Greqia në prag të kaosit: U duk sikur ia dolën, por jo….

Postuar në 10 Shkurt, 2012 13:32

Greqia ndodhet në prag të kaosit. Plani i shkurtimeve që u duk se bëri tok të gjitha partitë parlamentare e që iu përcoll si sukses borxhdhënësve (BE dhe FMN) nuk është shoqëruar me konsensus nga poshtë. Sot janë verifikuar protesta në qendër të Athinës, dhe nga ballafaqimi mes protestuesve e policisë ka patur disa të plagosur. E sikur të mos ish mjaft ky fakt, partia e ekstremit të djathtë Laos, e drejtuar nga Jorgos Karazaferis, ka dalë nga rreshti. “Nuk jemi dakord me këtë plan, dhe pasnesër në parlament do të votojmë kundër”, kanë njoftuar eksponentë të saj. Nuk është se votat e kësaj partie prishin ndonjë punë (Laos ka vetëm 15 vende në parlament), por ekziston frika se ky gjest me logjikë të pastër elektorale (Karazaferis është kapur nga paniku se vota në favor të këtij plani “të shtrëngimit të rripit deri në brimën e fundit” mund t’ia largojë mbështetësit) mund të përhapet si epidemi dhe tek parti të tjera.

Kryeministri Papademos ka zënë të bëjë lojën e paralajmërimeve katastrofike, e cila në këto rrethana nuk duket dhe aq shumë lojë. Katër ministra të Laos-it dhanë dorëheqjen, dhe menjëherë më pas Papademos u shpreh: “Pa këtë marrëveshje rrezikojmë të futemi në një kaos të pakontrolluar e në një shpërthim të tensioneve sociale”.

Re.Pu.

Comments

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.