Racizmi klasor i Jozefinës dhe racizmi etnik i Kokëdhimës

Postuar në 31 Janar, 2016 11:21
Ilir Yzeiri

Jo vetëm në një rast, por nuk ka ditë që shqiptarët të mos përballen me ndotjen më të rëndë akustike që vjen prej fjalës dhe, meqenëse ligjërimi politik që zotëron kudo është bërë forma zotëruese e ndotjes akustike, thuajse çdo ditë shqiptarët helmohen me mesazhe të errëta, të zeza që ua bëjnë jetën edhe më të rëndë nga ç’është në të vërtetë. Po çfarë e ndan ligjërimin serioz nga ligjërimi makabër? Si e kanë zgjidhur vendet demokratike dhe të qytetëruara këtë krim akustik? Nuk është vendi këtu për të bërë historinë e këtij problemi, që është sa kulturor aq edhe etik, por nëse në një vend normal, një deputete si Jozefina Topalli do të kishte shqiptuar atë tekst racist që ajo shqiptoi kundër Taulant Ballës, asaj, më së pakti, do t’i hiqej e drejta për të folur në publik për një periudhë të caktuar dhe do të merrte një gjobë që të mësonte se gjuha nuk mund të përdoret si shkelmat. Po ashtu do të kishte ndodhur edhe me deputetin Koço Kokëdhima, i cili fyeu në mënyrë raciste Vangjel Dulen. Jozefina Topalli, nga tribuna e Kuvendit të Shqipërisë, i tha Taulant Ballës se ti ke lindur në kasolle, ndërsa Koço Kokëdhima, nga tribuna e Kuvendit të Partisë Socialiste në Vlorë, deklaroi me një mburrje raciste se unë jam shqiptar, jam himarjot, ndërsa Vangjel Dule është minoritar.

Në rastin e parë, në atë të Jozefinës, krenaria e saj boshe dhe ngulmimi për ta fyer kundërshtarin politik me diferencën klasore, pra me racizmin klasor, na shpie në një kohë tjetër, por të kthyer përmbys. Jozefina Topalli kërkon të hakmerret verbalisht me shtresën e ulët të shqiptarëve, që në vitin 1944 morën pushtetin dhe i rrafshuan pronat, burgosën e vranë kundërshtarët politikë në emër të ideologjisë së vegjëlisë, të djemve e vajzave që kishin lindur në kasolle dhe në fshatra të humbura. Jozefina Topalli, e frustruar nga e kaluara e saj, kujton se ka gjetur kohën dhe vendin që të hakmerret verbalisht me ata që ajo i quan kundërshtarë politikë dhe, si të mos mjaftonte kjo, vjell nga goja edhe një fyerje tjetër raciste, duke përçmuar atë që lind në kasolle, që lind i varfër dhe që lind në një fshat të humbur të Librazhdit. Ky racizëm klasor dhe ideologjik ka qenë fatal për Shqipërinë dhe i ka kushtuar asaj viktima të panumërta. Vendet që kanë dalë nga diktatura e egër si Shqipëria duhet të bëjnë kujdes që të mos ringjallin më kurrë racizmin ideologjik dhe klasor. Në të gjitha rastet, Shqipëria e ka paguar keq dhe më keq akoma e ka paguar shtresa e martirizuar e të përndjekurve politikë. Mirëpo Jozefina Topalli nuk përfaqëson atë shtresë, ajo përfaqëson modelin agresiv të militantit me natyrë hakmarrëse që të varfrin, të thjeshtin, atë që lind në kasolle apo që lind në një fshat të humbur nuk e pranon dhe nëse ai i kundërvihet, ajo është gati ta eliminojë me anë të përjashtimit, pra ta eliminojë me anë të gjuhës dhe nëse i jepet mundësia ta eliminojë edhe fizikisht.

