionale, me problem dhe duke shkelur parimet e restaurimeve. Po jap nja dy shembuj: punimet e kryera në mozaikun e bazilikës së shekullit 5-6 në Parkun Arkeologjik të Antigonesë. Në këtë rast ishte një situatë skandaloze, si për sa u takon dëmeve ndaj mozaikut, edhe për sa i takon abuzimit me fondet. Ka foto mbi të cilat komentoi dhe u realizua edhe emisioni “Fiks Fare”. Një skandal i vërtetë. Ky projekt kishte atëherë koordinator dhe ekspert të CHwB Albania drejtorin aktual të Monumenteve të Kulturës në Gjirokastër dhe një ekspert të huaj. Me një shumë prej 28 mijë eurosh, projekti pretendonte ekspozimin e këtij mozaiku për vizitorët dhe turistët, por në fakt, pas restaurimit në vitin 2013, mozaiku qëndron i mbyllur dhe nuk e ka parë dritën e diellit.
Në të ashtuquajturën banesa Babameto 2, në Pazar Gjirokastër, nga CHwB Albania u aplikua ndërtimi i çatisë me konstruksion metalik, kapriata e trarë dhe çdo gjë, duke zhdukur të gjitha elementet tradicionale, ashtu sikundër i ka çatia e monumenteve tipike të Gjirokastrës. Këtu humbën elementet dhe vlerat autentike të monumentit. Ç’kuptim ka i quajturi restaurim!? Banesa tjetër Babameto 1, ku CHwB Albania ka krijuar qendrën e saj në Gjirokastër, po i bije suvaja pa mbushur akoma dy apo tre vjet nga restaurimi. E kanë lënë pa strehën tradicionale, duke e prezantuar sikur të ishte diçka e zakonshme dhe e rëndomtë. Skandal i punimeve të restaurimit dhe muzeut në kalanë e Gjirokastrës, ku u deklaruan 500 mijë euro për të bërë një ekspozitë të rëndomtë. etj. Për mendimin tim si specialit i kësaj fushe, ndërhyrjet restauruese janë delikate dhe duhen kryer nga restaurues dhe firma të licencuara sipas ligjit për kryerjen e këtyre ndërhyrjeve, përndryshe, nëse këto punë ekspertësh do të kryhen nga shoqata dhe organizata të shoqërisë civile, atëherë do të ndodhë si në rastet e sipërpërmendura, që në vend të ruajtjes dhe restaurimit do të shkaktohen rrënime dhe shkatërrime të mëtejshme.
"Shqip"
Comments
Haha
Po normal te merren persiper nga njerez joprofesionist cka pret. ChwB eshte e mbushur me injorant dhe njerez qe skan lidhje me arkitekturen dhe inxhinierin
Nga nje arkitekt
Eri, di shqip ti lali? Se duke pare nivelin tend te shqipes, dal shume lehte ne konkluzion qe niveli yt i kuptimit te te restaurimit e konsverimit eshte me se paku ca "kile" me keq. Ha (lexo) qe te shtosh ca kile (dije). Profesionistet dine lehtesisht nga te rreshtohen. Pa dyshimin me te vogel rreshtohem me CHwB-ne, profesionalizmin e transparencen e tyre. Sa per Reshat, komuniteti i arkitekteve, se cilit i perkas, e njohin shume mire per "meritat" e shkaterrimit te cdo gjeje qe prek.
Per Ark. dhe Trashegimine Kulturore
Lali Eri, duke pare nivelin e shqipes tende, dal ne rezultatin qe mosdija jote per fushen e konservimit/restaurimit eshte akoma me e thelle.
Ha (lexo) me shume qe te fitosh ca kile (dije)! Si arkitekt ne profesion, vetem duke njohur ark. Reshatin qe cdo gje qe prek e shkaterron, e kam te lehte te rreshtohem nga Trashegimia Kulturore.
0.5 kile arkitekt
O arkitekt gjys kilc, ku e ke bo shkollen te kristali? Une mund te mos jem arkitekt por dije te pergjithshme kam, nuk mund te suvatosh dhe te shtrosh me mermer nje objekt 500 vjecar. Pse nuk e restauro italia koloseun ta bej bashkohor? Sepse ska arkitekt si puna jote qe e quajn veten e tille.
Add new comment