Rripi shpëton jetë: 36% më pak të vdekur se parvjet në automjete të aksidentuara

Postuar në 28 Dhjetor, 2015 14:28

Numri i gjobave për shkeljen e neneve 169 dhe 170 të Kodit Rrugor (mospërdorimi i rripit të sigurisë dhe i kaskos mbrojtese nga motoçiklistët) pothuaj është dyfishuar në krahasim me parvjet. Konkretisht, sipas buletineve të Policisë së Shtetit, janë vënë 96,800 gjoba për shkeljen e këtyre dy neneve në 11 muajt e parë të këtij viti, krahasuar me rreth 50 mijë gjoba në të njëjtën periudhë parvjet.

Rezultati? Sistemi AIS i Policisë Rrugore tregon se, në 11 muajt e parë të 2015-ës, ka patur 260 të vdekur në automjete të përfshirë në aksidente rrugore (shoferë, pasagjerë, motoçiklistë), ose 36% më pak se në të njëjtën periudhë parvjet. Kuptohet që në këtë ulje të ndjeshme mund të kenë ndikuar edhe faktorë të tjerë, si pakësimi i numrit të shoferëve që drejtojnë mjetin në gjendje të dehur ose me shpejtësi të madhe, si dhe përmirësimi i sinjalistikës dhe sigurisë rrugore. Por është e provuar statistikisht në literaturën botërore shkencore se përdorimi i rripit të sigurisë e përgjysmon probabilitetin e vdekjes në një aksident të rëndë.

(Shënim: Edhe numri i këmbësorve/biçiklistëve të vdekur nga aksidentet rrugore është ulur 13% në krahasim me parvjet)

Përdorimi i rripit të sigurisë në automjete dhe i kaskos mbrojtëse nga motoçiklistët nuk ndikon vetëm për uljen e numrit të të vdekurve nga aksidentet rrugore, por edhe në uljen e numrit të sakatuarve prej tyre. Kështu, përdorimi i rripit të sigurisë e ul 30% probabilitetin e plagosjes së rëndë në një aksident serioz. Si rezultat, kur rritet numri i përdoruesve të rripit, ulet numri i plagosjeve të rënda, por nga ana tjejtër, rritet numri i atyre të lehta. (Në një aksident serioz, kush është i lidhur, mund të plagoset lehtë, në vend që të plagoset rëndë apo të vdesë).

Shifrat e 11 mujorit të 2015-ës tregojnë pikërisht një histori të tillë. Numri i njerëzve të plagosur rëndë në automjete të përfshira në aksidente rrugore (shoferë, pasagjerë, motoçiklistë) u ul  18% në krahasim me parvjet. Dhe shumë nga ata që s’u plagosën rëndë apo s’vdiqën falë përdorimit të rripit/kaskos, thjesht mund të jenë  plagosur lehtë  – numri i të plagosurve lehtë u rrit 16% në krahasim me parvjet.

E. Zaloshnja

Comments

Submitted by Llesh Fran Gjoka (not verified) on

Kjo qe thuhet, eshte gje e mire dhe nje tregues qe tregon se njerezit, marrin vesh ( kuptojne) edhe me masa shtrenguese, ose me mire, me " dru", mbasi keshtu e kuptojne me mireshqiptaret.

Submitted by Driton (not verified) on

Shkrim i mire.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.