Clint Eastwood përpara miliona amerikanëve: “Votoni Obama-n!” Apo është një keqkuptim?

Para ca ditësh, aktori Clint Eastwood, i intervistuar nga e përditshmja italiane La Repubblica, nuk hezitoi të jepte disa konsiderata të qarta e të forta politike. "Nuk e kam votuar Obama-n, por pasi fitoi, thashë me vete, që ‘ok, është djalë i ri, ka energji’. Mirëpo tani dua ta shoh duke punuar, duke bërë gjëra; nuk dua ta shoh në televizion, nuk dua ta shoh studio më studio. Mjaft më! Duam të shohim vepra, jo fjalë”.
Është po ky Clint Eastwood, që dje, gjatë superbowl-it (kështu quhet ndeshja finale e futbollit amerikan, që është aktiviteti sportiv më i ndjekur përtej Atlantikut), në intervalin mes dy pjesëve, u shfaq në ekran në një spot televiziv prej dy minutash të firmës Chrysler, duke mbjellë plot keqkuptime të natyrës politike. Gjatë spotit, është një moment, kur Eastwood reciton: “Yeah, Amerika po i jep fund pjesës së parë të ndeshjes; është duke filluar pjesa e dytë”. Ekziston dyshimi se kjo frazë, krahas mesazhit publicitar në favor të Chrysler-it, përcjell dhe mesazhin politik e elektoral në favor të Obama-s: pjesa e parë është mandati i parë presidencial, që po përfundon; pjesa e dytë është mandati i dytë që ai po kërkon.
Dy gjëra të bëjnë përshtypje në këtë spot. Së pari, Clint Eastwood është një republikan i hershëm, dhe ky mesazh i nënkuptuar komprometon kredot e tij politike; apo s’është fare e drejtë, ndoshta është budallaqe, të dallosh një mesazh në favor të Obama-s në atë spot? Po, ndoshta, por puna është se Chrysler-i ka qenë në borxh me Obama-n; po t’mos ish ky i fundit që u pompoi një dorë të mirë parásh publike boss-ëve të Detroitit në momentin e krizës, Chrysler-i do të kish falimentuar tanimë. Dhe ca njerëz dyshojnë se ata i kanë larë borxhin me këtë spot; me ndihmën e Eastwood-it, i cili, sipas këtij versioni, është thjesht i përdorur.
M.N.
Comments
ha debat, ha debat.
<p>ha debat, ha debat.</p>
Add new comment