Në cilën anë është ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla?
Po i nis këto rreshta me një pyetje: A ka ndryshuar ndonjë gjë në Arsimi i Lartë dhe universitetet shqiptare që kur socialistët erdhën në pushtet?
Ndryshimet në universitete, sidomos në Universitetin e Tiranës, janë pothuajse inekzistente! Ky është një vëzhgim jo vetëm i imi, por edhe i njerëzve të tjerë. Lufta për sistemin e drejtësisë ka ulur në minimum vëmendjen rreth asaj që po ndodh ose jo në Arsimi i Lartë. Media pasqyron nganjëherë protestat e ca studentëve. Por momente të tilla janë shumë larg problemeve reale në universitete, premtimeve të “Rilindjes,” dhe pritmërive të shoqërisë shqiptare për ndryshime serioze në Arsimi i Lartë dhe universitetet shqiptare!
A e mbani mend me sa salltanet dhe pompozitet ala “Sheratonian” e trumbetoi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla fillimin e reformës në Arsimi i Lartë?! Kë nuk mblodhi aty: nga Dhori Kulet, Ervin Demot, Jorgo Kaçanët, Mitat Memët e universiteteve publike deri tek drejtuesit-pronarë të ca pseudo-universiteteve private, të vockla, me lidhje blu apo rozë; edhe atyre që shpejt do t’u vinte drynin, edhe ata që qeveria do t’i trajtonte si favoritë!!!
A e mbani mend sa shumë e trumbetoi dhe sa lëvdata i bëri Nikolla Arjan Gjonçajt dhe Komisionit të reformës? Se si Nikolla na garantoi se reformimi dhe ndryshimi i sukseshëm dhe për mirë i universiteteve ishin të “sigurtë?” Se ishte i sigurtë pikërisht ngaqë qe arritur konsensusi politik PS-PD dhe për reformën ishin angazhuar jo vetëm ca njerëz të rinj, por edhe dinosaurët e vjetër që në 8 vitet e fundit e varrosën Universitetin e Tiranës dhe gjithë sistemin publik?
A e mbani mend premtimet e Nikollës se universiteteve do t’u garantohej autonomia me një Ligj të ri, por nga ana tjetër kasta e vjetër drejtuese e universiteteve, ose duhej të jepte dorëheqjen ose të “përqafonte” rilindjen e universitetit???
A mbani mend deklaratat e Nikollës se universitetet shqiptare do shëndrroheshin në institucione cilësie? Se ato do t’i jepnin fund lëshimit të pseudo-diplomave në Bachelor, Master, apo Doktoratura? Se ato do t’i hapnin rrugës meritës, njerëzve të talentuar dhe të shkolluar jashtë? Se ato do te angazhoheshin me të vërtetë në kërkimin shkencor, mësimdhënie cilësore dhe me standarte të reja perëndimore?
A i mbani mend deklaratat me zë e me figurë të Nikollës, që deri në Dhjetor të 2015, Agjencia Britanike e Akreditimit, me angazhimin dhe mbështetjen e plotë të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Arsimit, dhe vetë Nikollës, do të akreditonte universitetet shqiptare nga ishin e nga s’ishin, të vegjël apo të mëdhenj, të qendrës apo periferisë, publikë apo privatë, të ngjyrës blu apo rozë??? Dhe që ky akreditim do ishte krejtësisht sipas standarteve britanike, jashtë ndërhyrjeve dhe trajtimeve preferenciale sipas afiniteteve politike. Që ky process do t’i vinte drynin cilitdo universitet, publik apo privat, blu apo rozë, i madh apo i vogël, që nuk plotësonte standartet akademike.
A mbani mend premtimin e Nikollës që studentët duhej të rendin universiteteve të lumtur dhe të frymëzuar, sepse në auditoret e tyre ata nuk do të përballeshin më me praktikat e vjetra të leksioneve fletë-zverdhura të kohës sovjetike, të mësuarit përmendësh dhe pseudo-pedagogët buzëqumësht dhe pa asnjë experience, apo kredenciale mësimdhënieje dhe kërkimi e veprimtarie shkencore?
Shkurt, a i mbani mend premtimet e Nikollës që në Arsimi i Lartë dhe universitetet shqiptare gjithçka do të ishte ndryshe?
