Sulejmani i Manipulueshëm

Postuar në 06 Tetor, 2015 04:45
Andis Muka

Debatit rreth mbishkrimit të sulltan Sulejmanit iu shtua edhe Aurel Plasari, me titullin përkatës para emrit, ndërkohë që Artan Fuga e Edmond Tupja, për të cituar dy të porsabotuar në rubrikën opinione të Panoramës, i vijnë lexuesit pa dekorata. Me sa duket tani gjykohet i domosdoshëm certifikimi i retorikës me rang, që, e monopolizuar nga deputeti në gatishmëri Eduart Ndocaj, rrezikon të banalizohet dhe të shfryjë tullumbacen e Djallit rezervuar osmanëve në liturgjinë e memories sonë kolektive. Duke lexuar analizën e tij kuptohet se dhunuesit e mbishkrimit nuk janë një shpurë idiotësh, që shohin ëndrra mesjetare, pasi zjarri i motivacionit të tyre (minimalisht ai) mbahet përherë i ndezur nga gardianët e memories. Që në fjalinë e parë Plasari sintetizon justifikimet e atyre të cilët bëjnë thirrje për tritol:

"Sulltan Sulejmani II (1502- 1566), të cilin po orvaten në mënyrë trashamane t’ua paraqesin shqiptarëve si “rindërtues” monumentesh kulture – në kuptimin e rivënies në vend të gurëve në një kështjellë fort më të moçme të rrënuar prej tij ose prej paraardhësve të tij në fushatat për të shtypur e nënshtruar arbërit dhe Arbërinë – ky sulltan pra ka lënë në histori dëshmi të atyre që në gjuhën e sotme do të quheshin “krime kundër njerëzimit”.

Pra: (a) Sulejmani nuk ka rindërtuar; (b) ai ose paraardhësit e tij e shkatërruan kështjellën e Lezhës; (c) ai kreu krime kundër njerëzimit. I gjithë shkrimi është në fuksion të këtyre tre pikave. Në fund përmbyllet me të pashmangshmin ‘krahasim’, me të cilin Plasari ndërton Ne, të virtytshmit e superiorët, dhe Ata, barbarët primitivë.

Që Sulejmani e rindërtoi kështjellën e konfirmon mbishkrimi, dhe Plasari këtë duhet të kundërshtojë. Në pamundësi për ta mohuar evidencën e burimit, ai sjell një spërkatje me fragmente burimesh osmane të kohës që, sipas tij, konfirmojnë shkatërrimin nga ana e osmanëve. Dhe ashtu duket po të mos ishte se Plasari i shkurton qëllimisht referencat duke fshehur një fakt të themelor: kështjella e Lezhës u dogj nga vetë banorët e saj. Faktin e rrëfejnë tre burimet e cituara nga Plasari, që në një postim në facebook pati edhe një të katërt, Këvamiun, i cili nuk përmendet tek artikulli i Panoramës sepse burimi rrëfen një kështjellë bregdetare, çka Lezha nuk ishte (është). Tursun Beu, me gjasë i vetmi që mori pjesë në fushatën e Shkodrës, nuk e ka aspak të qartë pozicionin e kështjellës së Lezhës: «Fortesa e Shkodrës gjendet në maje të një kreshte shkëmbore të lartë e të paarritshme, me sipërfaqe të gjerë. Nga të katër anët ajo ka hone. Nga njëra anë sheh bregun e Bunës, një lum plot ujë i ngjashëm me Nilin […]. Fortesa e Lezhës që është e ndërtuar në vendin kur lumenjtë Drin e Buna bashkohen në një rrjedhe uji të gjerë si vetë deti» (Tursun Beu, 2011: 193). Ai pranon se «gjatë natës banorët e Lezhës u vunë zjarrin banesave të veta dhe hipën në anijet e të pafeve» (Po aty: 195).

Gjithashtu Bitlisi e ka të paqartë pozicionin e Lezhës ose, më saktë, e ngatërron me Shkodrën (Pulaha, 1968: 166). Siç e ka cituar edhe Plasari, rrënimi i kështjellës u krye, por pas pushtimit, çka do të thotë se nuk ishte pasojë e luftës së “lezhjanëve”, por zgjedhje e diktuar nga faktorë të panjohur: «me që kështu e donte puna» (Po aty: 171). Ibn Kemali (Kemal Pashazade), 10 vjeçar kur ndodhën ngjarjet, rrëfen se «në mbrëmje ata [banorët] i vunë zjarrin të gjithë kalasë dogjën krejtësisht ç’kishte brenda […]. Ata me duart e veta e dogjën vendin e tyre dhe me veprimet e tyre tiranike shkatërruan çdo gjë» (Po aty: 223). Në thelb, jo vetëm që këto tre burime nuk vërtetojnë pjesëmarrjen e Sulejmanit, por ia atribuojnë djegien lezhjanëve. Kjo reflekton edhe metodologjinë historiografike të Plasarit.

