Flet eksperti fiskal Genc Ramaj: Sistemi miks i ekonomisë shpëtimtari i krizës

Postuar në 18 Shtator, 2015 08:02

 

Genci Ramaj, ekspert fiskat dhe brokeri i parë i licensuar nga Bursa Shqiptare, tek flet për problemet financiare nuk harron të përmendi një shprehje të kthyer në hit tanimë: “Nuk duhet të jetë politika në plan të parë, por ekonomia dhe kapitali”. Dhe për më tej ai shton: “Parimet kryesore të rendit kapitalist janë: Iniciativa e lirë, Prona private dhe Infrastruktura rrugore”- në një kohë kur flitet shumë për problemet ekonomike, për ato që e gjejnë rrugën e daljes nga kolapsi dhe për të tjerë që nuk gjejnë zgjidhje “ResPublica” iu drejtua sërish Genci Ramajt si nëj nga njohësit më të mirë të tregut të kapitaleve.

ResPublica: - Kur duket se kriza ka përfshirë një pjesë të vendeve të Evropës, cili është sistemi ekonomik më efikas që ccon në daljen nga kjo krizë?

Historia ekonomike ka treguar që sistemet ekonomike më efektive sot janë sistemet ekonomike mikse, ose të “Rrugës së Tretë”. Në Rrugën e Tretë, Shteti duhet të luajë një rol aktiv në ndërmjetësimin midis klasave, të inkurajojë arritjet e fitimeve private, të ofrojë shumë nxitje ndaj bizneseve, por edhe të kërkojë që i gjithë aktiviteti ekonomik t’i shërbejë interesit kombëtar. Pra thelbi i Rrugës së Tretë është nevoja e ndërhyrjes së qeverisë në nxitjen e ekonomisë kombëtare.

 

ResPublica: - Cilët janë instrumentat që garantojnë suksesin?

Instrumentet më të rëndësishme për realizimin e këtij qëllimi ekonomik janë: Pikë së pari “truri” ku futet Bordi i Inteligjencës Ekonomike; së dyti “zemra” që ka të bëjë me Tregun Financiar dhe atë Bankar; dhe së treti “muskujt” që janë Korporatat e Mëdha dhe Politikat Fiskale. Nëpërmjet realizimit të këtij programi ekonomik do të ndodhë edhe transformimi i ekonomisë shqiptare nga një ekonomi e dobët dhe aspak frymëzuese, në një ekonomi të një vendi të begatë dhe të integruar në BE. Në këtë mënyrë do të realizohet një herë e përgjithmonë, ndarja me atë që politika e deritanishme këto 23 vjet e quan tranzicion. Në këtë kontekst, një rëndësi të veçantë, qeveria, duhet t’i kushtojë funksionimit të tregut Financiar dhe Bankar.

ResPublica: - Të vijmë te Bursa Shqiptare, përse nuk funksionon?

Tregu Financiar, ku primare është Bursa, tek ne figuron vetëm në letër. Ky institucion, që me ligj figuron që nga viti 1996 si Departament i Bankës së Shqipërisë dhe që nga viti 2002, figuron si shoqëri aksionere ku Ministria e Financave zotëron 100 % të aksioneve, nuk funksionon. Tek mosfunksionimi i këtij institucioni duhet gjetur shkaku kryesor i gjendjes së mjerueshme financiare që kemi. Bursa është tregu i kapitalit ku bëhet ballafaqimi kërkesë – ofertë për kapitale dhe ky ballafaqim, bëhet me ofertë publike. Pronari Shtet, duhet ta fillonte këtë aktivitet me atë që tek ne është quajtur privatizim. Por çuditërisht, i vetmi institucion që nuk është përfshirë asnjëherë, këto 23 vjet, në komente të ndryshme nga politika, shtypi, mediat është Agjencia Kombëtare e Privatizimit. Në bursë duhet të ishte bërë dhe të bëhet edhe ankandi i Bonove të Thesarit. Por këto dy drejtime të këtij aktiviteti institucional nuk janë bërë asnjëherë. Këtu buron edhe shkaku kryesor i korrupsionit galopant dhe i moszhvillimit ekonomik.

 

ResPublica: - Sipas jush cilat janë prioritetet që duhet të ketë një qeveri për ekonominë?

Në programin ekonomik duhet t’i kushtohet rëndësi sistemit bankar, i cili nuk është mbështetës i ecurisë së bizneseve, por është kthyer në një sektor pasiv për ekonominë. Rritja e kredive të pashlyeshme dhe pagesat e shumta që bëhen për komisione të ndryshme shërbimi, e faktojnë më së miri këtë pozicion të sistemit bankar. Në këtë drejtim, konform Rrugës së Tretë, Shteti duhet të krijojë një bankë ku të zotërojë jo më pak se 51% të aksioneve. Ristrukturimi i këtyre dy drejtimeve në Tregun Financiar, duhet të jetë një nga prioritetet e programit qeveritar, sepse janë faktorët kryesorë për zhvillimin, përballimin dhe minimizimin e efekteve të krizës në ekonominë tonë.

ResPublica: - Cili është sektori që duhet të ndryshojë rrënjësisht?

Prioritet ndryshimi duhet të ketë sektori shëndetësor, i cili fatkeqësisht deri më sot është sektori më i prapambetur dhe më i korruptuar, në një kohë që është sektori më i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të gjitha shtresat e popullsisë. Për ristrukturimin e këtij sektori, duhet së pari, që ai të shndërrohet në sektor me aktivitet edhe ekonomik. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, sektori më fitimprurës është sektori i shërbimeve, ku ai mjekësor është primar. Prandaj është e nevojshme dhe e domosdoshme që ky sektor të shndërrohet në sektor juridik sipas Ligjit të Shoqërive Tregtare, pasi si spitalet, ashtu edhe Instituti i Sigurimeve Shëndetësore akoma nuk kanë një status juridik bashkëkohor.

 

Intervistoi: Leonard Veizi

Comments

Submitted by brokeri i burse... (not verified) on

Bravo Respublika.Paskeni gjetur formulen magjike dhe "ekspertin" injorant te duhur

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.