Berisha letër OSBE-së: "Raporti, kolektor ujërash të zeza". "RD" ka tri ditë që i referohet

Postuar në 14 Shtator, 2015 16:12

Leter publike drejtuar shkelqesise se tij, ambasadorit te Prezences se OSBE-se ne Shqiperi, zotit Florian Raunig!
"I nderuar zoti ambasador,
Me kete leter deshiroj, se pari t’ju pershendes dhe t’i jap nje pergjigje me te zgjeruar raportit tuaj ne lidhje me pjesen ku flitet per mua. Qe ne fillim dua te theksoj, se ky raport paraqet nje lloj kolektori te ujerave te zeza, qe kane qarkulluar si akuza, kunderakuza, shpifje, trillime, madje, siç shpreheni ju vete, edhe thashetheme qe nuk njohin kufije etike, morale dhe kohore dhe qe, ne teresi, jane bere me goje dhe me shkrim nga kundershtaret e mi, ne mediat e tyre, ne kuadrin e nje lufte politike. Por, une mendoj zoti ambasador se, kur nje zyrtar, cilido qofte ai, rendit ne nje raport vetem akuza, thashetheme e shpifje ndaj nje personi, eshte ne detyrimin e tij civil, qe ne emer te paanesise se tij dhe zyres qe ai drejton, dinjitetit njerezor te personit apo personave qe pergojon, te pasqyroje ne raport, kur ekzistojne, edhe pergjigjet, sqarimet pergenjeshtrimet, hetimet apo vendimet e gjykatave te vendit apo te huaja te pales se akuzuar, te botuara edhe ato ne media. Injorimi total i tyre, siç beni ju ne raport, pavaresisht se kane pare dhe ato driten e diellit, me duhet te them se me se paku provon njeanshmerine e ekstreme tuaj dhe indirekt ju ben ju pale me shpifesit. Kurse raportin e shnderron thjesht ne nje kolektor shpifjesh, fallsifikimesh, thashethemesh, dokument dizinformimi. Nje raport me nje njanshmeri te tille te skajshme do ta kishte patur zili edhe qatipi Hysmetullah i nje krahine te larget te Perendorise Otomane, i cili 187 vjet me pare, kur nuk kishte çfare te shkruante ne raportin e radhes dhe ne mungese te mediave, mblidhte ne darke vone plakat e mehalles dhe ju kerkonte atyre ti tregonin te gjitha thashethemet, madje edhe endrrat me te keqia qe ato kishin pare apo degjuar dhe ndertonte me to raportin per gjendjen ne nahije qe ia dergonte myteserifit. Mirepo, qatipi Hysmetullah vuante nga alergjia ndaj se vertetes, semundje pothuaj epidemike ne diktatura dhe tiranira, kurse ju keni bere zgjedhjen tuaj ne liri te plote dhe kjo eshte e vajtueshme. Por pavaresisht nga keto konsiderata per raportin tuaj une jam i detyruar, qe ne respekt te zyres qe ju perfaqesoni, t'ju ktheje pergjigje.
Ne krye te heres, une dua te shtoj se ju, duke mos dashur apo duke mos mundur te seleksiononi per raportin tuaj disa "perla" nga seria akuzave te panumerta direkte ndaj meje, keni perzgjedhur me kujdes te gjitha shpifjet, trillimet e kundershtareve te mi politike ndaj femijeve te mi, me objektin e vetem Sali Berishen, gje qe me detyron mua te pergjigjem per akuzat e raportit tuaj ndaj Argites dhe Shkelzenit, pavaresisht se ata mund ta benin fare mire vete kete gje.
Ne raportin tuaj ju z. ambasador shkruani se: "vendimi i Sali Berishes per te transformuar nje moçalishte te pavlere ne pasuri te patundshme kryesore ne zonen e Porto Romanos ndihmoi familjen e tij dhe biznesmenin Damir Fazliç qe te fitonin miliona euro". Ketu, ne te vertete ju ricikloni nje shpifje te ulet dhe qesharake te BIRN, e cila nga ana e saj ka ricikluar ad literam shpifjet dhe trillimet e Edi Rames dhe suites se tij per kete problem. E verteta per kete çeshtje, per ata qe jane te intersuar, eshte krejt tjeter.