Nuk kam dyshim në i mbani mend! Sepse tamtami dhe salltaneti ishte vërtet i madh. Por pavarësisht besimit të analistëve majtas apo djathtas, si Artur Zheji, Mustafa Nano, apo Mero Baze, se lëvizjet Rama-Nikolla në arsimin e lartë, si mbyllja e ca universiteteve dhe miratimi i Ligjit të ri për Arsimi i Lartë, janë një sukses, 3 vjet pas “Rilindjes,” tamtamit socialist sot i shkon më shumë për shtat përshkrimi popullor: “u mbars mali dhe polli një mi”. Në arsimin e lartë dhe universitetet publike apo private vazhdojnë po të njëjtat praktika që dikur kritikoheshin me forcë nga PS-ja! Premtimet e bëra 3 vjet më parë po rezultojnë boshe! Ministrja Nikolla ka rënë squk! Kështu që pyetja legjitime që lind është: Në cilën anë gjendet e rreshtuar Ministrja Nikolla 3 vjet pas uljes në karrigen ministrore? Reformës reale apo pseudo-reformës?
Doni të shohim faktet? Le t’u hedhim një sy.
- A di njeri të më thotë nëse drejtuesit e universiteteve publike, Dhori Kulet me shokë në Universitetin e Tiranës, apo ata në universitetet e tjera publike apo private, kanë bërë ndonjë ndryshim në institucionet që ata drejtojnë për t’i bërë më cilësorë? A ka marrë Dhori Kule me shokë ndonjë veprim për ndryshimin dhe përmirësimin e cilësisë së programeve akademike? Për ndryshimin e praktikave të punësimit të stafit akademik? Të vlerësimit të performancës dhe cilësisë së mësimdhënies së pedagogëve? Për rritjen e nivelit të pregatitjes metodologjike dhe shkencore tek pedagogët, si kushti më i parë dhe themelor për t’i aftësuar ata për të bërë studime shkencore dhe për t’i bërë pjesë të komuniteteve shkencore ndërkombëtare përmes botimeve në revista dinjitoze, serioze, dhe të çertifikuara? Për ndërtimin dhe konceptimin e kurrikulave dhe mësimdhënies mbi dijet më të fundit dhe rezultatet kërkimore-shkencore bashkëkohore?
- A di njeri të më thotë nëse studentët ndjehen më të lumtur me ato që ka bërë apo nuk ka bërë ministrja Nikolla që ditën që filloi “Rilindjen” e Arsimi i Lartë dhe universiteteve, sidomos universiteteve publike me në krye Universitetin e Tiranës? A kanë filluar studentët e UT-së të provojnë në auditore modele dhe standarde të reja mësimdhënieje? Të kenë përballë pedagogë me eksperiencë mësimdhënieje? Ta ndjejnë se ndryshimi po ndodh dhe të ndjejnë efektet e këtij ndryshimi?
- A është në gjendje njeri, vetë Ministrja Nikolla, të më thotë që universitetet shqiptare, Universiteti i Tiranës sidomos, si simboli i sistemit publik të Arsimi i Lartë, kanë bërë ndonjë hap drejt ndryshimit të cilësisë së diplomave Bachelor, Master, apo Doktoral, në mënyrë që këto të mos jenë më pseudo-diploma? Që renditja e Universitetit të Tiranës, simbolit të sistemit publik shqiptar, ka ndryshuar në këto vite të ministërllëkut Nikolla?
- A di të më thotë ndonjëri, dhe këtu mbase duhet të pyesni Çerçiz Loloçin, sa e vërtetë është që praktikat e rekrutimit të stafit akademik kanë ndryshuar dhe tani Dhori Kule dhe Universiteti i Tiranës po kërkojnë me qiri pedagogë vërtet cilësorë? A mund të më thotë Ministrja Nikolla cili është qëndrimi i saj ndaj programit “Brain Gain” dhe vendimeve të qeverisë së mëparshme për rekrutimin dhe trajtimin e njerëzve të shkolluar në universitetet amerikane, angleze, apo ato europiano-perëndimore më të mira dhe të njohura botërisht? Pyetjen nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në Universitetin e Tiranës, në çiflikun e Dhori Kules, Ervin Demos, apo Dhori Karaj, qoftë për funksionimin qoftë për punësimin e njerzve të shkolluar jashtë nuk ia bëj Kules me shokë! Sepse ata përgjigjen e tyre e japin çdo ditë me veprat e tyre dhe e japin madje të “kopsitur” “ligjërisht”! Pavarësisht se e kanë shkatërruar dhe futur Universitetin e Tiranës shtatë pashë nën dhe.
