Pronat e gjyqtarit të vrarë; hidhet njëfarë drite mbi “palën tjetër”

Postuar në 13 Shtator, 2011 03:49

Dje kishim ngritur në këtë faqe pyetjen se cila ishte “pala tjetër” që përmendej nga mediat, kur konsideronin një gjyq për pronat në Gjirin e Lalzit si një nga konfliktet që mund të kishte sjellë ekzekutimin e gjyqtarit  Skerdilajd Konomi (http://www.respublica.al/artikuj/2011/9/12/pronat-e-gjyqtarit-te-vrare-kush-eshte-pala-tjeter). Sot gazetat “Mapo” dhe “Tema” përpiqen t’i përgjigjen kësaj pyetjeje.

Në dy artikuj të veçantë “Mapo”  jep një kronologji të ngatërresave pronësore familjare në Gjirin e Lalzit, me të cilat ishte marrë intensivisht  gjykatësi i vrarë. Në artikullin e parë, zbardhet vendimi i Gjykatës së Lartë rreth një çifligu të zotëruar nga stërgjyshi i Skerdilajd Konomit që në vitin 1919. Në këtë gjyq, “pala tjetër” është shteti shqiptar, i cili ia konfiskoi pronën bashkëshortes italiane të stërgjyshit të Konomit pas Luftës së II Botërore. Gjyqi është fituar nga familja e Konomit, me pretendimin se vetë kalimi i pronësisë tek bashkëshortja italiane ka qenë i paligjshëm. Në artikull përmenden shkarazi pronat kufitare me këtë çiflig, si të Toptanasve, Libohovave dhe Qoralijve. Ndërsa “Tema” thotë për këto prona se i janë shitur ose janë aktualisht nën menazhimin e biznesmenit Zamir Mane, pronarit të QTU-së.  Aludimi i Temës është se Zamir Mane, Blendi Fevziu dhe njerëz të tjerë afër pushtetit i kanë ushtruar trysni Konomit në lidhje me kufijtë e pronës.

Ndërsa MAPO i mëshon një tjetër piste, e lidhur dhe kjo me Gjirin e Lalzit. Në një artikull të dytë të saj, jepet informacion për një kallzim penal që i ka bërë Konomi zyrtarëve të Agjensisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, për falsifikim dokumentesh që kanë të bëjnë me një sipërfaqe 200 ha, e cila nuk përfshihet në vendimin e mësipërm të Gjykatës së Lartë. Sipas artikullit, në kallzimin penal pretendohet se kjo tokë u është marrë pa të drejtë paraardhësve të Konomit dhe u është dhënë “personave të tjerë”. Pra, ende mbetet një “palë tjetër” e pandriçuar...

E.Z.  

Comments

Submitted by mialeksi (not verified) on

<p>Une e lexova te Shekulli historine te plote. Ishin te gjithe emrat dhe historiku i prones. Gjerat jane perzier rendshem ne Shqiperi, kaq mund te them. Nuk merret vesh kush eshte i miri e kush eshte i ligu</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.