- Se pari, qeveria ime qe erdhi ne pushtet ne vitin 2005 ka gjetur ne perfundim e siper ndertimet nga nje kompani vendase ne portin energjitik te Porto Romanos, bazuar kjo ne nje vendim te vitit 2000 te qeverise socialiste. Sot Porto Romano, per shkak te pozicionit te tij eshte pothuaj port rajonal energjitik.
- Se dyti, qeveria qe une drejtoja, ne perputhje me interesat zhvillimore te vendit, bazuar ne studime seroze dhe kerkesa te shumta te kompanive vendase dhe te huaja ka vendosur:
a- zgjerimin e territorit te zones se portit ne Porto Romano me 500 hektare. Sot ne zonen e portit kane investuar dhjetera kompani vendase dhe te huaja.
b- krijimin e zones industriale ngjitur me zonen e portit me 800 hektare toke per t’jua ofruar investitoreve.
Keshtu qe, nga 1300 hektare toka te shtuara ne zonen e portit dhe zonen industriale, siperfaqja qe kompania Crown Acqusition kishte blere me ndermjetesimin e studios ligjore te vajzes sime dhe partnereve te saj eshte gjithsej 14 hektare. Kjo eshte me pak se 1/100 e siperfaqes totale te shtuar ne zonen e portit dhe ate industriale, pasi rreth 1/3 e tokes se blere nga kompania shtrihej ne zonen e portit para zgjerimit te saj. Te gjitha keto vendime dhe dokumenta si dhe reagimet e te akuzuarve ndaj shpifjeve, jane botuar disa here ne mediat e vendit.
Sikunder, keto akuza jane hetuar nje per nje nga prokurorja Ina Rama (dhe ju e keni te qarte se pse po permend emrin e saj) dhe ato jane gjetur qe te gjitha te pabaza. Raporti juaj per shkak te njeanesise nuk mund te raportonte per keto hetime (Dosja eshte ne prokurori).
Ju ne raport shkruani se: "Argita Berisha, vajza e ishkryeministrit u akuzua me shume se nje here se ka vepruar si ndermjetese ndermjet qeverise shqiptare dhe investitoreve duke i ngarkuar ata me shuma te konsiderueshme ne kembim te favoreve per nje investim potencial". Kjo akuze e pergjithshme eshte bere nga Edi Rama dhe kundershtaret e mi disa here, por problemi qendron se ata kurre nuk kane qene ne gjendje te shqiperojne emrin qofte dhe te nje kompanie te vetme, per te cilen vajza ime te kete bere ndermjetesine midis saj dhe qeverise dhe anasjelltas. Ajo nuk mund ta bente kete, sepse kodi im etik i punes nuk lejonte nje gje te tille. Perndryshe, ju sot nuk do te ishit duke u marre me thashetheme si keto. Feet (pagesat) e zyres se saj te avokatise kane qene ne perputhje te plote me rregullat e Dhomes se Avokatise dhe ligjin e avokatise se vendit, sic eshte konfirmuar publikisht nga kjo dhome. Rasti i Konsullit pakistanez, qe asistohej nga vajza ime dhe zyra te tjera avokatesh per investimin e tij strikt privat, ne perputhje me ligjin e avokatise, ju kerkua nga nje nga zyrat e avokatise te angazhuara prej tij, te paguaje punen e avokateve ne baze te pagesave mujore ose ne perfundim te saj me nje shume fikse sa 3% e investimit ne rast finalizimi te projektit. Por mediat gjithashtu kane informuar se sapo ky investitor privat ndryshoi formen e investimit, duke kerkuar mbeshtetje nga qeveria per blerjen e produktit nga ana e saj, mori nga qeveria por edhe nga kryeministri nje "jo" te prere, konform interesit publik. Perveç kesaj, mbi akuzat e lidhura pikerisht me kete ceshtje, gjykata, pasi i ka gjetur si shpifje ato, ka dhene ndeshkim civil per autorin e tyre (shih dosjen). Keto jane te gjitha ne media por raporti i juaj nuk i lexon ato.
Lidhur me pretendimin tuaj se Argita ka aksione ne Universitetin e deputetit Astri Velia mund t'ju them me pergjegjesi te plote, se vajza ime nuk ka aksione ne Universitetin e dhene dhe as ne ndonje kompani tjeter ne Shqiperi apo ne bote. Konfrontimi me burimin e kesaj shpifje, te cilen e degjoj per heret te pare, mund te behet ne cdo kohe, pasi nuk besoj se ju jeni autori i saj.