Pika e tretë, akuza për krime kundër njerëzimit, koncept i 1915, i kristalizuar pas Luftës së Dytë Botërore, ka nuancat e një arsyetimi vërtetë komik, aq më tepër kur artikulli është hapur me ‘Prof. Dr.’. Sot mund të thuhet se Perandoria osmane nuk respektoi as të drejtat e kafshëve, as korsinë e biçikletave, as të drejtat e të miturve e me radhë, por gjykimi bëhet me kontekst. Perandoria romake vrau e zhduku popuj të terë, e megjithatë kjo nuk e shqetëson Plasarin aq sa të ndryshojë emrin Aurel, që origjinën e ka te gens Aurelia. Sa kanë vrarë perandorët e ashtuquajtur ilirë? Krime monstruoze/masive ndaj njerëzimit janë kryer në periudhën që Plasari ka përzgjedhur si origjinë e identitetit europian. Po kështu Perandoria bizantine, Kalifati, Papati, deri te Perandoria e pashpallur e ShBA. Me këtë logjikë edhe Zoti do të kishte hyrë në burg për sa e sa krime me sfond seksual.

Do të kishin hyrë në burg e do të duhej të ndëshkoheshin me damnatio memoriae edhe ata që me Perandorinë osmane bashkëpunuan, e vlerësuan dhe e ftuan. Lista është e pambarim, shkon nga Lindja në Perëndimi, nga islami te katolicizmi dhe ortodoksia, nga pragmatistët tek idealistët. Piu II, idealisti dhe humanisti që Plasari i ka kushtuar librin e fundit, i shkroi një letër Mehmetit II, një tjetër të akuzuari për krime ndaj njerëzimit, në të cilën i premtohej kurora perandorake dhe delegimi i përkujdesjes ndaj Kishës katolike në Ballkan nëse konvertohej. Bajazitin II, djali i Mehmetit II, të cilin Plasari kujdeset ta përfshijë në krimet kundër njerëzimit, papa Aleksandri VI i shkruante: «ia besojmë fuqisë tënde [Bajaziti II] atë mbretëri [e Napolit] dhe të bëjmë thirrje që t’i marrësh në tutelë të gjitha tokat dhe njerëzit e tij ashtu si shtetin dhe tokat tona e të Kishës së Romës, dhe me të njëjtën mirësi të përkujdesesh për interesat e asaj mbretërie dhe të tonave». Mund ta fshehim Skënderbeun osman, por jo atë shqiptar të përshkruar nga Barleti “ynë”:

"U hodh menjëherë me forca të freskëta përtej Drinit, duke u sjellë njëkohësisht dëme të shumta shkodranëve. […] prishi çdo të mbjellë në fushë dhe zhduku krejt gjithë vreshtat; çdo pemë frutore pothuaj u sheshua. Fshatarët, që erdhën kundër, me të shumtët u vranë […] të tjerët u përpoqën keq e mbetën pa gjë se ua mori pronat. Që këndej ai vazhdoi paprerë drejt vendesh e qytezash të tjera venedikase, duke mbjellë kudo të njëjtin mjerim. […] Skënderbeu e pati quajtur fajtor Hamzën për zemërimin e tij, por për të vetin nuk deshi t’ia dinte (Barleti: 131)".

Apo:

"Kudo gjak e vrasje, kudo s’dëgjohej gjë tjetër veçse ulërima e atyre që po jepnin shpirt. Një palë po u hidhnin prangat robërve, një palë tjetër, duke lënë të shëmtuar trupin e armiqve, i merrnin kokën dhe e ruanin si dhuratë të veçantë për komandantin. Më të shumtit po plaçkitnin kampin, sepse njerëzit lakmonin më tepër plaçkën (Barleti: 68)".

«Leximi i historisë të bën që disa personazhe t’i dashurosh, ndërsa disa të tjerë t’i neveritësh», shkruan Plasari. Më se e vërtetë, por mbetet në dorën e historianit të orientojë leximin, dhe konkretisht Plasari orienton drejt urrejtjes, duke përzgjedhur të evidentojë dhe gjykojë fakte e ngjarje që janë universale. Një fakt s’e mohon dot, që Sulejmani e rindërtoi atë kështjellë, e rreth kësaj çështjeje Plasari s’ka asnjë fjalë, prandaj kalon sa në Himarë, sa në familjen e sulltanit. Në asnjë nga monografitë e Plasarit nuk ka hapësirë për aspekte që e “normalizojnë” Perandorinë osmane, le pastaj të ndonjë gjurme trajtimi kulturor. Është jetike për të gjithë bazamentin teorik të studimeve të tij që sulejmanët të jenë përherë dhe ekskluzivisht shkatërrues, ndryshe si do të mund të shndriste kategoria e aurelëve dhe ajo çka përfaqësojnë?