- A di të më thotë ndonjëri, dhe këtu, mbase duhet të sillni ndër mend Aleksandër Koçanin, Mirela Bogdanin, apo Florida Mishën, të cilët kanë shkruar për defiçencën në pregatitjen metodologjiko-shkencore të profesoratit shqiptar dhe krizën në kërkimin shkencor dhe botime dinjitoze shkencore, nëse ka ndryshuar ndonjë gjë në Universitetin e Tiranës për rritjen e aftësive për kërkim shkencor të profesoratit shqiptar dhe realizimin e botimeve shkencore jo në revista anonime në Maqedoni, Ballkan, apo Evropë Lindore por në revista akademike me autoritet në Amerikë apo Angli? A mund të më thotë njeri se disertacionet e doktorantëve të sapodiplomuar, gomarllëqet dhe mungesën e karakterit shkencor e të cilëve i gjen tani hapur, ditën për diell, të afishuara edhe në faqet e universiteteve, janë shumë më “shkencorë” dhe se “doktorat” e rinj, të prodhuar me lopatë në universitetet publike apo private janë vërtet doktorë?
- A di njeri të më thotë, tani në janar 2016, se ç’po bëhet me akreditimin? Me Agjencinë Britanike? Me Agjencinë shqiptare të akreditimit? Cilët universitete u akredituan, cilët jo, kush u mbyll, kush u la i hapur? Nëse britanikët ia kanë mbathur? Apo nëse akreditimi është lënë në dorë të Dhurata Bozdos me “ekipin” e vet?
Hahahaha…!!! Mbase do të qeshni e talleni me mua ju që lexoni këto radhë! “Po ti qenke një naiv dhe idiot i tëri!”
Shumë nga lexuesit e këtyre rreshtave, sidomos njohësit e dinamikave në arsimin e lartë dhe universitetet shqiptare, do të talleshin me mua duke më kundër-pyetur:
“Po pse, vërtet besoje ti se Nikolla e kishte megjithë mend “Rilindjen” e arsimit të lartë dhe universiteteve shqiptare? Se do arrinte të bënte reformë duke u mbështetur dhe duke ia lënë në dorë këtë reformë Dhori Kules me shokë, shkatërruesve të Arsimi i Lartë dhe universiteteve shqiptare?” Dhori Kules, i cili, jo që nuk ka patur ndonjëherë ide dhe veprime për të ndryshuar Universitetin e Tiranës, por përkundrazi, e shndërroi atë në çiflik interesash personale, të hapura apo të kamufluara dhe në dëm të cilësisë së universitetit. Se do të ndryshojë dhe zhvillojë kërkimin shkencor duke e lënë në dorë të Dhori Kules, i cili të kërkosh me qiri në rrjetet më të mëdha akademike, që mbajnë revistat dinjitoze profesionale, nuk i gjen një artikull shkencor! Provoni dhe fusni emrin e Dhori Kules në database rrjetesh të tilla akademiko-shkencore si EBSCO, J-Store, MUSE, Elsevier, Web of Science, WorldCat, SSRN Academic Search Elite dhe do të shihni ç’botime ka nga nga prapa “Profesori-Rektor” Dhori Kule!
“Po pse, vërtet besoje ti se Nikolla, mësuesja-politikane socialiste me Master “Ekzekutiv” UFO-je, do u vinte fshesën të gjithë atyre universiteteve që nuk plotësonin standartet?” Po nëse do të guxonte të bënte këtë Nikolla, a nuk do t’i duhej që të parin universitet që t’i vinte drynin duhej të ishte UFO-ja i saj? Dhe të hidhte tutje si të pavlerë Masterin e saj të marrë në këtë universitet?
“Vërtet besoje ti se Nikolla, ministrja e “Rilindjes,” e ka patur megjithë mend Rilindjen e Arsimi i Lartë dhe universiteteve shqiptare sipas modelit britanik, le më sipas modelit amerikan? Se do t’i linte fushë të lirë dhe autoritet për të realizuar ndryshimin e vërtetë jo vetëm njerëzve si Arjan Gjonçaj? Se do përfshinte në të edhe njerëz si puna jote, me 10 vjet shkollim dhe eksperiencë në universitetet më të mira amerikane, apo edhe ata njerëz brenda universiteteve publike apo private shqiptare që ishin dhe mbeten vërtet të interesuar për ndryshimin e gjendjes dhe cilësisë mjerane të universiteteve shqiptare?”