Ju perseri, bazuar ne media, rendisni ne raportin tuaj shpifje dhe trillime te kundershtareve te mi ndaj djalit tim Shkelzen Berisha. Ne raport ju shkruani se: "Shkelzen Berisha, djali i ishkryeministrit ka qene gjithashtu i akuzuar se shpesh ka perdorur emrin dhe influencen e babait per te bere biznes. Ka patur spekullime mbi rolin e tij ne fabriken e demontimit ne Gerdec dhe trafikun e pligjshem te armeve. Ne maj te vitit 2009 nje kabllogram i ambasades amerikane permend pergjime qe tregojne lidhjet e Shkelzenit me Fatmir Mediun, ministrin e mbrojtjes dhe Mihail Delijorgjin, pronarin e kompanise qe manaxhonte Gerdecin”. Keto qe thoni ju, keshtu, jane thene shume here nga kundershtaret e mi politik, por mediat gjithashtu kane njoftuar se nga hetimi i hollesishem i ceshtjes se Gerdecit nga Prokuroria e Shtetit (perseri e drejtuar nga Ina Rama ) dhe gjykimi i kesaj çeshtje, per te cilen u denuan 13 persona, ka dale qarte se Shkelzen Berisha nuk kishte asnje lidhje apo implikim ne çeshtjen e Gerdecit apo sipermarrjen Aldemil. Madje dhe nje faks qe u perdor per te implikuar Shkelzenin, pasi u hetua dhe u krahasua me faksin origjinal te administruar nga Prokuroria, rezultoi se ishte nje fallsifikim i mirefillte nga kundershtare te mi, me qellimin e vetem implikimin e djalit tim (dosjen e keni ne prokurori). Pervec kesaj, eshte publikisht e njohur se Gjykata e Apelit ka denuar ministrin aktual te rendit per shpifje ndaj Shkelzen Berishes per akuzen e tij se ai eshte i implikuar ne ngjarjen tragjike te Gerdecit.
Mendoj se raporti juaj duhet te pasqyronte per hir te se vertetes edhe keto aspekte te paraqitura plotesisht nga te gjitha mediat.
Per sa i perket trafikut ilegal te armeve qe ju permendni ne raport, pra çeshtjes Deviroli, theksoj se eshte e vertete se Deviroli tregtar, i cili i liçensuar nga Pentagoni bente tregti armesh, ka deklaruar se ne nje takim me nje person ne dhome ndodhej dhe nje person tjeter qe nuk fliste por qe i thane se eshte djali i kryeministrit. Mirepo hetimet dhe verifikimet e institucioneve ligjore provuan se personi ne fjale nuk ishte Shkelzen Berisha.
Pervec ketyre, per kete çeshtje ka dy procese gjyqesore te zhvilluara, njeri ne SHBA dhe tjetri ne Shqiperi. Deviroli eshte denuar me 10 vjet burg dhe ne keto procese ne asnje rast nuk ka dale se djali im ka patur lidhje me kete çeshtje.
Ne raportin tuaj ju zoti ambasador, pa cituar burime thoni se: "Shkelzeni ka qene konsultuar shpesh si konsulent nga shume kompani te huaja te cilat shpresonin te hynin ne tregun shqiptar per gjoja lidhjet dhe influencen e tij tek autoritetet me te larta shqiptare, nje nga rastet me te fundit eshte privatizimi i 4 HECeve ne maj te vitit 2013". Zoti Ambasador, se pari dua t’ju sqaroj se tregu shqiptar ka qene nje treg i hapur. Perveç kompanive te ndeshkuara nga OKB, nuk ka patur dhe ne dijenine time nuk ka, kompani apo list kompanish te ndaluara, pra qe nuk pranohen te investojne ne Shqiperi. Gjate periudhes qe ju keni qene ambasador i Austrise ne Shqiperi qindra dhe mijera kompani te huaja, nder to edhe kompani te medha austriake, kane investuar ne tregun shqiptar. Se dyti, Shkelzen Berisha nuk e ka patur kurre te ndaluar, e nuk e ka as sot, te takoje, te keshilloje kompani qe duan te hyne te investojne ne Shqiperi. Ai, per kohen qe une kam qene kryeminister, e ka patur absolutisht te ndaluar njelloj si dhe Argita, te beje ndermjetesin e kompanive me qeverine apo te qeverise me kompanite. Ju e dini se Edi Rama dhe deputete te tjere socialiste, ne mitingje elektorale dhe konferenca shtypi, e kane akuzuar shume here Shkelzenin se ka aksione ne Llotarine Austriake. Madje gjate fushates elektorale te zgjedhjeve te vitit 2013, Rama per kete shkak deklaroi se do anullonte kete konçesion. Shkelzeni per kete akuze ngriti padi civile pas zgjedhjeve dhe gjykata denoi per shpifje zedhenesin kryesor te Rames, deputetin Taulant Balla, i cili sot ka te punesuar te motren si zedhense te kesaj kompanie.