"Postbllok"

Comments

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ti or bir e ke mire, por nqs vazhdon llogjiken tende atehere duhet te presim qe ndonje historian hebre te filloje t'i thurre lavde Reichut te Trete.

Submitted by Turni i Tretë (not verified) on

Askush nuk po i thur lavde askujt. Vendosja e pllakes aty ku ka qene thjesht ploteson nje zgaver ne mur. Por sigurisht me mire ta heqin se ka njerez qe pelqejne zgavren me shume, nuk rrijne dot pa zgavra.

Rajhu i Trete me hebrenjte ka vepruar pak si shume ndryshe, krahasuar me menyren si vepronte Sulejmanin dhe hebrenjte ose shqiptaret. Europa e shekullit te XX nuk i ka pasur dot standartet e Sulejmanit. Hitler plehu i Gjermanise europiane moderne i vrau hebrenjte e shkrete pa i bere asgje, te paarmatosur, kurse Sulejmani mesjetar oriental (te cilin vete, perendimi e quan I MADHERISHMI, se turqit i thone thjesht Sulejman Kanuni) luftonte me ata qe i kthenin armet. Burre per t'u marre shembull nuk mund te kete qene, se ka vrare per pushtet te birin e shokun e ngushte, por ne mesjete intriga pallati te tilla ishin kudo ne bote.

Por le te rrijme te Rajhu i Trete, se i kemi dhe bashkefshatare te races ariane.

Hebrenjte filloi t'i digjte Europa e ndricuar qe ne kohe te Sulejmanit, per ta vazhduar pastaj deri ne kohe te Hitlerit. Kurse Sulejmani dhe njerezit e vet i strehonin.
Te krishteret ne Shqiperi kishin kishat e tyre, ndonese nuk trajtoheshin njelloj me myslimanet, sigurisht, se mesjete ishte, shteti mbante lart nje fe, po te pakten lejonte zyrtarisht edhe te tjerat, gje qe nuk ishte e garantuar kudo per kohen. Prifterinjte katolike vinin lirisht nga pertej detit ne token shqiptare qe qeverisej nga turku. E di ti qe nuk mund te jesh katolik pa lidhje me Vatikanin? Lidhjen me Vatikanin nuk ua preu turku katolikeve, as ortodokseve me Patriarkanen, sigurisht qe jo. Ne mesjete kjo gje nuk ka qene pak, shih shembullin e Euroipes c'beri me hebrenjte e spanjes e Sicilise, lere pastaj c'beri me muslimanet e atyre tokave.

Por fatmiresisht, Mesjeta ka mbaruar, bile edhe vitet '30 kur Europa e ktheu serish mesjeten me djegie njerezish per se gjalli, ka mbaruar.

Pllaka 500 vjecare nuk eshte lavderim as sharje, e as qe e kupton dot njeri se c'shkruan aty. Ajo thjesht i jepte pak histori e vjetersi atyre mureve me ere qoftesh, po sigurisht qe me zor nuk i fut dot njerezit ne histori. Le ta heqin sa me pare ate pllake e te kthejne sa me shpejt zgavren ne mur.

Dhe po qe per krime te mesjetes kunder shqiptareve, duhet t'i shenojme te gjitha, nga te gjtha palet. Keshtu pervecse shembujt nga Marin Barleti per mizorite e Skenderbeut ndaj shkodraneve, duhen shtuar edhe dokumente qe flasin per mizorite e Skenderbeut kunder pikerisht Lezhes dhe lezhjaneve katolike te kohes.

P.sh. Banorët e Lezhës njoftonin se "njëfarë Jorgius Castriot ka kryer shumë grabitje e vazhdon të rrëmbejë bagëtinë e tyre e të marrë rob gratë e familjet e tyre" (Acta Albanie Veneta 5009 ose faqja 159 tek "Skenderbeu" i Oliver Jens Shmitt)

Submitted by Plaku Xhuxhumaku (not verified) on

Ke harxhuar shume boje or taj per te shkruar gjera qe i dine edhe lopet e Kasharit dhe nuk e ke kuptuar ironine e komentit tim. Nejse, asnjehere nuk kuptohet mire kush e ka fajin per keqkuptimet ose moskuptimet, ai qe flet, apo ai qe degjon. Megjithate, pergezime per zellin vezullues ne dithirambet per Sulejmanin e lavdishem, pardon te madherishem, qe nuk e kishte per gje te vriste kalamajte e tij, por ishte nje burre i shkelqyer shteti qe i dhimbseshin hebrejte.

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.