“E di ti o Doktor Edmond Çata, me PhD nga University of Cincinnati dhe Master nga University of Nebraska, dy universitete që renditen në 200-300 universitetet më të mira në rang botëror, përse ke qënë naiv dhe idiot në të besuarit se kjo ministre, mund të bënte diçka ndryshe për Arsimi i Lartë dhe universitetet shqiptare? Përse ke qënë naiv kur ke besuar se socialistët dhe ministrja e tyre e arsimit do të kishin vërtet vlerësim për ju që keni studiuar jashtë dhe që keni goxha eksperiencë mësidhënëse, që keni njohuri të konsiderueshme për një universitet normal dhe praktika të shëndosha të funksionimit akademik? A e di ti përse ka qenë krejt pa bazë supozimi yt se kjo ministre nuk do ishte njësoj dhe nuk do të mbetej anonime si gjithë ministrat e mëparshëm të arsimit, por do hynte në historinë e arsimit të lartë shqiptar si ministrja që arriti të hidhte “x” gur të paluajtshëm nga asnjë pasues i saj në ndryshimin e shëndoshë dhe në drejtimin e duhur të universitetit shqiptar?”
Ta themi ne z. Çata përse ti, jo vetëm që ke qënë kryekëput naiv, idiot, dhe totalisht i gabuar në të besuarit se Rama me Nikollën ministre do të rilindte Arsimi i Lartë dhe universitetet shqiptare, por edhe përse nuk do të gjesh asnjëherë vendin që të takon në universitetin publik shqiptar edhe nën “Rilindjen socialiste! Përse ti nuk do mund t’u ofrosh studentëve shqiptarë në nivel Bachelor, Master, apo Doktoral gjithë eksperiencën tënde të vyer mësimdhënëse, metodologjiko-shkencore, apo kërkimore të akumuluar si student dhe pedagog në 4 universitete amerikane. Për ty, pavarësisht cilësisë së shkollimit tënd dhe eksperiencës që ke, nuk ka për të ndryshuar gjë për katër arsye:
- Së pari, sepse Nikolla është një ministre “aksidentale” e arsimit! Ti e di fare mirë që përpara se të shkonte në zgjedhjet e përgjithshme, emri që lakohej si më i mundshmi për t’u bërë ministër Arsimi ishtë Ledi Shamku! A nuk na habiti të gjithëve caktimi i Lindita Nikollës si ministre Arsimi në një kohë kur Shamku kishte qenë për më shumë se 5 vite pjesë e “KOP-it socialist” dhe në krye të programit të PS-së për Arsimin?! Caktimi i Nikollës si ministre e Arsimit, ishte jo vetëm një aksident dhe diçka e papritur për Shamkun, viktimë e piruetave të Edi Ramës brenda PS-së, por edhe diçka konfuze për simbolin dhe mesazhin që përcillte! Ishte konfuz, sepse nëse Arsimi i Lartë konsiderohej si niveli më problematik brenda sistemit të arsimit, të përballurit me të kërkonte pikërisht dikë që e njihte atë! Meqë eksperienca e Lindita Nikollës në arsim nuk e kalonte nivelin parauniversitar, atëhere ishte e natyrshme pyetja që shoqëroi habinë tonë: Po me çfarë njohurish do menaxhonte ajo problemet e arsimit të lartë? Çfarë do mund të bënte Lindita Nikolla, një mësuese me Master UFO-je për të kuptuar thelbin e problemeve dhe vendosur cilët probleme do trajtoheshin më së pari dhe cila do të ishte rruga me e mirë? Kështu që besimi yt o njeri se ndryshimi do të ndodhte në arsimin e lartë, mori goditje që në zgjedhjen e saj si ministre! Ministre Arsimi e dalë nga “no-where” – Ministre nga asgjëkundi!