Une nuk kam degjuar kurre se Shkelzeni eshte akuzuar per implikim ne privatizimin e 4 HECeve, por nuk perjashtoj mundesine qe kjo akuze te jete bere, pasi perseri jam i bindur se ju nuk e keni shpikur kete shpifje. Me kete rast sqaroj se privatizimi i 4 HECeve eshte bere me ekspertizen e plote dhe ndihmen e çmuar te IFC. Per 4 HECet shprehen interes 11 kompani, disa prej tyre nder me te medhat ne bote. Ne fund te gares u shpall fitues kompania Kurum. Hidrocentralet u privatizuan me 1.4 milione euro per megavat nderkohe qe ate vit çmimi per megavat ne vende si Kanadaja, Turqia, Bullgaria, Gjerogjia etj etj, luhatej ne 0.3-1.4 milione US$. Shtoj ketu se paraardhesit e mi kishin privatizuar para vitit 2005 afro 15 HECe me 150 mije euro megavatin. Perveç ketyre, ju bej me dije se per shkak te transparences se procesit per privatizimin e 4 HECeve nuk ka patur asnje ankese. Me kete rast ju siguroj me garanci te plote se Shkelzen Berisha nuk ka dhene kurre konsulence ligjore per asnjeren nga kompanite qe ka marre pjese ne kete gare, apo mijera e mijera kompani te tjera vendase apo te huaja, qe kane marre pjese ne gara te tjera publike gjate kohes qe une kam qene kryeminister i vendit. Ai nuk mund te bente kete sepse e ndalonte kodi i prere etik i punes time.
Ne raportin tuaj ju shkruani se: "Shkelzeni eshte akuzuar publikisht per trafik nderkombetar droge nga Izet Haxhia, i cili eshte i denuar per vrasjen e Azem Hajdarit". Mirepo, si per te qendruar ne anen e Izetit, ju ne raport nuk citoni faktet e botuara po ne media, te cilat deshmojne se Izet Haxhia, vrasesi i Azem Hajdarit, eshte denuar kur une kam qene ne opozite, me 25 vjet burg mbi bazen e deshmise dhe fakteve te paraqitura nga Sali Berisha nepermjet ambasadorit te SHBA para prokurorit nderkombetar te caktuar per kete çeshtje, dhe se ai prej 13 vjetesh ndodhet ne arrati. Ai tani, ne vend qe te paraqitet per te vuajtur denimin per vrasjen e shemtuar, duke menduar se mund te lehtesoj denimin, ben shpifje dhe trillime per llogari te kundershtareve te mi, sipas te cilave Shkelzeni ne moshen 17 vjeçare, gjimnazist, paska qene trafikant nderkombetar droge. Ju per shkak te anesimit tuaj nuk keni pasqyruar ne raport as pergjigjen qe vet Shkelzen Berisha, i ka dhene publikisht akuzave te vrasesit ne arrati Izet Haxhia.
Zoti ambasador, me siper thashe se çuditerisht ju keni injoruar dhe nuk keni paraqitur ne raport asgje nga mali i akuzave direkte qe kundershtaret e mi kane bere ndaj meje keto 25 vite. Druaj se kete nuk e ke bere per te me kursyer mua, por ke patur frike se mund te te ktheheshin ne bumerang.
Une jam Sali Berisha; kam nisur karrieren time politike ne nje apartament banimi 87m2 dhe sot pas 25 vitesh jetoj ne nje apartament 125m2. Ky apartament dhe 80 mije euro kursime te miat dhe bashkeshortes time mjeke qe kam te depozituara ne banka jane e gjithe pasuria ime. Nuk kam reaguar kurre ndaj akuzave dhe trillimeve me padi ndaj autoreve, por jam mjaftuar me pergenjeshtrimin dhe nuk jam penduar per kete. Ndaj dhe me kete rast dua t’ju them se, pavarsisht nga thashethemet dhe shpifjet e ulta qe keni renditur ne raportin tuaj, ne vendin tim, as ne vendin tend mik dhe ne as ne ndonje vend tjeter te kesaj toke, ju apo ndonje si ju, dhe asnjeri tjeter nuk do gjeni dot kurre, burre apo grua, njeri te ndershem apo te pandershem, njeri te thjeshte, zyrtar, diplomat apo shtetare, qofte ai shqiptar apo i huaj, qe te mund te thote se Sali Berisha i detyrohet qofte dhe nje qindarke apo dhe e kunderta.