Nxitja e racizmit klasor dhe ideologjik nga një zyrtare e lartë e shtetit shqiptar, ish-kryetare e Kuvendit të Shqipërisë dhe deputete e vjetër, është një shqetësim serioz. Mirëpo në Shqipëri nuk ka institucione të besueshme që të frenojnë këtë agresion verbal me anë të ndëshkimit. Në Shqipëri politikanë janë bërë injorantët dhe modeli i shëmtuar i gangsterëve të rrugës që nuk pyesin se ligjërimi publik është një formë ligjërimi që, nëse nuk kontrollohet, vret njësoj si plumbi. Në anën tjetër, më bëri shumë përshtypje shqiptimi prej deputetit Kokëdhima, që është dhe një botues serioz, i cili, siç e kam shkruar dikur, me anë të gazetës “Shekulli”, futi në median shqiptare nocionet e deontologjisë e të etikës dhe i dha një frymëmarrje tjetër raportimit gazetaresk. Vangjel Dule mund të ketë shumë të meta, ashtu si edhe politikanët e tjerë shqiptarë, por këto të meta nuk vijnë pse ai është minoritar dhe Koçoja është shqiptar. Ne e dimë të gjithë se sa kanë vuajtur shqiptarët nga racizmi etnik dhe shovinizmi grek. Por edhe ne shqiptarët nuk jemi treguar edhe aq dembelë në hakmarrjet etnike. Mjaft të kujtojmë krimet e Ali Pashës që të bindemi për këtë. Mirëpo sot, kur bota e qytetëruar është fokusuar te të drejtat e njerëzve me orientim të ndryshëm seksual nga yni, kur njeriu është vënë në qendër të kuptimit të lirisë dhe çdo diferencim për shkak të gjuhës, etnisë, klasës, ideologjisë, gjinisë quhet racizëm dhe nxit dhunë, ne shqiptarët tregohemi ballkanas kokëtrashë dhe kemi përfaqësues politikë që japin mesazhe të nxitjes së përçmimit ideologjik, klasor dhe etnik.

Jozefina Topalli dhe Koço Kokëdhima në një shtet normal do të duhej urgjentisht të kërkonin ndjesë para publikut. Jozefina mund ta urrejë për vdekje Taulant Ballën dhe kjo është punë për të, po kur thotë që ti ke lindur në kasolle dhe në një fshat të humbur dhe kur këtë e thotë në sy të miliona shqiptarëve, ajo nuk i drejtohet më Taulantit, ajo fyen të gjithë ata shqiptarë që për fatin e tyre të mirë a të keq kanë lindur atje ku thotë Jozefina. Jozefina nuk duhet të jetë e lumtur pse fisi i saj paska pasur shtëpi në Venecia, ajo duhet të kujtojë me kokën ulur vitet e vështira që ka kaluar duke punuar në diell në fushat e duhanit në Shkodër, për shkak të atij racizmi ideologjik e klasor që ajo tani e ka bërë filozofi të kuptimit të jetës. Edhe Koço Kokëdhima duhet të kujtohet se mijëra e mijëra shqiptarë që jetojnë në Greqi, ashtu si pakicat kombëtare që jetojnë te ne, kanë nevojë të marrin mesazhe vëllazërimi dhe jo përçmimi.

"Shqip"

Comments

Submitted by Racists. Pse? (not verified) on

Z.Yzeiri pa dashur te te fyej aspak mund te them se ke marre persiper analiza qe dalin jashte patametrave intelektuale dhe njohurive historike qe zoteron.
Te krahasosh Ali Pashen me Kokedhimen duhet te jesh ose naiv, ose dashakeq, ose te dyja bashke.
Nuk e di ku e ke degjuar se Ali Pasha paska bere "diskriminim etnik". Nga deshira per te bere kozmopolitanin e semure, po i servir minoritaret si viktima. Shovinizmi dhe ksenofobia greke eshte me fame, dhe nuk i drejtohet vetem shqiptareve. A mund te barazpeshohet Agimi i Arte apo Zerva me Kokokedhimen (apo qofte edhe me Ali Pashen meqe keshtu do ti!) ?
Ne te njejten kohe kur Ksera ishte minister, apo Dule nenkryetar parlamenti, mjafton te kalosh kufirin dhe pushon se degjuari shqip. Dhe ata qe e dine ta flasin e quajne Arvanitika(?) dhe jo Alvanika. Ne te njejten kohe kur ne Kelcyre na ndertuan varreza per "ushtaret", viktima e Paramithise jane betonuar poshte nje fushe basketbolli.
Besoj cdo shqiptar mund te sjelli krahasime pa fund.
Ne kushtet e nje shovinizmi djallezor nga i vetmi vend me Ballkan, duhet theksuar, qe nuk pranon asnje lloj minoriteti etnik, madje dhe Turqit e Komotinise i nxjerr si Greke Myslymane, kontributi i secilit nga ne per ti treguar "thanen" Grekeve apo Grekomaneve eshte i mirepritur, qofte kur vjen edhe nga njerezit shume te korruptuar te tipit Kokedhima.
Eshte turp edhe ti lexosh kesi shkrimesh, jo me ti shkruash.

