"Mbylle po deshe"

Postuar në 10 Shkurt, 2022 08:28

Kompania mëmë e Facebook, Meta, paralajmëroi këtë javë se mund të mbyllë operacionet e Facebook dhe Instagram në Evropë, nëse nuk i lejohet më të ruajë të dhëna për përdoruesit evropianë në SHBA.

Por ligjvënësit evropianë reaguan duke e quajtur këtë thjesht një bllof.

Mund të konfirmoj se jeta do të ishte shumë e mirë pa Facebook dhe se ne do të jetonim shumë mirë pa Facebook”, u tha gazetarëve ministri francez i Financave, Bruno Le Maire, i cituar nga Euronews.

Ministri gjerman i Ekonomisë, Robert Habeck, pranoi të njëjtën gjë.

Pasi më hakeruan, kam jetuar pa Facebook dhe Twitter për katër vjet dhe jeta ka qenë fantastike,” tha ai.

Në këto dy deklarata mund ta gjejnë veten shumë prej nesh. Bota do të ishte një vend shumë më i mirë pa Facebook dhe Instagram, platforma që kanë dështuar vazhdimisht të mbajnë nën kontroll abuzimin e shfrenuar dhe gjuhën e urrejtjes.

Mund të duket për të qeshur, por pas kësaj Meta rikthehet në tryezën e pazareve me bishtin mes këmbëve.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë dëshirë dhe asnjë plan për t'u tërhequr nga Evropa, por realiteti i thjeshtë është se Meta, dhe shumë biznese, organizata dhe shërbime të tjera, mbështeten në transferimin e të dhënave ndërmjet BE-së dhe SHBA-së për të operuar shërbimet globale”, shkruan më tej kompania.

Në fillim të këtij viti, Meta paralajmëroi Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë në dosjen e tij vjetore se nuk donte më të drejtonte Facebook dhe Instagram në BE nëse ligjvënësit nuk mund të gjenin një mënyrë për t'i lejuar ata të lëviznin dhe ruanin të dhënat e evropianëve në serverat amerikanë.

“Nëse një kornizë e re e transferimit të të dhënave transatlantike nuk miratohet… ne nuk do të jemi në gjendje të ofrojmë një numër prej produkteve dhe shërbimeve tona më të rëndësishme, duke përfshirë Facebook dhe Instagram, në Evropë”, thuhet në dosje.

Kompania argumentoi se moslejimi për të ruajtur të dhënat e saj në servera të vendosur në BE do të pengonte biznesin e saj të reklamave të targetuara.

Ligjet e reja për mbrojtjen e të dhënave në BE, megjithatë, kërkojnë që kompanitë, përfshirë Meta, t’i përpunojnë të dhënat për qytetarët e BE brenda Evropës.

Më parë, Meta operonte brenda një kuadri të quajtur Privacy Shield që e lejonte atë t’i zhvendoste të dhënat. Por korniza u rrëzua nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë në korrik 2020, pasi u argumentua se marrëveshja shkelte ligjet e reja për mbrojtjen e të dhënave.

Meta tani i quan lajme të rreme raportimet për tërheqjen nga Europa.

"Ka pasur raportime në shtyp se ne po 'kërcënojmë' të largohemi nga Evropa për shkak të pasigurisë mbi mekanizmat e transferimit të të dhënave BE-SHBA," shkroi Markus Reinisch, zëvendëspresident i Meta's Public Policy Europe, në një blog. "Kjo nuk është e vërtetë. Ashtu si të gjitha kompanitë e tregtuara publikisht, neve na kërkohet ligjërisht të zbulojmë rreziqet materiale për investitorët tanë.”

Sigurisht, e gjithë kjo duket se bie ndesh me dosjen e vetë kompanisë SEC.

“Ne nuk kemi absolutisht asnjë dëshirë të tërhiqemi nga Europa; sigurisht që nuk e bëjmë”, vazhdoi Reinisch. “Por realiteti i thjeshtë është se Meta, si shumë biznese, organizata dhe shërbime të tjera, mbështetet në transferimet e të dhënave midis BE-së dhe SHBA-së për të operuar shërbimet tona globale.”

“Ne duam t’i shohim të garantuara të drejtat themelore të përdoruesve të BE-së dhe duam që interneti të vazhdojë të funksionojë ashtu siç ishte në fillim: pa fërkime, në përputhje me ligjet në fuqi,” argumentoi VP, “por jo i kufizuar nga kufijtë kombëtarë”.

Rasti në fjalë nuk bën gjë tjetër veçse nxjerr në pah sa papëlqyer është bërë Meta mes ligjvënësve në mbarë botën.

Refuzimi i saj për të punuar me ligjvënësit për të siguruar që të dhënat e qytetarëve të mbrohen mirë brenda BE-së tregon se qëllimi i tij parësor nuk është interesi më i mirë i përdoruesve.

Sepse në fund të fundit, nëse nuk je klienti, atëherë je produkti. 

Comments

Submitted by Anonymous (not verified) on

A nuk ka rrezik shperdorimi i te dhenave personale te qytetarve an e mban botes nga autoritetet amerikane? A nuk kontrollohen keta qytetare te botes edhe ne pikpamjet e tyre politike, ideollogjike, ekonomike, etj.? Perse mos ta beje kete kontroll cdo shtet vete per qytetaret e saj?

Submitted by Gkfk (not verified) on

neve apo ne?!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.