Kristo Frashëri kujton Tiranën e tij; dhe shpjegon se si u bë kryeqytet

Postuar në 12 Shkurt, 2012 05:35

Historiani Kristo Frashëri flet (shkruan) për Tiranën, në të përditshmen Mapo, në këtë përvjetor të këtij qyteti si kryeqytet. Duhet të jetë një intervistë e tij që i është marrë me diktofon, dhe pastaj është zbardhur. “Unë nuk kam lindur në Tiranë, kam ardhur në Tiranë kur isha 7 vjeç, para 85 viteve, më 1927.  Në atë kohë, Tirana kishte vetëm puse, ujësjellës nuk kishte. Thoshin në atë kohë, pleq të thjeshtë tiranas që thoshin ‘Tironë’, që ‘po pive 40 kova ujë je bërë tiranas’. Unë kam pirë jo 40, por kam pirë nja 4000 kova ujë, kështu që unë e ndiej veten tiranas”, thotë ai fillimisht.

Më pas shpjegon ‘magjinë’ e Tiranës, që i vjen kryesisht prej pozicionit të trevës, ku është ngritur: “Tirana është qytet që e krijoi treva ku është. Është një trevë shumë interesante. Tirana bregdetare është kryqëzim rrugësh nga Dalmacia, nga Shkodra, Ulqini, Lezha, për të shkuar në Lindje, duhej kaluar njëherë nga Tirana, Qafë-Krrabë dhe në Elbasan, rrugën “Egnatia” e shkonin drejt e në Manastir, Selanik, Stamboll e më tutje. Kjo ishte rruga veriore, ishin dy rrugë të tjera pastaj horizontale, njëra nisej nga Durrësi, bregdeti, qyteti bregdetar, vinte në Tiranë dhe kalonte në rrugën e “Shën Gjergjit” e lidhte Malësinë me detin. Qe një rrugë tjetër që nisej nga Kavaja, që ishte një qytet tregtar, po aq i lulëzuar sa edhe Durrësi e vinte nga Kavaja e shkonte nëpër Ndroq, tek Urë e Beshirit në Tiranë e hynte në Rrugën e Dibrës e në Qafën e Tujanit, Qafë të Murizës, në Mat, në Dibër, në Maqedoni. Po t’i shikosh në hartë këto tre rrugë kryesore, ato takohen në Tiranë, në sheshin “Skënderbej”, prandaj Tirana lindi si qytet, kur u gjallërua krahina, treva.”

Tirana ka një histori të hershme, thotë Frashëri, gjë që dëshmohet nga kalaja, që është zbuluar atje ku është, pranë Akademisë dhe rrugës Murat Toptani. “Pastaj erdhën dyndjet barbare, u zhduk Tirana, pastaj erdhën përsëri turqit, dhe në shekullin e 17-të, Tirana u ringjall përsëri, se e ringjalli treva.”, thotë ai.

Dhe vijmë në shekullin e XX. Frashëri saktëson: “Më 1912 Tirana ishte qytet, por ishte vetëm nënprefekturë, varej nga Prefektura e Durrësit, e cila kishte 3 mijë banorë, kurse Tirana kishte 12 mijë banorë dhe prapë varej nga një Prefekturë që ishte shumë më e vogël. Kur u bë kryeqytet Tirana, më 1920, Tirana ishte qytet, në kuptimin “ballkanik” të fjalës, ishte qytet sepse nuk merrej me bujqësi, me bujqësi merren fshatrat apo qytezat që janë ende fshatra, merrej me zejtari dhe me tregti, edhe me kopshtari, se kopshtaria ishte pjesë e pandarë e jetës qytetare.”

Po pse e si u zgjodh Tirana kryeqytet? Sipas historianit të njohur, “Tirana në Kongresin e Lushnjës nuk ishte nga ato që u vendos menjëherë të bëhej kryeqytet i Shqipërisë. Problemi ka qenë i tillë që kryeqyteti i Shqipërisë në atë kohë ishte Durrësi dhe ligjërisht ishte Durrësi dhe me statut ishte Durrësi, por Durrësin e kishin pushtuar italianët dhe ushtritë italiane lajmëruan qeverinë që u formua në Lushnjë, ‘të mos afrohen në Lushnjë, se i pret mitralozi.’ Dhe këta nuk deshën gjakderdhje dhe vendosën se ku të venë përkohësisht, si kryeqytet sa të lirohej Durrësi. U hapën biseda, jo do venë në Shkodër, jo në Krujë, jo në Elbasan, jo në Vlorë, pika të forta kishte Vlora, se Vlora ishte kryeqyteti i parë i Shqipërisë, por Vlora thoshin ishte shumë larg Shqipërisë veriore, shumë larg Kosovës, shumë larg Maqedonisë. Thanë Shkodra, por Shkodra ishte shumë afër Malit të Zi. Dhe u vendos Tirana.”

Re.Pu.

Comments

Submitted by raimondi (not verified) on

<p>Kristo&nbsp; Frasheri&nbsp;&nbsp; shume&nbsp;&nbsp;i ditur&nbsp;, &nbsp;shume patriot&nbsp; dhe shume modern ne menyren e arsyetimit &nbsp;--Tamam Akademik&nbsp;&amp; Rilindas</p><p>I uroj Jete te gjate&nbsp; zotit K,.Frasheri&nbsp; !</p>

Submitted by Gusmari (not verified) on

<p>Bashkohem me ty Raimond. I vleresojme figurat tona &quot;pas vdekjes&quot; (dmth, per te lare gojen me hipokrizi), sa jane gjalle i anatemojme e i kontestojme sipas bindjeve tona politike e shkalles se injorances sone.</p>

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.