Submitted by ILIR HASHORVA (not verified) on

Së pari, jo për t'i dalë në krah komunizmit që futi luftën e klasave, që në të vërtetë nuk ishte luftë e klasave të varfra ndaj atyre të pasura, por luftë e komunistëve të Enver Hoxhës me antikomunistët, me jo komunistët dhe me komunistët jo të Enver Hoxhës, as për t'i dalë në krah Ilir Yzeirit që përsërit ato që thotë komunizmi, por për t'i sugjeruar zonjës së nderuar deputete, Jozefina Topallit, të mos e bëjë publike as mendjemadhësinë dhe as injorancën e saj si dhe t'i kujtoja që në kasolle, madje në kasolle me bagëti, ka lindur edhe Krishti, i cili i la ku e ku ata që kishin lindur në pallate.
Së dyti, në qoftë se Ilir Yzeiri do të kritikonte Jozefina Topallin që mburret që nuk ka lindur në kasolle dhe përbuz Taulant Ballën që ka lindur në kasolle, domethënë në qoftë se kritikon ata që mburren me prejardhjen e tyre, për shtëpinë e madhe që kanë pasur, për emrin e familjes e të tjera si këto, do të duhej të kritikonte edhe Ismail Kadarenë i cili në një intervistë që i dha Blendi Fevziut këto ditë, intervistë që u botua nga pothuaj të gjitha gazetat në Shqipëri, deklaroi, njëlloj si Jozefina, se shtëpia e tij ishte një shtëpi e madhe, tradicionale, e vjetër, me histori, "sinjoriale", siç e quan ai, dhe jo si ajo, si shtëpia e Enver Hoxhës, që ishte një shtëpi e re, pa histori, pa mbiemër tradicional etj. Por, për Ismailin, Yzeiri nuk flet, nuk kritikon, ashtu siç kritikon Jozefinën. Kjo është t'i shohësh zhvillimet shoqërore dhe politike në mënyrë të njëanshme, gjë që përbën dhe një nga të metat më të mëdha të gazetarit dhe shqiptarit të sotëm, të cilit duket se i mungon nocioni i drejtësisë dhe paanshmërisë.

Submitted by I Vemendshmi (not verified) on

Zoti Yzeiri me lejoni te ve ne dukje disa pasaktesi, sipas mendimit tim, qe permban shrimi juaj:

1. Nuk e di ç'u ka shtyre te perdorni ne hyrje te shkrimit tuaj "ndotjen akustike" qe vjen prej fjales? Qe fjala mund te ndote kjo nuk vihet ne dyshim, por meqe fjala mund te jete edhe e shkruar dhe meqe "ndotja akustike" vjen nga tingujt, ose zhurmat me intensitet te larte atehere ndotja prej fjales nuk eshte AKUSTIKE. Ne ju pelqen ta karakterizoni ndotjen qe vjen prej fjales me mire gjeni nje atribut tjeter sepse ai qe keni perdorur ju nuk eshte i sakte.

2. Nuk besoj se znj.Topalli kishte per qellim ta poshteronte Ballen kur i kujtoi qe kishte lindur ne kasolle, ndonese edhe mund te interpretohet keshtu po deshe te marresh shkas. Konteksti ishte krejt tjeter dhe pyetja shtrohej, ti qe ke lindur ne kasolle, pra i varfer dhe qe sot je kaq i pasur duhet me shume se sa une (pra sesa znj Topalli) te demonstrosh se si e vure kete pasuri.

3. Kokedhima duke e cilesuar Dulen si grek nuk e percmon ate, sepse pastaj i bie qe te gjith kur thone psh "populli grek" poshterojne te gjithe popullin grek. Nese KK do t'i kishte thene psh "grek i poshter", a "grek m..." atehere mund te ngrinim hipotezen e racizmit.

I nderuar zoteri, tjetri nuk mund te akuzohet per racizem kur thote dicka te vertete.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.