- Së dyti, sepse në çështjet e Arsimit të Lartë, Nikolla është shfaqur në publik si një minister që jo vetëm që nuk ia ka haberin fare, por edhe si çoroditëse! Nuk e ke parë ti çfarë ka broçkullitur për Arsimi i Lartë sa herë i është dhënë mundësia në media? Nuk e ke parë ti që në prononcimet e saj për reformën, ajo nuk ka qenë në gjëndje të mbajë parasysh natyrën e ndryshme të çështjeve të Arsimi i Lartë në përgjithësi dhe universitetit në veçanti? Nuk e ke parë ti që ajo nuk e ka haberin fare të kuptojë që është tjetër gjë të trajtosh reformën nga pikëpamja e interesave të studentit, tjetër gjë të flasësh për reformën nga pikëpamja e marrëdhënieve qeveri-universitet, dhe është tjetër gjë të flasësh për reformën nga pikëpamja burokratike, akademike, financiare, dhe strukturore? Kulmi i mungesës së qartësisë për problemet dhe logjikën e reformës në Arsimi i Lartë ka qënë deklarata e saj në një emision të Sokol Ballës në vitin 2015. Pyetjes së këtij të fundit se “Në ç’kushte ministrja mendonte se reforma mund të dështonte?”, Nikolla iu “përgjigj” me “bindje” alla-Berishiane: “Reforma nuk do të dështojë në asnjë mënyrë!” Kështu që besimi yt o njeri se do të kishte reformim të Arsimi i Lartë me një ministre me Master Ekzekutiv nga Universiteti “UFO”, mori goditje që në logjikën e personit që qëndronte prapa këtij pozicioni politik!
- Së treti, sepse ministrja e Arsimit Nikolla, ngaqë nuk merr vesh nga çështjet e Arsimi i Lartë, ka frikë të angazhohet në debate të vërteta; ka frikë dhe nuk i përgjigjet asnjë lloj letre të hapur apo të mbyllur; ka qëndruar indiferente ndaj çdo lloj informacioni që shoqërohet me fakte, nga njerëz brenda apo jashtë universiteteve dhe ka heshtur dhe refuzuar çdo lloj kërkese për ndërhyrje! Shpjegimi është i thjeshtë: Sepse çdo reagim i saj do të kërkonte ndërmarrjen e veprimeve konkrete! Po pse, a nuk ishe ti z. Çata që më 6 shtator i bëre një letër të hapur për problemet me Agjencinë Shqiptare të Vlerësimit dhe Akreditimit të universiteteve dhe drejtores së saj Dhurata Bozdo? More ndonjë përgjigje? Asnjë përgjigje! Ke dëgjuar të ketë ndodhur ndonjë ndryshim në këtë Agjenci? Asnjë gjë nuk ka ndryshuar! Po pse, a nuk ishte Fatos Tarifa që në dy raste, në shkrime në media, i ka tërhequr vëmendjen ministres së Arsimit, një herë për paaftësinë profesionale, nivelin e ulët të shkollimit dhe të njohurive për çështjet e Arsimi i Lartë dhe universiteteve të stafit të Ministrisë, dhe një herë tjetër për cilësinë skandaloze dhe pseudo-shkencore të konferencave “shkencore” të universiteteve shqiptare, si ato të Univeristeteve të Shkodrës apo Durrësit? Është dëgjuar të bëjë ndonjë lëvizje ministrja Nikolla? Asgjë! Po pse, a nuk i janë raportuar ministres Nikolla raste të pushimit nga puna të pedagogëve sipas parimit “ujku i madh e ha të voglin,” apo raste të punësimit për pedagogë të njerzve që nuk kanë kredenciale e që është krim t’i fusësh të lektorojnë para studentëve? Ke dëgjuar ti të ndërmerret ndonjë veprim nga Nikolla? Rasti i ndërprerjes nga Dhori Kule të kontratës si mësimdhënëse e jashtme të Mirela Bogdanit në Institutin e Studimeve Europiane pranë UT-së është vetëm njëri midis sa e sa rasteve abuzivë dhe në dëm të studentëve, të mësimdhënies cilësore, të universitetit cilësor, të interesit publik, të shoqërisë shqiptare!