Femijet e mi sigurisht kane jeten e tyre, por nuk e mohoj se per veprimet e tyre une mbaj pergjegjesi te plote morale. Pikerisht per kete arsye, ata jane te vetmit ne kete vend qe kane deklaruar te ardhurat e tyre ne ILDKP menjehere sapo jam zgjedhur Kryeminister, dy vite perpara se sa kjo te kerkohej nga ligji i deklarimit te pasurive. Sikunder, ndaj meje edhe ndaj tyre, ka patur nga kundershtaret e mi akuza, shpifje dhe trillime te shumta. Keto dy vite, ndaj meje dhe veçanerisht ndaj tyre, kundershtaret politike kane ndermarre te gjitha llojet e hetimeve brenda dhe jashte vendi, por perveç shpifjeve qe ju rrjeshtoni ne raport nuk kane qene ne gjendje te shtojne asnje gje te re. Ata jo vetem nuk kane faktuar dhe provuar dot asnjeren prej shpifjeve te listes te raportit tuaj, por perkundrazi, autore te tyre jane denuar nga gjykata ne gjyqe civile si fabrikues te tyre.
Zoti ambasador, une jam politikani me jetegjate ne politike ne vendin tim dhe njeri nga me jetegjatet ne Europe. Ne jeten time politike, siç theksova me siper, une jam perballur me akuza nga me te ndryshmet nga kundershtaret e mi, te cilet ne vitin 2000 me hoqen imunitetin me akuzen per krime kunder njerezimit dhe e bene kete 8 muaj para se sa Gjykata Nderkombetare e Hages te paraqiste kete akuze per Sllobodan Milloshevicin. Une dhe femijet e mi, me kerkesen time, duke patur ne kujtese gjithnje te fresket te shkuaren tone diktatoriale, kurre nuk kemi ngritur padi civile apo penale ndaj ndonje gazetari apo medie per shpifje. Une personalisht nuk e kam bere kete as ndaj kundershtareve politike, por jam mjaftuar me botimin ne media te pergenjeshtrimit te akuzave nga zyra ime e shtypit. Ndersa femijet e mi, te gjitha akuzave te kundershtareve politike ndaj tyre, u jane pergjigjur me pergenjeshtrim dhe padi civile ne gjykata, dhe per keto padi ka vendime te qarta te ketyre institucioneve. Per te gjitha akuzat dhe shpifjet qe ju rendisni ne raport, pervec rastit te aksioneve te Argites ne Universitetin e deputetit Velia dhe konsultes se Shkelzenit per privatizimin e 4 HECeve, akuza te cilat i degjoj per here te pare, ata jane perballur me autoret e tyre ne gjykata dhe keto te fundit i kane konsideruar ato shpifje dhe kane dhene vendimet perkatese.
Ju keto dite keni shprehur keqardhje per shqetesimin qe iu ka krijuar personave te caktuar botimi i raportit. Njerezisht ju kerkoj te mos ndjeni asnje keqardhje per pjesen qe me takon mua. Ne periudhen qe ju keni qene ne Shqiperi si ambasador i Austrise, ne kemi patur se bashku nje bashkepunim shume te mire, nuk e mohoj se per kete shkak raporti i juaj i njeaneshem me ben te ndiej keqardhje per ju. Por keqardhja ime me e thelle eshte per OSBE, institucionin qe ju perfaqesoni, por qe eshte dhe institucioni im, rolin e te cilit une e vleresoj shume.
Ndaj dhe me respekt, ju ftoj te vendosni interesin e organizates qe perfaqesoni para interesit dhe emocioneve tuaja.

Me konsiderate per ju,
Sali Berisha"

Comments

Submitted by Kevinjon (not verified) on

Gjigand!!!

Add new comment

Plain text

  • No HTML tags allowed.
  • Web page addresses and e-mail addresses turn into links automatically.
  • Lines and paragraphs break automatically.