- Arsyeja e fundit pse ti nuk ke shanse të bësh hajër në këtë vënd, është sepse ministrja Nikolla nuk e ka patur ndonjëherë seriozisht luftën as ndaj korrupsionit, as ndaj Dhori Kuleve me shokë që e varrosën Universitetin e Tiranës, as ndaj Kaçanëve, as ndaj çdo rektori të universiteteve publike që e kanë bërë bozë! Pyesni një çikë Bardhi Sejdarasin që ka botuar disa shkrime kundër Kaçanit! Sillni një çikë ndërmend konfliktin Nikolla-Mema, rektori i Durrësit dhe kujtoni rezultatin e tij! Ministrja Nikolla as e ka haberin, as ka luajtur vendit, qoftë për praktikat e dëmshme, për cilësinë akademike dhe profesionale në të gjithë universitetet publike, qoftë për të gjtiha pengesat që nxirren nga drejtuesit e universiteteve publike për të realizuar ndryshimin e vërtetë, real të tyre! A nuk ishte ministrja Nikolla ajo që nuk linte rast pa deklaruar se do të çonte para gjykatës dhe ndëshkonte të gjithë ata që ishin të korruptuar? Ke dëgjuar ti të përfundojë prapa hekurave ndonjë person i korruptuar? Ke dëgjuar ti t’u kërkojë llogari drejtuesve të Universitetit të Tiranës për praktika korruptive dhe abusive, jo vetëm në emër të parave të taksapaguesve shqiptarë, por edhe në emër të interesit publik për një Arsim të Lartë dhe universitet cilësor?
Andaj, për ta mbyllur:
Me këtë ministre askush nuk duhet të lodhet për t’i shkruar letra të hapura apo të mbyllura! Askush të mos shpresojë se duke i vënë informacion në dispozicion ajo do të ndërhyjë kundër prapësive dhe abuzimeve me legjitimitetin e autoritetit politik të mandatuar nga 1 milion “shuplaka”! Askush të mos besojë se do të ndodhë ndryshimi në Arsimi i Lartë dhe universitetet shqiptare! “Gojët e liga” thonë se kasta drejtuese aktuale e Universitetit të Tiranës i ka rregulluar punët me ministren Nikolla, ndaj edhe kjo e fundit nuk ha pykë, rri në heshtje dhe nuk lëviz as gishtin më të vogël! Një film dikur ka patur titullin “Cili jeni ju zoti Sorge?” Në rastin e ministres së Arsimit Lindita Nikolla unë do të pyesja: “Cila është ministrja e Arsimit Lindita Nikolla dhe në cilën anë është ajo?”
Comments
Ke plotesisht te drejte zoti
Ke plotesisht te drejte zoti Edmond Cata.
Ministresha Nikolla, me master UFO- je, qe eshte e vertete, na eshte kethyer si Tefta Cami, njehere e nje kohe.
E vetmja gje qe ben, eshte heqja nga puna e ndonje mesuesi, qe e diskrediton, FIKSI apo STOPI.
Nuk mumdet kjo ministreshe, me ate formim medioker qe ka, te drejtoje nje dikaster qe me sepaku, duhej te kishe nje titull te mbrojtur jo ne Shqiperi.
Nuk ka kapacitet kjo zonje,te perplaset me Dhori Kulen e Co., gjee cila jo vetem i mungon, por i jane lidhur duart edhe me KAPJEN qe u eshte bere me ligjin e ri per arsimin, ku donacionet shteterore, kalojne tek universiteti Europian.
Keshtu qe, ku ishe, hic gjekundi, e c'bere asgje, apo jo moj zonja ministreshe.
Tung
ankese
Artikulli i ka rene pikes.
Une kam djalin per master ne matematike tek Shkencat e Natyres.
Degjoj te njejtat fjale:korrupsion dhe anarshi. Universitet i pa akredituar etj.
Por ajo qe me revolton,eshte heshtja e Ministres kur i kam kerkuar sqarime ne lidhje me tarifat qe jane vendosur.
I kam shkruar se perse jane rritur tarifat,kur ne jemi me te ardhura minimale si familje?
Po stazhin nje vjecar perse duhet ta beje pa leke studenti?
Kush do t'ja heq shpenzimet? Te punosh 8 ore dhe mos te paguhesh? Kjo eshte ne kundershtim me kodin e punes dhe standartet europiane qe ne synojme.
Qe nuk ka ndodhur as ne kohen e komunizmit,sepse stazhi paguhesh.
Te mos certifikohesh si mesues,per fajin se nuk ke leke, pavaresisht se eshte student me rezultate mbi noten 8?
Dhe me teper qe pretendon se perfaqeson te "majten", mbron interesat e shtresave te varfra.
Ajo hesht. Ndoshta thote me vete: Jeni budallenj qe me besuat.
Ky milet,kete meriton:genjeje sa me shume.
futu@yahoo.com
KE HARRUAR ARSYEN KRYESORE: ESHTE CUBE NE GEN ME PLOT KUPTIMIN E FJALES
Add new comment